Basha si Xi Jinping, me mandat të përjetshëm

Basha si Xi Jinping, me mandat të përjetshëm

Lulzim Basha pas një mbledhje në PD

Statutet e Lulzimit, do të mbahen mend gjatë, për ata që do të kenë fatin të qëndrojnë akoma në Partinë Demokratike pas “kongresit” të kësaj force politike. Përfundimisht kryetari i saj, të cilit prej 1 viti po i kërkohet nga shumica e kryesisë, anëtarësisë dhe e themeluesve, të largohet dhe të marrë mbi vehte përgjegjësitë e humbjeve dhe rrënimit të PD, ka vulosur përjetësinë me gjoja “ platformat dhe ndryshimet statutore”.

Një gjë e tillë në fakt pritej, derisa kryetari i PD, prej 1 viti nuk reagon për humbjet, tek shikon se si largohen anëtarët dhe militantët, tek shikon se si plasin sherret dhe grushtet në mbledhjet e kryesisë duke ofenduar madje edhe gratë, apo tek shikon se si partia po rrudhet aq sa mund ta quash një shoqatë, tek shikon se si një parti e djathtë që asnjëherë nuk ka kryer zgjedhje të lira dhe demokratike brënda saj kërkon “drejtësi”.

Përfundimisht me ndryshimet “statutore” Lulzimi bëhet kryetar i përjetshëm, bëhet “pashai” PD, mund të afrojë dhe largojë cilindo që dëshiron, mund të emërojë dhe largojë cilindo që ai urdhëron. Përfundimisht Partia Demokratike ka humbur lirinë dhe demokracinë e brëndshme dhe po rrëshqet drejt një autoritarizmi edhe më të rrezikshëm se ai i Berishës. Mjafton të kujtojmë se vetëm Kina ka miratuar heqjen e “barrierave” për mandatin e Presidentit, një masë e cila do të lejojë në mënyrë efektive që Xi Jinping të mbetet si president përjetë.

Të njëjtën gjë por brënda partisë tij , po arrin të bëjë Lulzim Basha në PD. Sërish ai nuk ka arritur të dalë nga e keqja që e ka mbërthyer, por ka vazhduar dhe do të vazhdojë të shpërfytyrojë Partinë Demokratike me skenarë qesharakë, që vetëm “pionierët” e tij mund ti besojnë. Duke paraqitur “platforma dhe rregullore të reja të partisë”, duke shtruar për miratim pak ditë para Kuvendit Kombëtar “ndryshime statutore”, Lulzim Basha në fakt ka mbërthyer fort pas vehtes servilët e tij milionerë, duke siguruar prej tyre votën dhe mbështetjen e përjetshme.

“Karriera e çdo anëtari dhe simpatizanti të PDSH nga sot e tutje do të varet jo vetëm nga meritokracia dhe kontributi politik, elektoral dhe profesional të tij, por edhe nga sondazhet që do të organizohen brenda partisë.Në ndryshimet e reja të statutit,është menduar të futen vlerësimi periodik nga baza, performancën e gjithësecilit në parti, por edhe sondazhet brenda partisë”.

Kështu thuhet në platformën e paraqitur nga servilët milionerë, që trimohen çdo të enjte në Parlament duke hedhur fjalë banale, miell, ujë dhe çizme ndaj kabinetit qeveritar, por kur vjen puna tek katastrofa që po i ngjet PD, struken si iriqi. Një hije turpi ka mbuluar PD e sotme, tek shikon se si kjo parti ka degraduar në këshill popullor lagjeje, tek shikon se si i thonë “amin o hoxhë” Lulit njerëzit e pushtetit të djeshëm, tek shikon se si fryhen në gjykata e akse rrugore, duke kërkuar lirimin e atyre që arreston Prokuroria dhe Gjykata, dhe që kyçin gojë kur kryetari sulmon organet e drejtësisë apo ambasadorët e huaj.

Struken si iriqi “pionierët” e Lulit tek dëgjojnë se si kryetari, nuk thotë një fjalë të vetme pozitive në ditë të shënuara për integrimin e vendit në BE, por miratojnë çdo ndryshim antistatutor, për ti dhënë atij fuqi të përjetshme në PD.

Pas miratimit edhe në Kuvendin Kombëtar të “ndryshimeve statutore”, pritet që Lulzimin të mos e shkarkojë asnjë strukturë brënda PD derisa të dalë në pension. Por ndoshta deri atëhere ajo parti do të jetë kthyer në “set arkeologjik”, për ti treguar shqiptarëve një histori trishtuese të një partie të djathtë, që drejtohej nga të majtë.

Përjetësimi i tij në krye të PD duke përdorur “platforma dhe ndryshime statutore” si trashëgimi politike, mbetet rasti unikal i cili pas Kinës Komuniste të Xi Jinpingut, po ndodh edhe në një parti politike jo në Azi, por në mes të Europës.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arditi: 21/04/2018 17:38

    Basha Kim Jongu Putini Erdogani jane te pazevendesueshem.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Dronë misteriozë shihen mbi tri baza amerikane në Britani

Dronë misteriozë shihen mbi tri baza amerikane në Britani