Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me Komunitetin Shqiptar që jeton në Mbretërinë e Bashkuar. Ai tha se qeveria Rama ka marrë peng demokracinë e vendit dhe ka shkaktuar krizë të thellë ekonomike.

Në vijim të vizitës time në Parlamentin britanik dhe instuticionet e qeverisë britanike, ndodhem sot në takimin më të bukur, në takimin me bashkëatdhetarët tanë, të cilët e kanë mbushur plot këtë sallë. Janë mbledhur të lajmëruar në një kohë shumë të shkurtër, por nuk mungon entuziazmi dhe shpresa për ndryshimin që po vjen.

Do të zhvillojmë një bashkëbisedim jo vetëm për takimet e mia në Londër, por edhe për të diskutuar problematikat dhe zgjidhjet për qytetarët tanë në emigracion. Ka një padurim të madh që ndryshimi të ndodhë sa më shpejt, jo për të ardhur PD në pushtet, por për të patur të gjithë mundësitë për të jetuar përmes punës së ndershme. Kjo është beteja që luftojmë sot. Ata që mendojnë se kjo është luftë për pushtet, ndodhen vetëm në sipërfaqen e një vullkani zemërimi që zien shumë thellë.

Si ka mundësi 30 vjet ne jemi të fundit, sepse me gjasa edhe Maqedonia do të nisë bisedimet? Si ka mundësi që pas 30 vjetesh shqiptarët e kërkojnë ende fatin jashtë vendit? Zemërimi është i ligjshëm sepse është marrë peng parlamenti, duke marrë peng parlamentin, merret peng qeverisja, duke shkaktuar krizë të thellë ekonomike. Per demokraci janë këputur koka mbreterish dhe këtu në Londër e dini më mirë se kushdo.

Sa herë që monarku futet në parlament për të mbajtur fjalën e saj, i përplaset dera e dhomës së komuneve në fytyrë, për t’i kujtuar në mënyrë simbolike se ai nuk mund të ketë çdo pushtet në dore, garancia për drejtesinë që funksion për të gjithë njësoj nëse janë aristokratë apo refugjatë. Ligji eshte i barabartë për të gjithë. Prandaj, shqiptarët ia dalin të ndërtojnë në një kohë të shkurtër jetë shumë më të mirë në Angli se në shtëpi. Një qeveri që punon kundër qytetarëve bie. Ky është kufiri që ndan lirinë nga tirania, ku qeveria ka frikë popullin, opinionin publik" deklaroi kreu i PD-së.

Gjatë fjalës së tij lideri demokrat ka ashpërsuar tonet, ndërsa ka deklaruar se pjesëmarrja në protestën e 25 Majit është vendimtare. "Nuk do të ketë më bir nëne të përsërisë për shqiptarët tragjedinë 50 vjeçare që i la 100 vjet pas, i izoloi dhe i ktheu në një rezervat në zemër të Europës. Një nga garancitë për këtë jeni edhe ju këtu, që i dini vlerat e Europës, siç i dinë edhe të afërkit tuaj në Tiranë. Ju ftoj të bëni gjithçka që ky aksion që sapo ka misur të jetë sa më i madh, sa më i vendosur, sa më i fuqishëm, duke nisur me të shtunën e 25 Majit. Bjeruni telefonëve, mobilizoni njerëzit, nxirrini në protestë. U kërkoni që të jenë ata, nëse nuk keni mundësi të shkoni vetë. Sa më e madhe pjesëmarrja, sa më i madh bashkimi, aq më të numëruara do t’i ketë orët Edi Rama" tha ai.

Basha ka folur edhe për debatin për ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi. Ai tha se propozimi për ndryshimin e kufijve të Kosovës i ishte bërë atij për herë të parë nga serbët. "Në lidhje me historinë e hapjes sërish të diskutimit të kufijve. Një miku ynë i përbashkët, ish Minisitri i Jashtëm Besnik Mustafaj tha para pak ditësh se çdo ministri të jashtëm i është propozuar ndryshimi i kufijve të Kosovës. S’e kam thënë më parë, por po e them tani nga Londra: Po, po. Edhe mua më është propozuar. Kanë ardhur, në atë kohë,  autoritetet serbe dhe më kanë paraqitur idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës.

Këtë e di unë, e di udhëheqja aktuale e Kosovës, se i kam informuar, e dinë partnerët tanë nga Uashingtoni në Londër, nga Brukseli në Berlin. Ju thashë më parë që jam i tmerruar nga papërgjegjësia totale, me të cilën ata mendojnë se mund të rikthejnë kohën e Millosheviçit apo kohën e luftrave të periudhës së Kongresit të Berlinit. Këta mendojnë akoma si të jenë në shekullin e 19-të. Po kurrë nuk ma kishte marrë mendja se idetë që do të dëgjoja nga goja e Vuk Jeremiçit dhe Ivica Daçiç, do t’i dëgjoja më vonë si ide origjinale nga goja e Edi Ramës dhe e Hashim Thaçit. Këtë nuk ma kishte marrë mendja kurrë
" tha ai.