TIRANE-Lulzim Basha i kërkon qeverisë që të mbyllë fasoneritë, call center dhe të gjitha sipërmarrjet e tjera për të paktën një muaj për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Kryetari i PD-së tha se të gjithë punonjësve në këto sektorë t'u jepet paga minimale, ndërsa kostoja e mbylljes për 4 javë, sipas selisë blu është 15 mln euro. "Shtimi i rasteve me COVID 19 e bën të detyrueshme mbylljen e menjëhershme për të paktën 4 javë të fasonëve, call centers dhe fabrikave me shumë punonjës në ambjente të mbyllura. Mbi 70 mijë punonjës fasonë janë burim potencial i përhapjes së shpejtë të virusit. Qeveria duhet të sigurojë pagesën për punëtorët për të mos çuar në kolaps sistemin dhe për të mos falimentuar bizneset. Qeveria të përballojë pagën minimale për bizneset në pamundësi pagese. Për bizneset që paguajnë vetë kosto të llogaritet si shpenzim i zbritshëm në masën 200%. Kosto maksimale, 15 milion euro në muaj. Kosto e mosveprimit, e pallogaritshne për shëndetin. Të gjitha burimet shtetërore të orientohen në 3 prioritete, shëndetësia, qytetarët dhe biznesi' tha Basha.
Deklarata e plote e Lulzim Bashes
Shtimi i rasteve me COVID 19 e bën të detyrueshme marrjen e menjehershme të masave për mbylljen e call centers, fasonëve dhe fabrikave të tjera, që kanë një numër të madh punonjësish në sipërfaqe të vogla dhe të mbylura.
Në sektorin fason punojnë sipas shoqatës së fasonëve 70 mijë persona. 90% e tyre janë vajza dhe gra, shpesh dhe kryefamiljare dhe shumica e tyre paguhen me pagë minimale.
Ambjentet e tyre të punës kanë, si rregull, mbi 100 punonjës. Prandaj ato janë potencialisht burim i përhapjes së shpejtë të virusit, duke e shpërndarë atë dhe në familjet e të punësuarve dhe, veçanërisht, tek të moshuarit apo fëmijët.
T’u thuash qytetarëve se do të dalë të bëjë pazaret vetëm një anëtar i familjes dhe në të njëjtën kohë të pranosh që mbi 100 persona të punojnë në ambjente të mbyllura, ky është një standard i dyfishtë, është me rrezikshmëri të lartë dhe mund të zhvlerësojë çdo sakrificë të kërkuar deri tani nga qytetarët.
Nuk duhet lejuar asnjë ditë vonesë. Nuk duhet pranuar ta çojmë në kolaps sistemin tonë shëndetësor. Prandaj duhen marrë masa me efekt të menjëhershëm.
Thirrja ime e përsëritur është të gjenden rrugët dhe mënyrat e përshtatshme për qeverinë dhe sipërmarrjen për t’i çaktivizuar këto bomba me sahat për të paktën 4 javët në vazhdim.
1. Për të gjitha bizneset që janë të detyruar t’i lënë punonjësit në shtëpi dhe që janë në pamundësi pagese, Qeveria duhet të përballojë pagën minimale.
2. Për të gjitha ato biznese që i lënë punonjësit në shtëpi dhe u paguajnë pagën, kjo kosto të llogaritet si shpenzim i zbritshëm në masën 200% .
Kosto maksimale e kësaj mase është 15 milion euro në muaj. Por kostoja e mosveprimit, është e pallogaritshme në jetë dhe shëndet njerëzish. Kostoja financiare e mosveprimit është dhjetëra herë më e lartë për përballimin e pasojave shëndetësore të mosmbylljes së fasonerive, si dhe në efektin zinxhir që kjo do të ketë edhe për ekonominë edhe buxhetin.
Qeveria mund të eksplorojë edhe mënyra alternative mbështetje si:
Shtyrje te pagesave të detyrimeve
Rishikimi i qerave shtetërore, i çmimit të energjisë, të karburanteve etj
Rimbursimi i menjëhershëm i TVSH etj
Në çdo rast, duhet që qeveria të gjejë gjuhën me biznesin për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Ajo që nuk pret, ajo që duhet bërë menjëherë është mbyllja e fasonerive, call centers dhe fabrikave te tjera, që janë burim potencial i përhapjes së shpejtë të COVID 19.
Kjo duhet bërë duke garantuar pagën minimale për punonjësit, pa të cilën do të ishtë e pamundur të përballonin jetësën.
Në kushtet e krizës që ka përfshirë me kohë këtë sektor duhen ndërmarrë masa të shpejta edhe që sipërmarrjet të mos shkojnë drejt falimentimit dhe të lënë mijëra vetë pa punë.
Dua ta përfundoj këtë mesazh sot me një apel për familjet e varfëra.
Kronikat televizive me shpërndarjen e ushqimeve janë thjesht shfaqje që angazhojnë burime financiare për propaganda, ndërkohë që mijëra kryefamiljarë nuk do të marrin asnjë të ardhur javën e ardhshme dhe nuk do të kenë me ç'të ushqejnë familjet e tyre.
Jemi në garë më kohën. Çdo minutë e harxhuar me propagandë nuk shpëton, por kushton jetë, shëndet dhe mirëqenie.
Të gjitha burimet shtetërore dhe financat publike duhet të orientohen në prioritetet e vetme të kësaj krize:
1. Shëndetësia dhe shëndeti
2. Familjet dhe njerëzit në nevojë
3. Biznesi dhe ekonomia.
mendon akoma sikur eshte apo do behet k.m ,me iku per lesh ky djal qe vdiq te behet pak magazinier.dil e thuaj te mbyllen se i paguaj une me leket e vjedhura mbase merr ca vota
Përgjigju