Lorenc Vangjeli: Basha vs Berisha, topi ka vrarë shumë më pak se armët e tjera

Lorenc Vangjeli: Basha vs Berisha, topi ka vrarë shumë më pak se armët e tjera

Një nga ambasadorët emblematikë të SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu, kishte krijuar një raport kontravers me dy bashkaksionerët e pushtetit të dikurshëm të PD-së. Në një moment dramatik për vendin, atë që pritej të ikte nga pushteti, e quajti “Burrë shteti”, atë që pritej të vinte dikur në pushtet, e konsideronte “Yll në ngjitje”. Vetëm dhjetë vjet më pas, Arvizu mund ta lexojë të përmbysur raportin e tij me dy B-të e PD-së.

Burri i shtetit është shpallur person non grata nga atdheu i tij, kurse Yllit në ngjitje, yjet po i shkruajnë një horoskop të zymtë për të ardhmen e afërt. Por edhe përkundër zemëratës dhe zhgënjimit të opozitarëve të djeshëm, përkundër edhe rrjedhjes së papritur të ngjarjeve mes dy personazheve, Arvizu kishte pasur të drejtë dikur në përcaktimet e tij. Berisha ishte realisht burrë shteti, por pika e fundit që theu gotën e tij të krisur ishte gjaku i katërfishtë i tragjedisë së 21 Janarit. Po t’i kishte mbetur që atëherë librave të historisë, historia e tij vetjake nuk do të komplikohej në mënyrë të tmerrshme vetëm dhjetë vjet më pas.

Edhe Basha ishte realisht ylli në ngjitje atëherë. Atë e futën fillimisht në zyrën e kryetarit të bashkisë, që ishte paradhoma e kryeministrit të ardhshëm, zyrë e cila qëndron në lartësinë e qiellit në raport me cilindo politikan tjetër. Atë që nuk mund të parashikonte dot askush, është fakti që fati i ndan sot me lumenj urrejtjeje dy B-të e PD-së që i kishte bërë bashkë interesi pragmatist, ai që kushtëzohet nga arsyeja edhe kur zemra thotë ndryshe.

Basha kreu ndaj Berishës fiks atë që vetë Doktori i ka bërë një plejade të tërë individësh në partinë e tij. Akti i Bashës ndaj Doktorit kishte përmasën e asaj që as armiqtë e tij më të egër nuk kanë mundur as t’ia urojnë. Ka ndodhur kështu për një arsye që nuk e sheh pothuaj askush dhe askush nuk e përmend: Basha është ndërtuar nga AND-ja e Doktorit.

Çfarë duket se i bën ata të ndryshëm, ndodhet vetëm në sipërfaqe, sepse në thelb, ata janë njëlloj dhe pothuaj identikë në pjesët më kontraverse të karakterit të tyre politik. Ata janë e njëjta prerje në arrogancën e sjelljes. në radikalizmin e veprimeve, në përdorimin e të vërtetave relative dhe gënjeshtrave absolute, në demagogjinë e llojit bëni vetëm si them unë, në aleancat fluide personale, në unitarizëm e autoritarizëm apo edhe në ndjekjen e pushtetit jo si mjet për të realizuar qëllime të mbara, por si qëllim i vetëm. Madje, Basha, në shumë nga këto tipare ballkanike të politikanit shqiptar, shkon edhe tej Berishës. Shumë më tej.

Basha është absolutisht politikani më radikal në Shqipëri. Askush si ai nuk ka arritur të bëjë të paimagjinueshmen: nxjerrjen e gjithë opozitës nga sistemi. Djegia e mandateve ishte akti më ekstrem që ka ndodhur në Shqipëri dhe ai barabitet vetëm me 97-ën, por nëse atëherë në mars, politika ishte vetëm shkëndija që i vuri zjarrin marrëzisë shqiptare, në shkurtin e 2019-ës, marrëzia e politikës e bëri paudhësinë krejt e vetme dhe përkundër qytetarëve që nuk e ndoqën pas.

Askush më përpara Bashës nuk ka guxuar të bojkotojë një palë zgjedhje vendore. Socialistët kanë braktisur në mes zgjedhjet njëherë dhe kërcënuar ta bëjnë herë pas here braktisjen e zgjedhjeve, por në të gjitha rastet, kanë shkuar si qengja në kutitë e votimit. Basha me atë rast nxori opozitën edhe nga ai përfaqësim politik që i kishte mbetur, shkatërroi karrierën e dhjetëra grave dhe burrave dhe la të ekspozuar përballë kundërshtarit të gjithë atë pjesë të administratës lokale që mbante flamurin e tij. I detyroi të gjithë të paguajnë edhe një kosto të frikshme njerëzore dhe në këmbim, i detyroi edhe ta rizgjedhin si zgjedhje të vetme.

Përballë yllit luftarak të Bashës, Berisha ngjan siç e quante dikur Arvizu, një burrë i urtë shteti. Njëri si një vejushë që mallkon, por nuk e le hernia të dalë nga shtëpia, tjetri si adoleshent qe nuk mblidhet në shtëpi nga furia e hormoneve. Ky thelb i ngjashëm dhe i sofistikuar tek kryetari i PD-së, është çfarë duhet të llogaritet për nesër. Kush nxitohet të verë baste të lehta për kokën e Bashës duhet të mendohet dy herë. Kryetari i PD-së nuk është ai që duket; është shumë më shumë se njeriu që qesh, siç e quajnë kritikët e tij.

Para se të venë baste, mbasi shohin turin e Doktorit në rrethe, baste që edhe mund t’i fitojnë, gjithë kundërshtarët e Bashës duhet të kontrollojnë koefiçientin e tyre. Të lexojnë atë që po bën Berisha, por nuk jua thotë të tjerëve. Sepse Doktori i ashpër është i zhgënjyer pikë se pari nga vetja. Ai kishte imagjinuar në 30 vite një epilog heroik. Kishte parë sesi e hidhnin në erë, si e “asgjësonin” komunistët me top, si e “ekzekutonin” rebelët e Vlorës me tanke në presidencë, si i shkulte krifën e flokëve dhe e çirrte Fatos Nano, si e kryqëzonte në qelitë e policisë Ilir Meta apo edhe si e vriste Edi Rama me dorën e tij për t’ia hedhur si trofe demonstruesve të 21 janarit.

Në fakt të gjitha këto nuk ndodhën. Për ironi të fatit, ai mbërriti në epilogun e tij të paqartë nga pickimi i yllit të tij të fatit. Basha, edhe nëse nuk ngjitet dot aty ku ëndërron dhe ku e shihte ambasadori Arvizu, në takim me historinë do të mbetet si njeriu që vrau duke qeshur Doktorin epik. Ai është prova e faktit që në këtë botë, topi ka vrarë shumë më pak se armët e tjera.

SI.E./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë