Zgjedhjet në Akademinë e Shkencave, janë cilësuar si një proces fasadë nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kryedemokrati është shprehur se kryeministri Edi Rama po bën me Akademinë e Shkencave, të njëjtën gjë që po bën edhe me zgjedhjet elektorale në Shqipëri: zgjedhje false, që e kanë të përcaktuar fituesin ende pa u bërë votimi. Sipas tij, nëpërmjet kësaj, Rama po përpiqet që të dhunojë shkencën siç ka bërë edhe me demokracinë në vend. Reagimin e tij  mbyll me "moton" që ka karakterizuar qëndresën e opozitës të javëve të fundit "asnjë hap pas".

"Ashtu si “zgjedhjet” e tjera fale edhe në Akademinë e Shkencave po gatuhet “zgjedhja” e Gjinushit. Rama dhe banda në pushtet dhunon shkencën dhe artin njësoj si demokracinë, pronën, qytetarin, ekonominë, të drejtat politike, drejtësinë. Asnjë hap pas", shkruan Basha.

Shqiptarja.com ka mësuar ditën e sotme se kandidati i vetëm për kryetar është akademiku Skënder Gjinushi, i cili ka drejtuar edhe grupin e punës për reformimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Zgjedhjet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë do të mbahen më 24 maj.