Kreu i PD Lulzim Basha, vazhdon përplasjen me kryeministrin Edi Rama, jo vetëm lidhur me debatet fundit, për përfshirjen e tij në hetimet për krimet e luftës në Kosovë por edhe për memet tallëse që kreu i qeverisë publikon.

Ka qenë Rama ai që ka publikuar një video në të cilën Arian Çani fliste në telefon me kreun e PD Lulzim Basha, dhe kur moderatori e pyet se ku ka qenë pasi nuk i është përgjigjur në telefon, kryedemokrati i thotë se ishte në gjumë. Krahas videos Rama shkruan se Basha tregoi të vërtetën ndërsa e këshillon të flejë përsëri.

Përgjigja e Bashës ka qenë e menjëhershme ku ai thotë se në një javë 60 persona kanë ndërruar jetë për shkak të koronavirusit, duke e quajtur këtë një ditë të trishtë. Më tej shton se Rama e kalon kohën në "Instagram" me meme, duke e quajtur të pandjeshëm ndaj situatës së pandemisë.

"Mbi 60 njerëz vdiqën këtë javë nga virusi, mbi 60 familje të dërrmuara po qajnë dhe vajtojnë sonte të dashurit e tyre, ndërsa kryeministri i pandjeshëm dëfrehet duke bërë meme në Instagramin e tij. Ditë e trishtuar për vendin tonë", shkruan Basha.

Kujtojmë se debatet mes tyre ka qenë të vazhdueshme edhe sot, pasi kryeministri Rama i ka kërkuar  më herët Bashës që t’i sqarojë publikut rolin e tij në hetime dhe pse ia kërkojnë atij dëshmitarët kryesorë të një prej masakrave më të mëdha, asaj në Krushë të Madhe, kasetën e filmuar nga ekzekutimet e fjalimet e serbëve, të cilën akuzohet se e ka zhdukur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:59
'Isha në gjumë', Rama publikon videon e Bashës dhe tallet me të: Fli xhan fli, ç'të gjeti që the të vërtetën

Kryeministri ka publikuar një video në të cilën Arian Çani fliste në telefon me kreun e PD Lulzim Basha, dhe kur moderatori e pyet se ku ka qenë pasi nuk i është përgjigjur në telefon një javë më parë, kryedemokrati i thotë se ishte në gjumë.

Me ironi, krahas videos Rama shkruan se Basha tregoi të vërtetën ndërsa e këshillon të flejë përsëri.

"Ou, ç'të gjeti që the të vërtetën! Fli xhan fli", shkruan Rama krahas videos.