30-vjeçari Roberto Lapa, i shpallur në kërkim për pengmarrjen dhe dhunimin e një 20-vjeçari, ka rënë në prangat e Policisë Gjirokastër. 30-vjeçari nga fshati Risili i Vlorës u kap teksa lëvizte me automjet, në aksin rrugor “Tepelenë-Gjirokastër”.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se 30-vjeçari i arrestuar dhe dy bashkëpunëtorë të tij morën me forcë dhe dhunuan në një banesë në Vlorë një 20-vjeçar në 21 maj të këtij viti, me qëllim për t’i marrë 6 mijë euro.
Dy bashkëpunëtorët e tij, 24-vjeçari Brajan Habazaj dhe Leandro Kapllani, janë arrestuar më herët për këtë ngjarje. Ndërkohë grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Gjirokastër-I shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Strike 2”, për një rast të heqjes së paligjshme të lirisë dhe dhunimit, kapet në Gjirokastër 30-vjeçari.
I ndaluari dhe 2 bashkëpunëtorët e tij morën me forcë në Vlorë, një 20-vjeçar, më datë 21.05.2026, për t’i marrë 6000 euro.
Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve ndërmjet strukturave hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, u ndalua, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës “Shqiponja” të DVP Gjirokastër, shtetasi i shpallur në kërkim për llogari të DVP Vlorë, në kuadër të operacionit të koduar “Strike 2”, R. L., 30 vjeç, banues në fshatin Risili, Vlorë.
30-vjeçari u kap teksa lëvizte me automjet, në aksin rrugor “Tepelenë-Gjirokastër”.
Ai akuzohet se më datë 21.05.2026, në bashkëpunim me shtetasit B. H. dhe L. K. alias L. L. (të arrestuar më parë), kanë marrë me forcë, në automjet, një 20-vjeçar, të cilin e kanë çuar në një ambient të veçuar, ku e kanë dhunuar, për t’i marrë 6000 euro.
Shtetasi R. L. iu dorëzua shërbimeve të DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Komente










