Mirëserdhët!
Meqë u bë disa javë që fushata ka hyrë në ritmin e vet të lartë dhe nuk jemi parë mendova, që ia vlen me patjetër, që të bëjmë një komunikim bashkërisht. Ndërkohë që, zhvillohet ballafaqimi me takime të vogla e të mëdha me palën tjetër, ndodhin edhe gjëra që janë jashtë axhendës së ballafaqimit. Siç, ishte rasti i lirimit brutal të tre gjeneralëve të ushtrisë sonë. Një vazhdë dramatike në rrugën e rrënimit të ushtrisë.
Unë kam ndjekur me shumë vëmendje gjithçka që gjeneralët kanë shprehur. Jam interesuar dhe kam mundur të lexoj edhe çka ata i kanë bërë me dije autoriteteve më të larta të shtetit përpara lirimit dhe çka kanë shprehur dhe mbas lirimit. Praktikisht, në çdo vend tjetër normal të NATO-s kjo do të ishte krejtësisht e pakonceptueshme. Një lirim brutal në vazhdën e rrënimit të ushtrisë sonë. Të ndarjes, gjithmonë, e më të madhe mes misionit strategjik të forcave tona të armatosura dhe funksionit të një grushti njerëzish në kupolën e Ministrisë së Mbrojtjes nga ministri, tek shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe tek enturazhi i tyre, që e kanë braktisur detyrën dhe kanë braktisur të gjitha qëllimet dhe arsyet pse ekziston Ministria e Mbrojtjes dhe pse ekziston Shtabi i Përgjithshëm. Praktikisht, merren me njerëz dhe me sende në kuptimin më të thjeshtë dhe më banal të kësaj fjale, sikundër e nënvizojnë edhe gjeneralët. Kush do vijë e kush do ikë dhe deri edhe me shpenzimet më të papërfillshme, që kuptohet kontrollohen për shkaqe të korrupsionit. Pa llogaritur këtu, faktin, që të gjitha reformat kanë stopuar. Pa llogaritur faktin, që pas hyrjes në NATO nuk ka pasur asnjë ri-update-im, në funksion të pozicionit të ri. Pa llogaritur, faktin, që pas krijimit të shtetit të ri të Kosovës dhe një situate të re gjeopolitike nuk ka pasur asnjë lloj reflektimi, siç do të duhet të ndodhte në gjithë arkitekturën e ngrehinës ligjore me të cilën funksionojnë Forcat e Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes. Gjithçka në rrënim! Ne, jemi njohur edhe më parë dhe, për sa na takon e kemi bërë tonën për të rritur ndjeshmërinë e popullit në raport me korrupsionin në Ministrinë e Mbrojtjes, në raport me katandisjen e Ministrisë së Mbrojtjes në një çerdhe ku vlon korrupsioni, ku grabiten pronat duke u transferuar nga prona të popullit shqiptar në duart e ushtrisë, në prona njerëzish që s’kanë absolutisht asnjë të drejtë të gëzojnë tituj pronësie në pjesë kaq të rëndësishme të kapitalit të pasurisë së patundshme të popullit shqiptar, deri tek ryshfetet për të çuar ushtarë në misionet tona në frontin e luftës, kundër terrorizmit, kundër të keqes globale, e kështu me radhë. Për të gjitha këto arsye unë dëshiroj që sot t’i shpreh solidaritetin tim qytetar të tre gjeneralëve të liruar brutalisht nga Presidenti. Një President që, fatkeqësisht, nuk është as kapter, po është kadet i kryeministrit. Nënvizoj domosdoshmërinë që të gjithë njerëzit të vetdijësohen se përtej të gjithë problemeve të mëdha dhe të rënda të ditës që, sigurisht, janë kryesore për ta, ekziston edhe ky problem shumë i madh i degradimit të Forcave tona të Armatosura, i katandisjes në një çerdhe korrupsioni i kupolës së Ministrisë së Mbrojtjes, siç është katandisur në një çerdhe korrupsioni edhe kupola e Ministrisë së Brendshme. Sigurisht, që ne e kemi shumë të qartë se cili është roli ynë pas 23 qershorit në ndërmarrjen e të gjitha atyre reformave të ngecura në vend dhe në ngritjen e asaj Ministrie dhe të gjithë asaj trupe shërbëtorësh të shtetit në lartësinë e misionit fisnik. Jo në këtë llubëtirë ku llokoçitet sot ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm me një grusht individësh që i kanë kthyer shpinën forcave të armatosura dhe që i kanë kthyer forcat e armatosura në një nomeklaturë emërimesh dhe përfitimesh për llogari të pushtetit.
Pyetje: Doja t’ju pyesja në lidhje me deklaratat e zotit Moore javën e kaluar se duke qenë se tashmë po shkojmë drejt zgjedhjeve me një KQZ me katër anëtarë, ndoshta do të jetë Kolegji Zgjedhor që mund të vendosë vulën përfundimtare për këto zgjedhje. Cili do të jetë reagimi i PS-së në qoftë se do të kemi një përsëritje të atyre vendimeve të Kolegjit Zgjedhor, siç ndodhi në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011.
Unë nuk iu përgjigjem pyetjeve me “në qoftë se”. Ua kam thënë. Është e kotë që të më bëhet pyetje të tilla. Unë di të them se; ne jemi tërësisht në linjë me gjithë popullin shqiptar dhe me gjithë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë për të çuar përpara një proces ku do të triumfojë vullneti i popullit sovran. Nuk dëshiroj të merrem asnjë sekondë me “në qoftë se” apo me çfarë mund të prodhojnë paragjykimet edhe legjitime për shkak të atyre, që kanë ndodhur në të shkuarën. Kjo është një betejë mes të ardhmes dhe të shkuarës edhe në këtë aspekt. Unë jam i bindur që do fitojë e ardhmja.
Pyetje: Dje, zoti Meta e ka quajtur fitore historike, personale e LSI, votimin e tre ligjeve të integrimit dhe bashkimin e PD-së dhe PS-së për t’i votuar këto ligje. Vërtet ju mendoni se është meritë e LSI-së votimi i këtyre tre ligjeve dhe pas shumë alibish që u nxorën për miratimin e tre ligjeve, miratimi i tyre me kushtin e vendosur nga LSI që të hyjnë në fuqi në vjeshtë dhe pranimi i këtij kushti nga PS. A mendoni se fakton ato akuza të mazhorancës që herë pas here ka thënë se bllokimi ka qenë për të mos marrë statusin para zgjedhjeve çka do të ishte në përfitimin e PD-së në këtë fushatë, do të ishte një nga pikat kyçe ku mund të mbështetej fushata?
Këtë mund ta mendojnë ata që ushqehen me broçkullat e Saliut. Unë nuk e mendoj këtë, sepse unë besoj që Këshilli i Ministrave të BE-së ka qenë shumë i qartë dhe ka nënvizuar shumë qartë se fati i statusit nuk lidhte me këto tre ligje, as kam besuar një sekondë të vetme, që 3 ligjet janë çelësi i parajsës europiane të shqiptarëve. Sepse, di të lexoj mirë çfarë shkruhet e zeza mbi të bardhë, jo vetëm unë, por gjithë Partia Socialiste, nga Familja Europiane, si detyra për t’u plotësuar nga Shqipëria. Shqipëria ka detyra për të plotësuar dhe këto 3 ligjet e “famshme” nuk kanë absolutisht asnjë fuqi magjike në realizimin e procesit të integrimit dhe në marrjen e statusit. Kështu që, jam aty ku kam qenë gjithmonë në raport me këto tre ligje. Për sa i përket pastaj çështjes së alibive, s’ka pasur asnjë alibi, ka qenë një qëndrim i qartë. Ne e kemi bërë të qartë se për ç’arsye nuk i kemi votuar këto tre ligje. Sot kur mbeten shumë pak ditë për të materializuar ndryshimin e qeverisë dhe rotacionin e domosdoshëm, që ndryshon gjithçka dhe kur, praktikisht, edhe çështja e qarkut të Fierit është e zgjidhur dhe e pengon siç e pengon në shumë qarqe të tjera brutaliteti antikushtetues i qeverisë, për të mos lejuar rikompozimin dhe kur nga ana tjetër është vendosur jo një kusht ndaj nesh, por është vendosur një parametër i ri, që këto drafte të hyjnë në fuqi, kur ne të jemi shumicë në parlament dhe kur ne të qeverisim vendin, kemi votuar me kënaqësinë më të madhe.
Asgjë nuk na ka penguar t’i votojmë këto dokumente. Asgjë nuk më pengon sot të them se e gjithë ajo mjegulla e ngritur mbi këto tre dokumente për t’u mbyllur shqiptarëve rrezen e vështrimit mbi gjërat është një farsë propagandistike, që s’ka asnjë lidhje me realitetin e integrimit, s’ka asnjë lidhje me realitetin e shqiptarëve. Megjithatë, ç’rëndësi ka. Kjo i takon të shkuarës tani. E, aq më mirë akoma, që dhe një alibi tjetër ra, nëse flitet për alibi, alibia është e Saliut, jo e jona. Në 23 qershor njerëzit do jenë ende më të qartë për çfarë arsyesh duhet ta ndëshkojnë këtë pushtet të kalbur nga korrupsioni dhe që rri në këmbë duke gënjyer gjithë ditën.
Pyetje: U fol shumë që pjesë e marrëveshjes suaj me LSI ishte votimi i këtyre tre ligjeve dhe ju e mohuat këtë gjë pasi u nënshkrua marrëveshja, ndërkohë që erdhëm sërish te ky pozicion.
Nuk ka asnjë lidhje! Është ashtu siç e kam thënë. Nuk kemi ardhur sërish asgjëkundi, kemi vazhduar të ecim para. LSI ka bërë një propozim. Propozimi është miratuar prej nesh. Është një propozim, që është konsultuar dhe, paraprakisht dhe kemi rënë dakord në sekondë që në rast se pala tjetër e pranon që këto tre ligje të hyjnë në fuqi kur të ketë ndodhur rrotacioni për ne s’ka asnjë problem, dhe kështu ka ndodhur. Kështu që, nuk shikoj asnjë arsye për të humbur kohë me këto 3 ligjet e famshme, sepse e thashë, për mua janë 3 ligje, si qindra dhe mijëra ligje të tjerë që janë aprovuar dhe do aprovohen në Shqipëri dhe nuk ka asnjë problem.
Pyetje: Zoti Rama meqenëse e nisët këtë konferencë shtypi me çështjen e 3 gjeneralëve, fitorja e PS-së në 23 qershor a do të thotë një rikthim i tyre në postet që ata kanë mbajtur përpara se ata të shkarkoheshin? Pyetja e dytë, përflitet për një vizitë tuajën javën e ardhshme në Uashington. A mund të na thoni se cili është qëllimi dhe me kë do të takoheni?
E para, unë besoj se ka procedura kushtetuese dhe ligjore dhe nuk varet nga deklaratat politike apo nga qëndrimet personale çështja e marrjes në punë, e rikthimit në punë, apo e rikthimit të detyrë të njerëzve dhe sidomos të gjeneralëve të Forcave të Armatosura. Sigurisht që, kjo që ka ndodhur është shumë e rëndë dhe është shprehje e një brutaliteti shumë të madh, që në fakt është kthyer në rutinë në Ministrinë e Mbrojtjes. Është shprehje e rrënimit që ka përfshirë edhe Forcat tona të Armatosura me përgjegjës Saliun dhe ministrin e Mbrojtjes. Është shprehje e domosdoshmërisë për të kuptuar një orë e më parë se duhet vënë dorë. Por, si do vihet dorë kjo është një çështje që i takon pas 23 qershorit. Është një çështje që si të gjitha çështjet e tjera do të trajtohen konform Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Për sa i përket pyetjes tjetër janë spekulime dhe nuk kam asnjë koment.
Pyetje: Ministria e Mbrojtjes, në reagimin e saj ndaj shkarkimit të tre gjeneralëve ka thënë se ky është i mbështetur në ligj.
Ministri i Mbrojtjes ka thënë që ishte i mbështetur në ligj edhe krimi i vrasjes së protestuesve në 21 janar. Kështu që, nuk pres të thotë asgjë tjetër. Unë jam i prirur t’u besoj njerëzve të cilët i kanë shërbyer Ushtrisë Shqiptare përtej kufirit të mandateve dhe të partive dhe të cilët i kanë shërbyer ushtrisë Shqiptare bazuar në meritat e tyre. Në meritat e tyre, në shkollimin e tyre, në shërbimin e tyre, në rrugën e tyre dhe jo një ministri që s’është asgjë tjetër veçse një nga pjesëtarët e një kompanie private, siç është katandisur qeveria e Republikës së Shqipërisë, që flet gjithë ditën për popullin dhe punon ditë – natë vetëm për përfitimet e veta.
Pyetje: Jemi vetëm 20 ditë përpara zgjedhjeve dhe kemi institucionin më të lartë të zgjedhjeve që është KQZ-ja, i paplotësuar. Cila është oferta që do të ketë Partia Socialiste për të administruar procesin zgjedhor dhe për të hedhur poshtë akuzat e kryeministrit për një alibi për prishjen e procesit.
Jo nuk hedhim poshtë asnjë gjë ne, se të rrish të merresh me hedhjen poshtë të përrallave të gjyshit me antiplumb, duhet të lësh çdo punë tjetër.
Ne e kemi thënë dhe e përsërisim;
KQZ nuk është një institucion i pavarur. Ka dalë nga korniza ligjore. Është një organizatë partie, një seksion i PD-së i mbajtur ashtu me dhunë. Le ta mbajnë. Do t’i mundim me gjithë atë seksion të PD-së. Nuk do mund dot të përsërisin 8 Majin e 2011-s në Tiranë.
Pyetje: Zoti Rama, a ka një marrëveshje me partinë e zotit Ngjela për të marrë post ministri zoti Ngjela pas zgjedhjeve nëse PS i fiton këto zgjedhje?
Kemi një marrëveshje shumë të thjeshtë dhe të qartë me avokat Ngjelën, që për të gjitha kontributet e tij në gjithë këto vite opozitë dhe për gjithë kontributin e tij në fushatën e tanishme dhe për të gjithë çka ai mund të vazhdojë të japë për këtë koalicion do të jetë pjesë e administrimit të fitores dhe, sigurisht, pse jo edhe në ekzekutiv.
Pyetje: Kur thoni që do t’i mundim me gjithë atë seksion të PD-së, siç e quani ju KQZ-në, do të thotë se ju besoni te Kolegji Zgjedhor, te vendimet që do të japë Kolegji Zgjedhor mbi zgjedhjet?
Jo unë nuk besoj fare të Kolegji Zgjedhor. Unë besoj te populli shqiptar dhe besoj që as KQZ-ja e Lefterisë dhe as Kolegji Zgjedhor i Saliut nuk do munden dot të përmbysin vullnetin sovran të popullit shqiptar, që do shprehet përmes një fitoreje të thellë, të qartë, bindëse. Ata thjesht do bëjnë certifikimin formal të asaj fitoreje, e cila do të shkojë në segmentin midis 77 dhe 80 deputetëve.
Pyetje: Si do t’ia bëni ju në qeverisje, pasi nuk keni me LSI-në një pikë thelbësore të programit tuaj, që është ajo e taksës progresive. Keni dasi të forta në këtë pikë. Do të hiqni ju dorë nga taksa progresive, apo LSI do të tërhiqet?
Nuk kemi asnjë dasi në këtë drejtim. Nuk është e vërtetë. Jemi tërësisht në union që do të vendosim taksimin e ndershëm mbi të ardhurat personale dhe do të vendosim dy nivele taksimi për sa i përket kompanive dhe biznesit të vogël dhe është tërësisht në filozofinë dhe përbashkët të të dyja forcave tona politike.
Pyetje: Meqë ishim te zoti Meta dhe politikat ekonomike të koalicionit tuaj. Vetëm pak ditë më parë zoti Meta ka deklaruar se taksimi i të ashtuquajturve të pasur mund të ketë edhe pasoja negative në ekonominë shqiptare. Një tjetër divergjencë në politikat ekonomike që vihet re mes dy partive ka të bëjë dhe me borxhin. Zoti Meta ka deklaruar vetëm pak ditë më parë se një rritje e borxhit mund të ndihmojë ekonominë shqiptare për të dalë nga situata aktuale, ndërkohë që Partia Socialiste ka qenë gjithmonë shumë kritike. Doja një përgjigje në këtë sens. Pyetja e dytë, ka të bëjë me misionin e vëzhguesve të OSBE-së, z.Roberto Bateli. Në disa media është folur në emër të PS duke ngritur shqetësime mbi punën e z.Bateli, shqetësime që nuk janë përgënjeshtruar, asnjëherë, nga Partia Socialiste. Doja t’ju pyesja, ju a besoni në paanshmërinë e vëzhguesve të OSBE-së, sidomos për pjesën e vëzhguesve afatshkurtër.
Nuk e di se çfarë është thënë nëpër disa media. Po di që përsa i takon opinioneve dhe mesazheve të fushatës ne jemi një koalicion i madh, jemi mbështetur në boshtin PS - LSI. Jemi një fuqi e unifikuar e qendrës së majtë, por jemi dy parti. Sigurisht që fushata është sa e përbashkët aq edhe e përveçme. Në këtë fushatë ka një përpjekje të natyrshme të të gjitha forcave, edhe të këtyre dy forcave për të marrë maksimumin e mbështetjes nga publiku. Këto nuk kanë lidhje, pas 23 qershorit kur bazuar mbi vullnetin e popullit sovran do të ndërtohet edhe qeveria dhe të jeni absolutisht, të sigurt, se nuk kemi asnjë lloj divergjence në principin, që qeveria do të ndërtohet bazuar mbi shprehjen e vullnetit të popullit sovran. Sigurisht, që kur vjen puna tek programi do të prevalojë Programi i Rilindjes në raste se Partia Socialiste do të jetë qartësisht forca e parë e koalicionit. Kjo është e qartë s’kemi asnjë problem.
S’kam asnjë problem me asnjë vëzhgues janë të mirëseardhur të bëjnë punën e tyre. Por fitorja jonë nuk varet nga ata.
Pyetje: U pa nga reagimi juaj menjëherë sapo kryeministri Berisha firmosi në fundjavë planin rregullues për Tiranën, planin urbanistik, menjëherë reaguat dhe thatë që ky plan do të rrëzohet sapo të vijmë në qeverisje. A ka hapësira ligjore për ta bërë këtë. Një pyetje e dytë, meqë jemi tek rikonstruksioni i qyteteve të mëdha, Kavaja është një ndër to dhe ju patët një replikë në distancë me kryeministrin për monumentin që ndodhet në qendër të Kavajës.
Unë s’kam asnjë replikë me gjyshin. Unë kam thënë atë që kam menduar gjithmonë, që ai monument është një shëmti estetike dhe nuk ka lidhje me simbolin, ka lidhje me formën. Është një shëmti estetike të cilën Kavaja nuk e meriton. Sheshi “Demokracia” ka qenë, është dhe do të mbetet sheshi “Demokracia”, sepse demokracinë nuk e solli Saliu, e sollën studentët, e sollën intelektualët, e sollën shqiptarët, e solli era e madhe e ndryshimit të përbotshëm. Kavaja ka një rol shumë të madh në këtë. Ajo që ka ndodhur është që gazeta Panorama ka spekuluar dhe e ka transformuar gjithë këtë në një pseudo replikim në distancë.
Përsa na takon ne, e kemi thënë dhe i qëndrojmë;
Jemi në bashkëpunim të plotë me kryetarin e bashkisë së Kavajës, që do ta rindërtojmë sheshin “Demokracia”. Është një projekt me një potencial të jashtëzakonshëm për t’i dhënë Kavajës përmasën e një qyteti mesdhetar, për t’i dhënë gjithë atij komuniteti një shesh të një dimensioni krejt tjetër estetik. Do të jetë sheshi “Demokracia”, do t’i kushtohet sigurisht edhe asaj simbolike që ka, por ai monument është tamam siç e tha kryetari i bashkisë së Kavajës, s’janë as dy gishta, s’është as monument të cilin e meriton Kavaja. Kavaja meriton shumë më shumë sesa ajo farsa atje. Kjo ka qenë e gjitha. I takon bashkisë së Kavajës, ta çojë përpara atë projekt. Nuk i takon Saliut të vendosë se çdo të bëjë bashkia e Kavajës që, me vullnetin e popullit të Kavajës, drejtohet nga Elvis Roshi dhe që për më tepër pastaj pasi deputeti për 2 dekada i Kavajës dhe kryeministri ende në detyrë ka thënë që asnjë fond nuk jap unë përderisa ju zgjodhët këtë kryetar bashkie, është e kotë që të hyjmë më në këtë diskutim. Kjo është përsa i përket bashkisë Kavajës dhe monumentit në fjalë.
Përsa i përket Planit Rregullues të Tiranës. Tirana ndryshe nga ç’thotë propaganda e shpifjeve të përditshme të Saliut dhe të kryetarit të baskisë, që është aty falë KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor dhe jo falë popullit të Tiranës e ka pasur Planin e vet Rregullues gati. Plani rregullues ka qëndruar qëllimisht në sirtar dhe nuk është vënë për aprovim asnjëherë në tryezën e Këshillit të Rregullimit të Territorit. Madje ka shërbyer edhe si platformë për fushatën elektorale të kryetarit të bashkisë në shumë aspekte. Nëse ky plan, i riu, do të ishte një përmirësim i atij ekzistuesit, që u refuzua të aprovohej, pasi ishte aprovuar nga KRT-ja e Tiranës dhe nga këshilli bashkiak i Tiranës, atëherë s’do kishte asnjë problem. Por, ky plan është një batërdi korruptive dhe një dritëshkurtësi e jashtëzakonshme në raport me zhvillim e qytetit, për këtë arsye do të anulohet, për asnjë arsye tjetër.
Pyetje: Pak më shumë se dy javë na ndajnë nga zgjedhjet e 23 qershorit dhe në shumicën e herëve të daljeve tuaja publike jeni optimist për fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit. Ku e bazoni optimizmin tuaj tek programi i detajuar i PS, që siç thoni ju ka objektiva të arritshëm, tek cilësia e qeverisjes që sipas jush ka rënë dhe është rrënuar apo tek përgatitja e opozitës për të mbrojtur votat nga pikëpamja e infrastrukturës politike të saj?
Unë s’jam optimist, jam realist. Ne jemi gjatë gjithë kohës në ndjekje të opinionit publik duke bërë anketime shumë specifike, fokus grupe dhe duke analizuar me shumë kujdes këndvështrimin e opinionit publik. Ne synojmë një fitore në harkun e 77-80 deputetëve si koalicion. Ndërkohë që, besoj që një votë në zgjedhje është një votë që është komplekse. Shqiptarët, do të votojnë “Aleancën për Shqipërinë Europiane” dhe do të votojnë Partinë Socialiste, pikërisht, sepse kanë jo një, por kanë shumë arsye; Që lidhen me votën si instrument për të ndëshkuar keqqeverisjen dhe si instrument për t’i dhënë një mundësi të re vetes dhe vendit duke ngarkuar opozitën që të formojë qeverinë e re. Unë besoj që ne ju kemi ofruar shqiptarëve një alternativë shumë të qartë, një program të detajuar si asnjëherë tjetër në këto 22 vjet nga një forcë politike, që nuk është një program elektoral, por është një program qeverisës. Një skuadër kombëtare, që është skuadra më e mirë e deputetëve që Partia Socialiste, dhe që një forcë e madhe përfshirë edhe palën tjetër, ka pasur ndonjëherë në këto 22 vjet. E them me plot gojën dhe kam shumë shpjegime të qarta për këtë. Sigurisht, një lidership që garanton çuarjen përpara të axhendës europiane dhe modernizimit e vendit në funksion të ndërtimit të një shteti shqiptar që i shërben të gjithëve.
Pyetje: Ju folët për elementët që ju çojnë tek skenari më optimist, pra fitoren e zgjedhjeve. Ka edhe një element që mendoj që ju keni një ide të qartë, është fjala për kandidatët që janë larguar nga PS, specifikisht Arben Malajn. A ka një ide të qartë, a ka një përqindje të caktuar mbështetje që e cënon sadopak fitoren e të majtës në Vlorë. E dyta, ju folët për një unifikim të gjithë veprimit me LSI. Keni menduar të bashkëveproni në fushatë siç ka qenë më përpara, që liderët e një koalicioni dalin bashkë para popullit. Është menduar që në këto dy javë të ketë një dalje të përbashkët?
Natyra e këtij sistemi është imponuese për mënyrën sesi bëhet fushata. Koalicioni është i përbashkët, ndërkohë që çdo parti duhet të marrë maksimumin në funksion të vetes dhe të koalicionit. Ndaj edhe fushata, natyrshëm, zhvillohet duke qenë të gjithë në pjesën e tyre të frontit. Unë nuk shoh ndonjë problem në këtë aspekt.
Përsa i përket pyetjes për kandidatët e pavarur, të pavarurit janë funksion i Saliut, me apo pa dashje, me apo pa vetëdije. Sepse, çdo votë që është një votë që buron nga kundërshtia për qeverinë dhe që nuk shkon në koalicionin tonë është një votë e çuar dëm, nga e cila përfiton vetëm pushteti dhe jo opozita. Kjo është e qartë.
Pyetje: Kandidimi i Dukës me PR, apo kandidimi i pavarur i Priftit?
Po ju them çdo votë jashtë koalicionit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” dhe Partisë Socialiste si pjesë e kësaj aleance është një votë e çuar dëm dhe që i shërben vetëm pushtetit. Kush do të ndëshkojë pushtetin ka një zgjedhje të gjerë brenda “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Kush mendon se mund ta ndëshkojë pushtetin duke e çuar votën tek të pavarurit mendon gabim dhe e çon votën dëm, dhe madje i shërben pikërisht pushtetit, sepse janë vota të hequra nga koalicioni. Koalicioni është ai që do të zgjidhë problemet e njerëzve dhe nuk janë individë të caktuar që shkojnë mbas “berihait” për karrigen e tyre.
Pyetje: Pavarësisht, se ju thoni që keni një program të detajuar, kryeministri Berisha nga Pogradeci u shpreh se pavarësisht se ju thoni do ulni taksat asnjëherë nuk bëni konkrete ndonjë shifër. Në përgjigje të batutave tuaja si gjysh, ai u shpreh Zoti i dhëntë rini viteve tuaja dhe se vuani nga kompleksi Edipit.
Përsa i përket taksave ne kemi publikuar online një kalkulator dhe është kaq precize ajo që ne themi për taksat dhe është kaq i detajuar plani ynë për taksimin e ndershëm sa edhe ju, por të shkoni online dhe të kërkoni kalkulatorin, fusni rrogën tuaj dhe aty do të merrni menjëherë shifrën sesa do të kurseni nga taksmi i ndershëm secili nga ju. Këto janë broçkulla! Broçkullave unë s’kam dëshirë t’ju përgjigjem, sepse nuk dua të hyjë në këtë shkëmbim të kotë energjish edhe fjalësh, pa asnjë lidhje me interesat e njerëzve.
Pyetje: Besoni në platformën Shqipëria dixhitale?
Pse mos vallë ju mendoni që Shqipërinë dixhitale e ka shpikur Saliu apo si?! Besoj që, absolutisht e qartë, që edhe në planin e Shqipërisë dixhtiale programi ynë është shumë më i qartë, shumë më i detajuar dhe shumë më funksional sesa 8 vitet që kishte në dispozicion Saliu për të bërë Shqipërinë dixhitale. Shikojeni vetë se ku është Shqipëria dixhitale. Është në pikën që drejtoria më e rëndësishme përsa i përket shpenzimit të parave të popullit shqiptar që është drejtoria e rrugëve, s’ka akoma një uebsite.
Pyetje: Zoti Rama, pas vizitave tuaja në Vjenë dhe në Stamboll, a vazhdon Partia Socialiste t’i qëndrojë deklaratave që do të anulojë lotarinë kombëtare dhe privatizimin e HEC-eve?
Njëqind për qind!
Pyetje: Zoti Rama a e shikoni problematike situatën me listat e zgjedhësve?
Unë e kam thënë dhe e përsëris prapë, po të doni se; sa të jetë Saliu aty, zgjedhje normale në Shqipëri nuk ka, por qëllimi ynë është që të fitojmë zgjedhjet edhe brenda këtij normaliteti. Kjo, sepse listat e zgjedhësve burojnë nga regjistrimi i përgjithshëm dhe këtu regjistrimi i përgjithshëm është kaos në të gjitha drejtimet, nuk ka asnjë lloj inventari. Ky është një shtet pa inventar. Është vend pa inventar se këtu shtet nuk ka. Është një çorodi nga të katër anët. Ne nuk mund të pretendojmë që të kemi zgjedhje normale, të standardeve ndërkombëtare me këtë lloj shteti. Kështu që, siç janë zgjedhjet ne do t’i fitojmë, pasi t’i fitojmë ato do t’i garantojmë shqiptarëve zgjedhje të standardeve ndërkombëtare, duke bërë regjistrim të plotë të popullsisë, duke u thënë njerëzve që ju nuk mund të banoni këtu e të keni emrin atje, siç janë qindra e mijëra njerëz, e me radhë gjëra që nuk kanë lidhje fare me fajet e njerëzve, por kanë lidhje me këtë pushtet. Shikojeni se çfarë ndodh me ndërtimet pa leje, e mori Shqipërinë me 250 mijë ndërtime pa leje dhe e ka çuar në 400 mijë. Iu premtoi legalizime dhe sot në letra janë 8%, por de fakto janë më pak se 5%, do duhen 165 vjet që të mbarojnë legalizimet. Nuk ka asnjë inventar! Shikoni në bujqësi, shikoni në blegtori, shikoni se çfarë ndodh me pronat, nuk ka sërish inventar dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe edhe me zgjedhjet.
Pyetje: Zoti Rama ndoshta vizita juaj në Uashington mund të jetë ndonjë spekulim, por gjithnjë e më shumë po flitet se ka një axhendë....
Unë nuk përgjigjem për spekulimet.
Pyetje: A keni ndonjë axhendë ndërkombëtare?
Unë besoj se kam patur axhendën më ndërkombëtare që ka pasur ndonjëherë ndonjë kryetar opozite në këto 22 vjet dhe nuk kam asgjë për të shtuar lidhur me këtë. Ne jemi në unison me miqtë dhe partnerët e Shqipërisë për domosdoshmërinë që vendi të shkojë përpara.
Pyetje: Zoti Rama, kur thoni se do të merrni 77 ose 80 deputetë, sa nga këto i merr Lëvizja Socialiste për Integrim? Ky është si një bast që e keni vendosur apo ka një kalkulim real, sepse i bie të paktën 15 deputetë më shumë?
Nuk i bëj unë llogaritë sa marrim ne, sa merr LSI dhe sa merr ndonjë parti tjetër, për mua ka vetëm një shifër, shifra që merr “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Ne kemi hyrë në këtë betejë së bashku dhe do ta qeverisim Shqipërinë së bashku, nuk kemi hyrë në këtë betejë me parcela dhe nuk do ta qeverisim Shqipërinë në bazë të parcelave siç ka ndodhur gjithë këto vite, por do ta qeverisim së bashku.
Pyetje: Zoti Rama, javën e shkuar në studion e koleges Ilva Tare, Dritan Prifti ka artikuluar një shqetësim i cili është përkthyer për hir të së vërtetës edhe në bazë tek socialistët. Zoti Prifti tha se nëse Ilir Meta do të jetë sërish kingmaker ekziston mundësia që ai votat ti bashkojë sërish me kryeministrin Berisha. A ju shqetëson rezultati i LSI-së nëse do të jetë në pozitat e kingmaker-it përsëri?
Refuzoj të bëj sforcon më minimale për t’i dhënë përgjigje çfarë do gjëje që mund të thotë personi në fjalë.
Pyetje: Zoti Rama, qarkullon në media lajmi se ajo foto që e keni bërë ju me zotin Obama ka patur një shifër prej 40 mijë dollarësh. A është e vërtetë që ju keni paguar këtë shifër për të dalë në foto me zotin Obama apo janë spekulime?
Besoj që edhe kjo nuk vlen të diskutohet, sepse flasim për personalitetin më të madh të botës dhe nuk mund ta cenojmë duke komentuar se çfarë thotë një X apo Y, germa të panjohura të shtypit. Kështu që s’ia vlen.
Pyetje: Ditët e fundit kryetari i Bashkisë së Tiranës vazhdon me inaugurimet elektorale.....
Dy vjet, dy vjet në Tiranë asgjë! Asgjë! Vetëm në kutinë e televizorit anonçime dhe përralla. Tani inaugurime, ndërkohë që të gjithë e dinë se janë vendosur tabela rrugësh në Tiranë prej kohësh dhe vetëm rrugë nuk po bëhen, këto të ashtuquajtura rrugë janë rrugica. Unë nuk di ku janë ato 1 miliardë që do hidheshin për të transformuar Tiranën. Unë nuk di ku janë ato projektet e mëdha dhe nuk di mbi të gjitha ku është çmimi i bukës, sepse premtoi se do të ulte çmimin e bukës. Sa e ka ulur çmimin e bukës? Pra, ka qenë njëri në Tiranë dikur që ju shiste sahatin e Tiranës atyre që vinin tek treni, shkon i kapte tek treni dhe i thoshte e do atë, të pëlqen, është i imi dhe shkonte jua shiste. Të shkretët nuk e njihnin Tiranën, jepnin lekët dhe blinin sahatin e Tiranës. Kështu është edhe ky kryetari i Bashkisë, njësoj si ata që e shisnin sahatin e Tiranës dhe ua shiste atyre që nuk e njihnin, ata që e njohin e njohin.
Pyetje: Zoti Rama, prokuroria e ka nisur një hetim për tenderin e dështuar të Albpetrolit. Duke qenë se tenderi është dhënë nga një ministri që drejtohej nga LSI, aleatja juaj kryesore, cili është qëndrimi i PS për këtë çështje?
Di të ju them vetëm kaq; Prokuroria e Republikës duhet t’i shërbejë Republikës. Duhet t’i shërbejë popullit shqiptar. Unë uroj dhe shpresoj që Prokuroria e Republikës të jetë e gatshme ta bëjë këtë. Ne do t’i japim mbështetjen maksimale Prokurorisë së Republikës, që të jetë gardianeje e Kushtetutës dhe ligjit, në mbrojtje të interesave të popullit shqiptar. Ne jemi shumë të vendosur që të ndërtojmë shtet në këtë vend. Jemi shumë të vendosur që t’i japim mbështetje maksimale organeve të drejtësisë, por jemi gjithashtu të vendosur ta shkatërrojmë korporatën fitimprurëse që në funksion të detyrës ligjore thjesht vënë para. Besoj që prokuroria ka një traditë pozitive të paktën në mospërfshirjen në këtë korporatë, por besoj gjithashtu se është koha që Prokuroria e Republikës t’i shërbejë Republikës.
Ju falënderoj për praninë tuaj për këtë bashkëbisedim. Ajo që dua t’u siguroj është se ne do të jemi transformuesit edhe të marrëdhënieve mes pushtetit legjislativ e ekzekutiv me shtypin dhe me publikun përmes shtypit. Do të vijë një epokë e transparencës së plotë dhe çdo dokument që do të prodhohet nga parlamenti apo nga qeveria do të jetë në dispozicion të publikut pa humbur kohë dhe pa pasur nevojë për heroizma apo për fuqia talentesh investigative që të fusin në dorë një dokument të shtetit.
E kam thënë edhe njëherë e po e përsëris, shyqyr që Erjon Braçe do të jetë në shumicën qeverisëse, në mazhorancë, e do të ketë detyra të tjera për të bërë se ndryshe do të ngelej pa punë po të ishte në kushtet kur do të duhej të kërkonte letra. Letrat do të jenë në dispozicion të publikut menjëherë. Çdo që do të prodhojë qeveria, çdo letër që do të prodhojnë institucionet, siç ndodh në të gjithë botën normale dhe jo siç ndodh këtu që vendime të rëndësishme nuk dalin as në Fletoren Zyrtare.
Faleminderit!
(Redaksia online)
(sg/shqiptarja.com)