Bashkia e Durrësit ka reaguar në lidhje me rastin e bërë publik në media, ku sipas kryefamiljarit Barruku në Manëz pas tërmetit ata nuk kishin marrë bonus qiraje dhe kanë ngelur pa shtëpi.

Një deklaratë e tillë u bë gjatë kohës që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte duke bërë një takim me banorët e prekur nga tërmeti.

Pas bisedës me Kadri Barrukun, Basha akuzoi qeverinë për mos përkujdesje ndaj banorëve të mbetur pa shtëpi pas rënies së tërmetit.

Ndërkohë Bashkia e Durrësit përmes një deklarate zyrtare, ka shoqëruar me dokumentet përkatëse vërtetimin se Kadri Barruku ka marrë bonusin e qerasë një muaj pasi humbën banesën.

Përsa i përket shtëpisë, e cila është shpallur e pabanueshme, z. Barruku është një nga përfituesit e programit të rindërtimit të banesave, i cili do të përfitojë një shtëpi të re. Bashkia ka hedhur poshtë akuzat e Lulzim Bashës për trajtimin e banorëve të mbetur pa shtëpi pas tërmetit të 26 nëntorit.

Reagimi i plotë:

Në vijim të një rasti të bërë prezent sot në media, për familjen Barruku në Manëz si një nga familjet e prekura nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019 në Bashkinë Durrës, sqarojmë se Z. Kadri Riza Barruku, duke filluar nga data 27.12.2019, pra vetëm një muaj pasi humbën banesën e tyre, janë trajtuar me bonus qiraje në masën 30 mijë lekë në muaj, në zbatim të Vendimit të Këshillit Bashkiak nr.649 dt.27.12.2019. Në listën shoqëruese të këtij vendimi, me përfituesit e bonusit të qerasë është edhe emri i z.Kadri Barruku.

-Deri me sot z.Barruku ka përfituar 7 këste të bonusit të qerasë, me i fundit ka kaluar në llogarinë e tij bankare në datën 6 gusht 2020.

-Përsa i përket shtëpisë, e cila është shpallur e pabanueshme, z. Barruku është një nga përfituesit e programit të rindërtimit të banesave. Aplikimi i tij në platformën “Shtëpia Ime” është aprovuar me Vendim të Këshillit Bashkiak Nr. 77 dt.10.08.2020, ku në listën e përfituesve bashkëngjitur Vendimit, figuron edhe emri Kadri Riza Barruku, i cili do të përfitojë një shtëpi të re, shumë më të mirë e të sigurt se ajo që humbi për shkak të tërmetit dhe mbi të gjitha, falas.

Aktualisht Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është në proces hartimi të planit të detyruar pikësor për rindërtimin e banesave individuale në zonën e Manzës, me përfundimin e të cilit, do të fillojë menjëherë puna për rindërtimin.

Bashkia e Durrësit siguron qytetaret e saj se puna për procesin e rindërtimit vijon çdo ditë me ritme të shpejta, për të mos lënë askënd mbrapa dhe për të bërë të mundur që qyteti t’i kthehet sa më shpejt normalitetit, me shtëpitë individuale, pallatet, shkollat, kopshtet dhe infrastrukturë të rindërtuar shumë më mirë se më parë.

I gjithë procesi i rindërtimit dhe vendimet e marra nga këshilli bashkiak në kuadër të tij janë tejet transparente dhe te aksesueshme nga publiku, mediat dhe të gjithë të interesuarit për t’u informuar mbi ecurinë e zbatimit të programeve të rindërtimit.

Stafi i Bashkisë së Durrësit dhe të gjithë drejtuesit dhe punonjësit e njësive administrative mbeten në dispozicion të plotë të qytetarëve për cdo sqarim, asistencë dhe orientim në lidhje me të gjithë programet e procesit të Rindërtimit.

Në mbyllje, për rastin e sipërpërmendur te familjes Barruku, bashkëngjitur gjeni vendimet përkatëse të Këshillit Bashkiak dhe listat e përfituesve. Për çdo informacion më shumë mbi dosjen dhe dokumentet shoqëruese, Bashkia Durrës mbetet e hapur për të garantuar akses dhe transparencë të plotë ndaj çdo pale të interesuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:27
Bashkia e Durrësit nxjerr blof për herë të dytë Bashën: Vendimi është marrë me 29 korrik, sot u miratua në Këshill

Bashkia e Durrësit ka reaguar për herë të dytë për akuzat e Partisë Demokratike, e cila tha se u vu në lëvizje vetëm pas takimit të Lulzim Bashës me banorët në Manzë.

Kreu i PD-së në Durrës, Ferdinand Xhaferaj deklaroi se vendimi i bashkisë për bonusin dhe rindërtimin e familjes Barruku u bë brenda ditës së sotme.

Ndërkohë në dokumentet e publikuara nga Bashkia e Durrësit, vendimi është marrë që me 29 korrik të vitit 2020, por është miratuar ditën e sotme.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak ka qenë lajmëruar 30 minuta më përpara se të dilte Basha online me qytetarët e Durrësit.

Ora 20:58
PD reagon për dokumentin e Bashkisë Durrës: Këshilli u mblodh vetëm pas denoncimit të Bashës

Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës zyrtare të Bashkisë së Durrësit, e cila përgënjeshtroi Lulzim Bashën në lidhje me kryefamiljarin Kadri Barruku, i cili pretendonte se nuk kishte marrë bonus qeraje dhe kishte ngelur pa shtëpi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i PD-së në Durrës, Ferdinand Xhaferaj shkruan se Këshilli Bashkiak i Durrësit është mbledhur me urgjencë vetëm pas denoncimit të Bashës. Në dokumentin e postuar nga Bashkia e Durrësit shkruhet se vendimi për rindërtimin e shtëpisë së qytetarit Barruku është dhënë ditën e sotme, me datë 10.08.2020.

"Sot, pas denoncimeve të Kryetarit të PD z. Lulzim Basha dhe qytetarëve të pastrehë që prej 26 Nëntorit të Manzës, u mblodh me urgjencë Këshilli Bashkiak i Durrësit për të miratuar grantet për rindertim. Kjo mbledhje dhe vendimi shoqërues vijnë pas plot 9 muajsh pritje të qytetarëve të cilët vazhdojnë të jenë të strehuar në çadra. Tërmeti ishte një fatkeqësi, por fakti se me qindra qytetarë vazhdojnë të ndjejnë pasojat është një zgjedhje e qeverisë Rama. Bashkia e Gjushit ka zgjedhur të mos punojë për qytetarët, por për oligarkët dhe ka zgjedhur të bëjë korrupsion e jo rindërtim. Sot u duk qartë se qytetarët e shohin zgjidhjen vetëm tek Partia Demokratike, Kryetari i së cilës bëri të pamundurën… Këshilli Bashkiak u mblodh për të marrë një vendim që për herë të parë nuk dëmton edhe më shumë qytetarët e rrënuar", shkruan Xhaferaj.