Bashkia e Tiranës prezanton planin e
veprimeve për energjinë e qëndrueshme

Bashkia e Tiranës prezanton planin e<br />veprimeve për energjinë e qëndrueshme
TIRANE- Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot projektin për eficencën e energjisë në përputhje me përcaktimet e marrëveshjes së kryetarëve evropianë. Gjatë lancimit të dokumentit të projektit “Plani i veprimeve për energjinë e qëndrueshme të Tiranës”, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Nevila Xhindi, tha se ky plan përpara se të dërgohet për depozitim pranë Konventës së Kryetarëve duhet të aprovohet nga Këshilli Bashkiak.
 
“Ky plan veprimi që shkurt ne e quajmë PVEQ është dokumenti kryesor i cili në bazë të të dhënave të mbledhura për situatën aktuale identifikon dhe jep udhëzime të sakta dhe të qarta për zbatimin e projekteve dhe masave për efiçencën e energjisë. Plani i Veprimeve për Energjinë e Qëndrueshme (PVEQ/SEAP) përpara se të dërgohet për depozitim pranë Konventës së Kryetarëve duhet të aprovohet nga Këshilli Bashkiak. PVEQ/SEAP është përkrahur edhe nga shoqëria civile mjedisore e Tiranës nëpërmjet letrës së pozicionimit që doli nga Kuvendimi Mjedisor që shoqatat mbajtën këtë muaj”, tha Xhindi.

Fjala e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, znj. Nevila Xhindi në tryezën e rrumbullakët:
 

“Të nderuar kolegë, përfaqësues të bashkive, ekspertë të mjedisit, përfaqësues të shoqërisë civile!
 
Është një kënaqësi dhe privilegj për mua sot, që në këtë takim, si përfaqësuese e Bashkisë së Tiranës, më lejoni në radhë të parë t’ju falënderoj për pranimin e ftesës dhe pjesëmarrjen tuaj sot.
 
Siç të gjithë ne e dimë dhe e kemi përjetuar, qyteti i Tiranës ka pësuar një rritje dhe një urbanizim të shpejtë në dy dekadat e fundit. Në dy vitet e fundit, Bashkia e Tiranës ka mbajtur një qëndrim pro-aktiv, duke mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit. Në 29 maj 2013 u nënshkrua moduli aderues i marrëveshjes së Konventës së Kryetarëve. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, kryetarët e bashkive angazhohen për zhvillimin e planeve të veprimeve për energjinë e qëndrueshme i cili duhet të dorëzohet në Komisionin Europian brenda një periudhe një vjeçare. Kjo është arsyeja që na ka mbledhur ne sot të gjithëve këtu.
 
Qyteti i Tiranës, si kryeqytet i Republikës së Shqipërisë është i vetmi nënshkrues për Shqipërinë i Konventës së Kryetarëve. Ka për obligim dhe përgjegjësi për të siguruar mbështetje maksimale dhe për të ndërmarrë masat e duhura, për të realizuar kursimin e energjisë, të zbatojë masat për efikasitetin energjitik, të inkurajojë përdorimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe lëndëve djegëse ekologjikisht miqësore si dhe për të ofruar mbështetje profesionale dhe ndihmë për të gjitha shoqatat lokale dhe rajonale që tregojnë interes në këtë fushë.
 
Në kuadër të zhvillimit të projekteve strategjike të Bashkisë së Tiranës, konkretisht për projektin e efiçencës së energjisë dhe në përputhje me përcaktimet e marrëveshjes së kryetarëve europianë (Covenant of Mayors), Bashkia e Tiranës në bashkëpunim Fondin Rajonal të GIZ për efiçencën e energjisë dhe mbështetjen e Qendrës Ndërkombëtare për Migracionin dhe Zhvillimin ka rishikuar dhe përfunduar përgatitjen e dokumentit: “Plani i veprimeve për energjinë e qëndrueshme të Tiranës”. Është pikërisht ky plan që ne lançojmë zyrtarisht sot dhe ekspertët do të flasin për hartimin dhe hapat e tij të mëtejshëm.
 
Ky plan veprimi që shkurt ne e quajmë PVEQ është dokumenti kryesor i cili në bazë të të dhënave të mbledhura për situatën aktuale identifikon dhe jep udhëzime të sakta dhe të qarta për zbatimin e projekteve dhe masave për efiçencën e energjisë.
 
Plani i Veprimeve për Energjinë e Qëndrueshme (PVEQ/SEAP) përpara se të dërgohet për depozitim pranë Konventës së Kryetarëve duhet të aprovohet nga Këshilli Bashkiak. PVEQ/SEAP është përkrahur edhe nga shoqëria civile mjedisore e Tiranës nëpërmjet letrës së pozicionimit që doli nga Kuvendimi Mjedisor që shoqatat mbajtën këtë muaj.
 
Synimet kyç për zhvillimin e planit të veprimeve janë:
 
* Reduktimi i emetimeve të CO2 në sektorët e ndërtimit, transportit dhe ndriçimit publik përmes zbatimit të masave për efiçencën e energjisë, nëpërmjet burimeve të rinovueshme të energjisë, menaxhimit të konsumit, edukimit etj;
 
* Kontributi maksimal në sigurimin dhe diversitetin e furnizimit me energji të qytetit;
 
* Reduktimi i konsumit të energjisë në sektorët e ndërtimit, transportit dhe ndriçimit publik;
 
* Rritja e ndarjes së energjisë së marrë nga burimet e rinovueshme;
 
* Mundësimi i transformimit të zonave urbane në zona ekologjikisht të qëndrueshme.
 
Detyrimet nga Plani i Veprimeve janë të zbatueshme për të gjithë zonën e qytetit, duke përfshirë sektorët publikë dhe privatë. Ky plan përcakton një sërë masash dhe aktivitetesh në sektorët e ndërtimit, transportit dhe ndriçimit publik, duke përjashtuar sektorin e industrisë. Plani i Veprimeve mbulon periudhën deri në vitin 2020 dhe në të gjitha segmentet e tij është në linjë me kuadrin ligjor dhe institucional të BE-së, nivelet lokale dhe kombëtare, si dhe në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi, ligjit nr. 138/2013 "Mbi burimet e ripërtëritshme të energjisë".
 
Rezultati përfundimtar i këtij procesi është reduktimi i emetimeve të CO2, që e tejkalojnë kufirin e përcaktuar nga BE-ja. Planifikimi për energjinë e qëndrueshme çon gjithashtu drejt përfitimeve të ndryshme anësore, duke përfshirë cilësinë e përmirësuar të jetës, garantimin më të mirë të shërbimeve publike, sigurinë më të madhe për energjinë, zhvillimin e ekonomisë lokale dhe krijimin e vendeve të punës.
 
Bashkia e Tiranës do të ndërmarrë masat e nevojshme dhe kërkesat ligjore për sa më shumë të jetë e mundur dhe e lejuar për autoritetin e pushtetit vendor në Shqipëri. Një rezultat pozitiv i SEAP-s dhe monitorimi i masave në lidhje me konsumin e energjisë është shumë në varësi të politikave të vendosura në nivelin e pushtetit qendror. Një ligj mbi "Efikasitetin e Energjisë" është në procesin e zhvillimit në nivel të qeverisë qendrore (Ministria e Energjisë dhe Industrisë), por nuk është finalizuar dhe as e vënë në fuqi ende, prandaj Bashkia e Tiranës ka një kornizë të kufizuar ligjore për të vepruar dhe do të duhet të përshtasë strategjitë apo masat e politikave kombëtare dhe kërkesat ligjore sapo të bëhen zyrtare.
 
Në këtë drejtim, Bashkia e Tiranës ka filluar identifikimin e burimeve për zbatimin e PVEQ-së. Si pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm, Bashkia jonë ka filluar zbatimin e një
 
sërë projektesh strategjike të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit.
 
Më lejoni t'ju prezantoj me projektet kryesore strategjike të Bashkisë së Tiranës të cilët kanë përfshirë indikatorët e planit të efiçencës së energjisë:
 
1. Bulevardi Verior i Tiranës dhe projekti i Lumit
 
2. Projekti i Terminalit për transportin publik
 
3. Projekti i sistemit hekurudhor, trami
 
4. Menaxhimi Integruar i mbetjeve urbane
 
5. Projekti i ndriçimit, Tiranë
 
6. Rikualifikimi urban
 
Nëpërmjet zbatimit të këtyre projekteve ne kemi për qëllim për të arritur këto rezultate, si pikat kyçe për zbatimin e PVEQ-së:
 
* Përmirësimi i cilësisë së jetës
 
* Përmirësimi i cilësisë së ndërtimit në drejtim të kursimit të energjisë
 
* Reduktimi i konsumit të energjisë dhe shpenzimet e mirëmbajtjes
 
* Përmirësimi i energjisë dhe operimi i efikasitetit (reduktimi i kostos së energjisë)
 
* Reduktimi i zhurmës dhe emetimeve të CO2
 
* Përmirësimi i cilësisë së ajrit në qytetin e Tiranës
 
Qëllimi kryesor për reduktimin e niveleve të CO2 me më shumë se 21% (në krahasim me vitin e referencës 2011 për Tiranën) deri në vitin 2020, është i mundur vetëm nëpërmjet përfshirjes aktive dhe bashkëpunimin të punonjësve të qytetit dhe të shtetit, grupeve të shumta të interesit, subjekteve ekonomike, institucioneve arsimore dhe shkencore, organizatave joqeveritare dhe qytetarëve ekologjikisht të ndërgjegjshëm evropiane, që duan të kenë një qytet të pastër.
 
Si përfundim, Bashkia e Tiranës është e vendosur të zbatojë masat e planifikuara të PVEQ-së dhe do të bëjë përpjekjet maksimale, për të përmirësuar klimën për zhvillimin e një qyteti të qëndrueshëm të energjisë.
 
Hapat e mëtejshëm:
 
* Të zhvillojë Inventarin e emetimeve bazë (IEB – më pas inventari) si bazë për zhvillimin e Planit të Veprimeve për Energjinë e Qëndrueshme-PVEQ (më pas PVEQ);
 
* Të kontrollojë dhe monitorojë zbatimin e PVEQ-në;
 
* Të dorëzojë raportin për realizimin e planit të veprimeve tek Komisioni Evropian çdo dy vjet;
 
* Të harmonizojë strukturat e administratës së pushtetit lokal me synimin e sigurimit të potencialit të nevojshëm për zbatimin e planit të veprimeve;
 
* Të informojë rregullisht mediat lokale për rezultatet e zbatimit të planit të veprimeve;
 
* Të informojë qytetarët për mundësitë dhe avantazhet e përdorimit me efiçencë të energjisë;
 
* Të organizojë Ditët e Energjisë ose aktiviteteve të Ditëve të Marrëveshjes së Qyteteve, në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe palët e interesuara;
 
* Të marrë pjesë dhe kontribuojë në Konferencën vjetore të Kryetarëve të Bashkive të BE-së për Qëndrueshmërinë e Energjisë në Evropë;
 
* Të shkëmbejë përvojën dhe njohurinë me qytetet dhe bashkitë e tjera.
* Organizimi në muajin mars të javës/ditëve të energjisë së gjelbërt (Green Energy) 
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Rama: Ditën kur Albin Kurti shpalli fushatën kundër qeverisë time hëngrëm spageti bashkë

Rama: Ditën kur Albin Kurti shpalli fushatën kundër qeverisë time hëngrëm spageti bashkë