Në ndeshjen e kthimit për fazën e 1/8-ave të Champions League kundër Atalantës, e cila do luhet të mërkurën në Gjermani, Bayern Munich pritet të ketë në portë një 16-vjeçar nga të rinjtë, pasi katër nga 'gardianët' janë të dëmtuar.

Në Mynich, ditët e fundit është dhënë alarmi për portierë. Katër lojtarë janë të lënduar, Neuer dhe Ulreich (i pari dhe i treti në renditjen e portierëve) do të jenë jashtë për ndeshjen e dytë kundër Atalantës, ndërsa Urbig (portieri i zgjedhjes së dytë) është në dyshime serioze.

Trajneri Kompany nuk mund të thërrasë as portierin e ekipit të dytë sepse 18-vjeçari Leon Klanac, teorikisht lojtari i zgjedhjes së katërt, ka një dëmtim muskulor. Pra, opsioni më i mundshëm është Leonard Prescott, një 16-vjeçar i cili zakonisht mbron portën për ekipet e të rinjve të bavarezëve (ai e ka bërë këtë që kur ishte 15 vjeç). Kundër Atalantës, me ndeshjen e fituar 1-6 në aktin e parë, ai mund të jetë personi i vetëm për t'u hedhur në fushë. Dhe do të ishte një mundësi unike, si dhe debutimi i tij profesional.

I lindur në New York dhe i rritur në Berlin, Leonard Prescott u transferua nga Union Berlini te Bayerni në vitin 2023. Ai luan rregullisht me ekipin kombëtar gjerman U17, por mund të thirret edhe në ekipin kombëtar amerikan, pasi ka shtetësi të dyfishtë. Në Mynich, Prescott, i cili është stërvitur me ekipin e parë që nga maji i kaluar, vlerësohet kryesisht për aftësitë e tij fizike.

Trajnerët e portierëve Michael Rechner dhe Andreas Rössl janë të përqendruar fort tek ai. Me gjatësi 196 centimetra, ai ka reflekse të shkëlqyera dhe është gjithashtu i mirë me topin. Ai jeton në konviktin e klubit, pasi dëshiron të përqendrohet ekskluzivisht në futboll.

I lidhur me Bayernin nga një kontratë që skadon në vitin 2027, prindërit e Prescott kontaktohen rregullisht nga klube anembanë Evropës. Për këtë arsye, në shkurt, i riu i kërkoi klubit të gjente një zgjidhje për t'i lejuar atij të luante në një nivel më të lartë. Këtë verë, ai mund të promovohet në ekipin e dytë të Bayernit ose të dalë në huazim.

Sezonin e kaluar, ai qëndroi jashtë fushave për gjashtë muaj me një problem me meniskun, por këtë vit ai ka 'shpërthyer' vërtet me paraqitje të mira. Peter Gaydarov, trajneri i ekipit të të rinjve të Bayernit, thotë për të se "teknikisht ai është aq i mirë sa mund të luajë edhe në mesfushë". Për momentin, ai është i kënaqur me portierin. Dhe në moshën 16 vjeç, ai mund të debutojë në Champions League, me Bayernin dhe në një ndeshje të raundit të 1/8-ave.