Mjeshtëritë e shumta të duarartëve shqiptarë nuk duhet të humbasin. Eshtë e vërtetë që tranzicioni I gjatë shqiptar na çorientoi dhe shumica prej nesh kanë marrë rrugët e mërgimit, por Shqipëria po përmirësohet përditë dhe sot më shumë se kurrë nevojitet të vihen në piedestal vlerat më të mira të artizanatit, që sot ruhen nga të moshuarit tanë të mrekullueshëm.
Nisur nga tradita dhe në vende të tjera tashmë të Rajonit, Bashkimi Europian, Italia, Mali i Zi po kontribuojnë që në disa qendra të rëndësishme të Shqipërisë të krijohen Eco Muzeumet. Çfarë do të shpaloset aty? Ushqimet e vlefshme pasuri të dietës Mesdhetare, receta, bimë, por edhe qëndisma, zanate të prodhimeve të veshjeve popullore etj.
Ambasadori Soreca, i përkushtuar në misionin e tij, ka besim se në traditën tonë më të mirë Shqipëria do të ringrihet e në të ardhmen të bëhet një anëtare dinjitoze e BE-së.
Kështu gjatë javëve të Europës, bashkëpunimi ndërkufitar i financuar nga BE bën bashkë Italinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë në Himarë falë komuniteteve të tyre bregdetare. Përmes konceptit të Eko-Muzeut qëllimi është të shfaqen pasuritë natyrore, kulturore dhe shpirtërore të zonës duke përdorur teknologji të reja për t’i dhënë vlerë në mënyrë të zgjuar trashëgimisë.