Tenisti italian Jannik Sinner ka tërhequr vëmendjen me një deklaratë të pazakontë gjatë turneut prestigjioz ATP Monte Carlo Masters. Gjatë një interviste për 'Eurosport France', Sinner u pyet nëse do të ishte i gatshëm të shkëmbente një nga titujt e tij për kualifikimin e Italisë në Kupën e Botës. Përgjigjja e tij ishte e drejtpërdrejtë dhe plot emocion.
“Është padyshim një periudhë e vështirë. Do të doja shumë që një shkëmbim i tillë të ndodhte”, u shpreh ai, duke nënvizuar lidhjen e fortë me ekipin kombëtar të futbollit.
Sinner theksoi se shumë tifozë të rinj nuk e kanë përjetuar kurrë Italinë në një Botëror, duke përfshirë edhe veten e tij, i cili ishte ende shumë i ri herën e fundit që Italia arriti të kualifikohej (2014).
“Është koha të ndryshojmë disa gjëra dhe të përpiqemi të rikthehemi aty ku meritojmë të jemi”, shtoi italiani, duke pranuar megjithatë se tashmë nuk ka më mundësi për të ndryshuar situatën aktuale.
“Azzurrët” u eliminuan nga Bosnje Hercegovina në fazën “play-off”, duke humbur mundësinë për të marrë pjesë në Kupën e Botës për herë të tretë radhazi.
Italia mungon në një Botëror që prej vitit 2014, një fakt që shton presionin mbi strukturat dhe filozofinë e futbollit në vend, teksa kreu i Federatës, Gravina, shefi i delegacionit Buffon dhe trajneri Gattuso dhanë dorëheqjen pas dështimit.
Komente




