Behar Gjoka: Të ndalet rrënimi i kalave të Skënderbeut, Stelushit e Petralbës në Mat, mbijetuan 500 vjet, zhduken gurët e bedenave!

Kalaja mesjetare e Stelushit në Mat, që ka në themelet e saj një fortesë ilire, është një nga monumentet më të rëndësishme që lidhet me epopenë e lavdishme të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Edhe pse është shpallur monument kulture, rreth 56 vjet më parë, ky simbol i qëndresës së arbërit në shekullin e 15-të, po humbet çdo gur të historisë.

Për studiuesin Behar Gjoka, në një intervistë ekskluzivisht për Report tv, historia e kësaj kalaje përbëhet nga dy kapituj; Kalaja e Stelushit dhe qyteti i Varroshit, që shpesh në dokumente  numërohet si një ndër qytetet e Skënderbeut.

Një tjetër kala e Skënderbeut në rrethin e Matit, Petralba po humbet çdo gur.

Askush nuk kujdeset më për të. 

Edhe pse janë shpallur monumente kulture, këto trashëgimi, vetë Instituti i Monumenteve, ministria e kulturës, dhe institucionet e tjera i kanë lënë për dekada me radhë pas dore.

Behar Gjoka, ndërsa ka bërë thirrje për degradimin e monumenteve, organizoi disa ekspedita për të parë nga afër gjendjen alarmante të kalave të Skënderbeut në Mat.

Mes hapësirës kohore të dy ekspeditave, asaj të viteve 1986-1987 dhe 2019-s, u vu re se Kalasë së Stelushit i janë zhdukur bedenat dhe muri rrethues, ndërsa Petralbës, vetë rezidencës së Skënderbeut, shqip Gurit të Bardhë, nuk i ka mbetur asnjë gjurmë nga fama e përshkruar në kronikat e mesjetës.

Intervista
Zoti Gjoka, sapo keni kryer një inspektim në kalanë e Stelushit dhe të Petralbës, në Mat, të cilat mund të cilësohen fare mirë si dy kalatë mbrojtëse të Skënderbeut, që janë monumente, por që janë lënë në harresë. Kur ka filluar lënia pas dore e këtyre monumenteve?
-Skënder Anamali në 500-vjetorin e Skënderbeut është marrë me gërmime, me evidentimin e vlerave që ka Stelushi dhe Varoshi. Dikush tjetër është marrë me Petralbën. Që prej atij momenti, me përjashtim të konstatimit, me përjashtim të shpalljes monument kulture, nuk është vënë dorë. Natyrisht që për t’u kujtuar për vlerat nuk është vonë asnjëherë, por ka një lloj problemi se shkatërruesit e natyrës dhe shkatërruesit e kërkuesit e thesareve, çfarë nuk bëjnë me këto shenja. Ne ndodhemi në një moment, kur gurët ende flasin. Ndoshta pas pak kohësh as gurët nuk do të flasin se nuk dihet se ku janë. Ndërkohë që emërtimet, përcaktimet, ajo që mbartin mbi supe këta emra, Petralba dhe Stelushi, si dy pikat strategjike të ndërtimit të betejave, të strategjisë, të taktikës, të ndërlidhjes me të gjitha hapësirat janë evidente në të gjitha burimet që flasin për atë epokë, të Skënderbeut, të gjitha evidentimet studimore të historianëve, të njerëzve që janë marrë me këtë periudhë. Megjithatë, unë do të thosha që nuk është thjesht çështje alarmi, është çështje e një vetëdijeje, sepse mbaj mend që më 1983, kur e kam vizituar për herë të parë rastësisht Stelushin, ka pasur 20 cm mur rrethues në krye të kalasë, ndërsa tani nuk ka fare.

Ndërkohë që ka një Institut të Monumenteve të Kulturës, që ka institucione, të cilat i kanë të regjistruara në listën e trashëgimisë këto monumente, përse ju merreni veçanërisht me kujdesin dhe mbrojtjen e tyre, duke investuar personalisht për ekspeditat atje dhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve përkatëse për mbrojtjen e këtyre monumenteve?
-Në fakt janë dy dëshmi kokëforta që kanë të bëjnë pikërisht me mënyrën e organizimit të qëndresës në epokën e Skënderbeut, të asaj administrate që, tek e fundit, kishte të bënte jo thjesht me taktikën e betejave, por edhe me funksionimin si shtet. Dhe qyteti i Varoshit, ku është një hapësirë e cila vetëm sa kishte filluar të gërmohej, aty ka ende trakte muresh dhe rrënoja, unë mbaj mend që ka pasur murana të tëra me gurë, ka pasur shumë më tepër shenja që dukeshin, por nëse do të merrej një akt krejtësisht administrativ tashmë, një vëmendje ndaj këtij mjedisi, do të thosha që aty është një shans për të krijuar një park kombëtar arkeologjik. Pse them kështu? Sepse vetë kalaja në krye, ka dy dhoma të cilat mund të restaurohen sepse pa u ngjitur në kala është një pus, i cili ka murin të evidentuar sepse ajo pikë është pikë strategjike për komunikim, maja e kalasë e cila shkon deri në 4.000 m2, maja fare dhe e vendosur në një lartësi prej 1.200 m mbi nivelin e detit, dhe pastaj për të vijuar me vetë Varoshin, qytetin, lagjen jashtë kalaje, për të shkuar në një pjesë tjetër që është Qafa e Pazarit.

Jo shumë larg kalasë së Stelushit dhe Petralbës gjendet një monument, që më shumë përmendet në legjendat popullore. Është një varr që quhet “Varri i mirë” dhe ka edhe një mister sepse quhet edhe “Varri i turkut”. Një kontradiktë, aty ku ka luftuar Skënderbeu gjendet edhe “Varri i mirë”, edhe “Varri i turkut”, pra një varr me dy emra përmbledhës, një varr ku ende ndizen qirinj, njerëzit ende besojnë në shenjtërinë e tij dhe me një pamje që duhet se është tepër i vjetër. A është i futur në listën e monumenteve të kulturës ky varr?
-Nuk është marrë në mbrojtje. Vetë vendndodhja dhe sidomos përmasat e tij bëjnë shumë përshtypje. Është i futur në mes të pyllit, përmasat e tij janë 8,5 m x 2,5 m, një varr që të kujton tumat ilire të hershme. Dihet por nuk është zbërthyer se çfarë përmban, cila është enigma e këtij mjedisi, i cili në vetëdijen e popullit ka shërbyer si “vend i mirë”, ku njerëzit shkonin, ku mendohej se shëroheshin etj., etj., dhe realisht jemi midis legjendës dhe një realiteti. Legjenda thotë shumëçka. Legjenda thotë se ka një ushtar turk, thotë se ka figura të tjera, ndoshta Gjoni, ndoshta Vojsava, ndoshta dikush tjetër, por të gjitha këto janë legjenda. Realiteti është ky: kemi të bëjmë me një varr monumental, siç e përcaktonte Skënder Anamali. E para duhet marrë në mbrojtje si ekzistencë e një vlere që nuk ia dimë përgjigjen dhe pastaj duhet gërmuar për të parë se kujt i përkasin. Ka disa mbetje aty, apo ka mbetjen e një figure madhështore apo ka shumëçka tjetër. Është një enigmë që nëse zgjat në kohë, ndoshta kërkuesit e thesarit do të mbarojnë punë dhe neve do të na mbetet pastaj të numërojmë ato pjesët e gurit që kanë mbetur.

Unë jam përpjekur që të mos flas, kam kërkuar që institucionet shtetërore, Ministria e Kulturës dhe sidomos Instituti i Monumenteve të ngacmohet sadopak, edhe Instituti i Arkeologjisë, për të kryer aktin e marrjes në mbrojtje, që do të thotë, të dokumentohet si ekzistencë se ku është, si vendndodhje, dhe pastaj kryhen ato aktet e tjera. Çdo vonesë nuk e di se çfarë na sjell. Varri është rreth 1.000 m larg kështjellës së Stelushit dhe qytezës së Varoshit dhe mendoj që jo rastësisht jemi në këtë situatë, ku shumëçka rrotull ka shenjë, qoftë në toponime, qoftë në burime historike, qoftë në qasje studimore dhe sidomos në ato gërmime dhe evidentime shkencore të Skënder Anamalit, që atë mjedis, atë kala e quan kala iliro-arbnore, d.m.th. në kohën e Gjon Kastriotit ajo rindërtohet dhe rivitalizohet për të qenë pjesë e heroizmave dhe e betejave të mëvonshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Kemi edhe Shtëpinë e Budit, monument për të cilin ju keni dhënë një kontribut të vazhdueshëm, publikuar si një nga monumentet që duhet parë dhe duhet marrë në mbrojtje. Mund të na flisni për këto monumente të tjera?
-Guri i Bardhë, Petralba, thuhet vendlindja e Pjetër Budit sepse është shtëpia, është një shenjë tjetër që na çon shumë më tutje sepse aty është kalimi i Rrugës së Arbrit, është gjithashtu edhe kalaja e Petralbës. Ajo është në një gjendje më të mjerë se sa kështjella e Stelushit. Por Guri i Bardhë, përveç Shtëpisë së Budit, ka edhe disa shenja të tjera monument kulture. Janë disa ura të mrekullueshme, si ura e Vashës që ndodhet në lumin Mat. Janë disa mjedise të tjera, që në fakt në periudhën e Skënderbeut Guri i Bardhë ishte ndërlidhja mes Matit dhe Krujës sepse nga aty kishte një shans për të komunikuar Mat-Krujë-Tiranë e kështu me radhë. Natyrisht që me Gurin e Bardhë ka disa përkujdesje për sa u përket monumenteve. Është fjala për banesat tipike të atij mjedisi, që është ndërhyrë, ndërsa në shtëpinëe Budit është ndërhyrë pë herë të fundit në vitin 1986 dhe pastaj ka pasur një meremetim, një përpjekje që bëmë para disa kohësh, më 2016, është vendosur busti i Pjetër Budit përballë shtëpisë, përballë vatrës, do të thosha mjedisit, sepse shtëpia është rindërtuar më vonë. Pra janë viset, janë trojet ku lindi Budi dhe në këtë kuptim, unë kam vënë re që Guri i Bardhë është në agjendën e studiuesve të huaj. Herë pas here ata shkojnë deri tek ajo vatër, ku gjithmonë është ajo çudia që, një prift si Pjetër Budi, tashmë mjedisi aty është ndryshuar, është totalisht myslimane. Mirëpo gjithmonë aty ka një hapësirë, është kisha, janë rrënojat e kishës. Pra, ai transformim që ka ndodhur me të gjithë hapësirën, ndihet edhe aty, por unë mendoj që janë dy stacione, janë dy pozicione që kërkojnë vëmendje sepse janë pjesë e një vijimësie iliro-arbnore sepse përkrah Petralbës është një kishë ilire, Cibri. Është shumë pranë dhe ajo menjëherë të çon tek ajo situata e një zone ndërlidhëse, e një zone strategjike, e cila jo rastësisht u përdor nga Gjon Kastrioti dhe pastaj nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu për të arritur ato lloje betejash, teknikash e luftimesh, ku për 24 vite i qëndroi përballë një perandorie, siç ishin osmanët. Në këtë kuptim, unë do të thosha që shumë studime të prof. Korkutit, shumë pohime të prof. Cekës e të tjerëve, e vendosin Matin, e vendosin atë zonë, Petralbën, Stelushin, në sfondin e një bërthame të sendërtimit të kombësisë, të sendërtimit të botës arbërore, padyshim, të Krujës, të Mirditës, të Dibrës, të Tiranës. Pra, problemi është që nuk është qëllimi këtu të nxjerrim atë që ka të drejtë të krenohet. Jo. Jemi të gjithë pjesë e asaj epoke dhe ajo epokë i bëri nder emrit tonë, sepse ajo na identifikoi. Por problemi është që nëse lëmë të rrëgjohet, nëse lëmë që natyra dhe faktorë të tjerë të rrënojnë këtë kujtesë, nesër do të jetë vonë, në kuptimin që çdo ndërhyrje kur kanë humbur gjurmë është mjaft e vështirë.

Duke iu referuar edhe studiuesve, sa kohë ka qëndruar Skënderbeu në kala? Çfarë aktiviteti ka pasur? Dhe përveç këtyre, çfarë thuhet në gojëdhënat e popullit për qëndrimin e tij, për atë pjesë të jetës që ka kaluar në kalanë e Stelushit, për atë pjesë të luftërave që janë bërë aty?
-Së pari, emri, vepra epoka e Skënderbeut lidhet me Krujën sepse ishte kryeqendra, kryeqyteti, vendi ku Skënderbeu në fakt pati punuar nga viti 1437 deri më 1438 si subash. Është e çuditshme, është administrator i osmanëve, i dërguar në këtë kështjellë, në këtë qytet-kala. Përveç Krujës, është Petrela, është Petralba, Rodoni, Stelushi, Sfetigradi. Pra, bëhet fjalë për një sistem kështjellash-qytete. Pra, Stelushi ka qenë qendra administrative, e padukshme nga të tjerat, por që kryente funksionet organizative të të gjitha betejave që bëri Skënderbeu në Dibër, në Sfetigrad, në Mat, në Krujë e kështu me radhë. Ndërsa kalaja e Petralbës ka qenë si vend fushimi, si vend pushimi, ku zakonisht çonte familjen, por kishte edhe një tip pjese pusi, ku burgoseshin ata që kryenin akte tradhtie etj., etj. Në këtë kuptim, do të thosha që Stelushi dhe Petralba duhet të marrin atë zinxhirin e të gjitha kështjellave-qytete, që posedonte Skënderbeu, që mundësuan atë epokë, që bënë të mundur të funksiononte si ushtri, si shtet, të funksiononte si një forcë madhore përballë një perandorie dhe t’i qëndrosh disa rrethimeve, rrethimeve të sulltan Muratit, rrethimeve të sulltan Mehmetit, i cili kishte marrë Stambollin më 1453, pra kemi të bëjmë me një përballje që duket si legjendë. Në fakt, burimet dhe dokumentet, vetë këto kështjella dëshmojnë se ka qenë një qëndresë epike, një qëndresë që të tjerët çuditeshin si ishte e mundur që një vend i vogël, një vend që arriti për herë të parë të bashkohej, sepse është tentuar bashkimi edhe herë të tjera, por aty jemi në një bashkim me një qëllim shumë të madh, në emër të qytetërimit dhe në emër të lirisë. Dhe padyshim Stelushi dhe Petralba janë pjesë e këtij zinxhiri, e këtyre hallkave, që bënë të mundur komunikimin, strategjinë, taktikën, mbijetesën e Shtetit të Arbrit nën Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Kalaja e Petralbës si një rezidencë që ka qenë e njohur edhe nga të huajt, si ka funksionuar? A mund ta përfytyrojmë sadopak?
-Sot aty kanë mbetur vetëm disa rrënoja muresh dhe është e dhimbshme të shohësh se ku ka arritur. Aty, para se të ngjitesh në majë, ishte një kodrinë me ndërtime, ka pasur trakte muresh deri para disa kohësh. Tashmë shumëçka është fshirë. Se çfarë ka ndodhur, janë marrë gurët apo jo, është një histori tjetër më vete, por unë do të thosha që nuk është thjesht ajo pjesa e rrethimit, e majës së kalasë, që ishte natyrisht sipas konceptit të sotëm, një qytezë e vogël, por në kuptimin e mesjetës ishte qytet-kala. Dhe duke qenë e tillë, ishte pikë ndërlidhëse me Tërnovën, është një lloj kalaje tjetër që bie në pjesën e Dibrës dhe natyrisht me Sfetigradin është pak më larg dhe ishte kalaja e fshehtë që krijonte mundësi për të pasur pushime herë pas here, familja, por edhe vetë Skënderbeu. Natyrisht që Skënderbeu ishte i detyruar që të ishte në lëvizje gjatë gjithë kohës.

Renditëm kaq shumë monumente të lëna në harresë, madje monumente të regjistruara si monumente kulture në listën e trashëgimisë kulturore. Pse ju merreni posaçërisht me këto probleme dhe me ndërgjegjësimin e institucioneve që kanë lënë në harresë këto monumente, kur normalisht vetë institucionet duhet të kishin treguar vëmendje?
-Ka disa kohë, rreth një vit, që unë kam në dorë një libër për Skënderbeun, kryesisht për zotërimet e Kastriotëve dhe përkrenaren e Skënderbeut. Natyrisht përkrenarja, shpata dhe gjithçka që ka të bëjë me kujtesën materiale, duhen marrë në unisonin e tyre. Ajo nuk mund të funksionojë më vete, por duhet vendosur në marrëdhënie me memorien, me kujtesën materiale, me kalatë, me të gjitha shenjat që na vijnë nga ajo epokë. Natyrisht që libri nuk ka të bëjë me sensibilizimin, kurrsesi nuk është ky qëllimi, por duke dashur të integroj memorien materiale të dëshmuar me memorien materiale të harruar, konstatoj që rrënimi është i frikshëm për sa u përket shumë monumenteve, sidomos Petralbës dhe Stelushit. Është i frikshëm në kuptimin që, në studimin  Skënder Anamalit, Stelushi ka pasur 50 cm mur rrethues në krye të kalasë, në vitin 1983 ka qenë 20 cm dhe tani nuk ka fare. Kjo është një pasuri historike, pasuri arkeologjike, është një hapësirë e munguar nga syri i vizitorëve. Po të ishte e mundur të vizitohej, unë jam i sigurt që do skuqeshin përballë atij rrënimi në të cilin gjenden këto monumente.

Ju dikur keni punuar në Institutin e Monumenteve të Kulturës. A keni bërë përpjekje për të pasur bashkëpunime?
-Kam bërë përpjekje dhe shpresoj që të realizohen, por çuditërisht janë disa faktorë të tjerë që nuk kanë të bëjnë me Shqipërinë, që kanë shfaqur interes dhe kjo është çudia më e madhe. Të tjerët e dinë se kush jemi, qoftë në vlera, qoftë në mungesa. Të tjerët përpiqen të na kapin te vlerat, por ne nuk kemi kohë sepse ne rendim pas disa gjërave që janë të rastësishme. Jam duke biseduar me Institutin dhe me Ministrinë e Kulturës, që të merret në mbrojtje “Varri i turkut”, që të planifikohen projekte për të restauruar atë çfarë ka mbetur, për të gërmuar atë që ne nuk e dimë qoftë në Petralba, qoftë në Stelush, që të shkojmë te rrënja ku është shkruar “Formula e Pagëzimit” në kishën e Shën Trinisë sepse ka një kuriozitet: Mati ka rreth 70 rrënoja kishash dhe 13 rrënoja kalash, që kanë emrin “Kalaja e Skënderbeut”. Në këtë kuptim, edhe në hapësira të tjera, padyshim që është i shenjuar sepse nuk i përket zonave të caktuara. Unë do të thosha që emblema e përfaqësimit të Skënderbeut është Kruja, është kryeqendra e qëndresës, e vitalitetit, e shkëlqimit të Motit të Madh, që pati për zot Gjergj Kastriotin Skënderbeun.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • vjeshta: 10/12/2019 05:59

    O zot,ca bahet me kyt komb?! Po humbim c'do vlerë, njerëzore,kulturore,historike,patriotike etj,etj...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Agron Gjekmarkaj: Sami Repishti iku, la pas një monument

Agron Gjekmarkaj: Sami Repishti iku, la pas një monument