Ben Andoni: E ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë dhe tollovia meskine e Tiranës

Ben Andoni: E ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë dhe tollovia meskine e Tiranës

Foto ilustruese

Kanë mbetur dhe pak ditë nga 1 Shtatori i vitit 2022. Kosova është përballë një realiteti të vështirë nga situatat e krijuara në Komunat me shumicë serbe në Veri, sa i përket zbatimit të masave të reciprocitetit. Jo shumë larg, në Tiranë, opozita e re tashmë me Ilir Metën dhe Sali Berishën do e ndezin kryeqytetin, referuar fjalëve të tyre, kundër qeverisjes “armiqësore” të Edi Ramës. Në Beograd është njësoj më keq, kur ato pak mediume demokratike dhe opozitare i kërkojnë llogari për Kosovën presidentit Vuçiç dhe i kujtojnë se kur ishte ministër në kohën e Millosheviçit, bash asaj qeverisje që e mbolli Serbinë me varre, ai merrte shtëpi kurse kryeministri aktual i Kosovës ishte në burg në Pozharevac.

E trishtë është sesa herë ka nevojë Kosova për mbështetje dhe një lloj qetësie nga Shqipëria, pjesa ku duhet të mbështetet pa asnjë rezervë, tek ne ka sherre, ka ofendime dhe garë baltosje…ku Serbia përmendet nga të gjithë palët për konsum. Nëse këtë e bëjnë më mirë serbët e medias dhe shoqërisë civile, ne i japim karburant duke e bërë Vuçiç, Daçiç, Vulin dhe jo pak personazheve të tjera, sikur të kenë vlera. Për fatin e mirë tonin dhe të keqin e atyre, nën qeverisjet e tyre Kosova është shpallur e pavarur dhe madje i është njohur pavarësia pas mëtimit serb edhe nga vetë Gjykata Ndërkombëtare.

Me çfarë duket, pas 1 shtatorit do të jemi në një stad të ri.  Fillimisht, me përshfaqjen e fytyrës së KFOR-it, autoritetit të shtetit të Kosovës dhe realitetit të serbëve. Takimi i shefit të NATO-s, Stoltenberg me Kurtin dhe Vuçiç u ka përsëritur vijat e kuqe dhe vijën e demarkacionit që është Marrëveshja e Kumanovës. Emisari evropian Lajçak dhe ai amerikan Gabriel Escobar janë munduar ta prekin në terren problemin deri në Mitrovicën e Veriut, por vetë ata mbeten të paqartë nga përpjekjet për çështjet teknike që ngre pala shqiptare dhe mbivendosja politike që shton pala serbe. Për fat të keq, ende Republikës së Kosovës i kërkohet Asosacioni (hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese), ndërkohë që Serbia në dokumentet e saj e përcakton si “Krahine Autonome”. Të kantonizosh një ‘krahinë’ është pak absurde, pasi e drejta ndërkombëtare duhet të ketë zgjedhje për këtë, pa përfshirë vështirësi shtesë. Problem i sotëm që vjen prej 1 Shtatorit është sesa afër Marrëveshjes finale jemi mes dy vendeve; sa serbët që i bëjnë bllokadë dhe paguhen nga qeveria e Kosovës do rezistojnë; si do të përballen autoritetet policore të Kosovës; A do ketë një lloj mirëkuptimi të brendshëm për veprimet e Kurti etj. Deri më tani, kuptohet që incidentet nuk do mungojnë dhe mund të ketë gjasa të shtyhet sërish vendimi i reciprocitetit për të marrë pak oksigjen zgjidhja e pranueshme. Politika e dy vendeve do të përfitojë dhe ca më shumë politikanët serbë dhe kosovarë.

E megjithatë, duket se: politikanët e dy krahëve me kërcënimin e afatit të 1 Shtatorit nuk mund ta fshehin dot rritjen e shkëmbimeve dhe trendin e një marrëveshje finale, që kinse po merr energji por që dihet mirë se do vendoset jashtë Beogradit dhe Prishtinës dhe ndërkohë po krijohet hapësira që po u jep politikanëve të dy vendeve të anashkalojnë problematika më të mëdha të brendshme. Teknikisht, problem është sesa do të funksionojë kjo marrëveshje, dëshira për kantonizimin e Kosovës, pasi Veriu i saj është kryesisht jashtë kontrollit dhe, sa do të kuptojnë negociatorët e huaj se një lëshim i tillë dhe mbështetje (nëse do merret ndonjëherë nga Kosova) mund të krijojë precedentin e dytë të Republikës Srpska në rajon. Koha do të na vendosë përpara sfidave më të mëdha.

Po Tirana? Sfida më e madhe do jetë një Ligj i ri për dosjet ose amendimi i atij të vjetrit dhe kori i patetikëve për dëlirësi morale dhe etike. Me gjasë duket se polin e opozitës do e drejtojë për pak kohë Ilir Meta, pasi kështu i intereson maxhorancës që e ka futur në një kurth jo të vogël ish-presidentin. Berisha do merret me Rama-Vuçiç, paçka se ai ndihu në kohën e luftës palën serbe. Kosova nga Tirana do marrë vetëm fjalë dhe tollovi, kurse Beogradi do mbetet i hallakatur me kritikat ndaj Vuçiç dhe planeve të tij të së ardhmes. Ndërkohë kosovarët dhe serbët e thjeshtë (jo ata të manipuluarit e barrikadave) do vazhdojnë të jenë peng, ashtu si në Tiranë do kemi një stinë tjetër të lodhshme patetike të politikanëve që i kanë bërë qindin shqiptarëve, që duhet të mendojnë se ku do të kursejnë më në muajt në vazhdim.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë