Ben Andoni: Kundërshtari i PD-së s’është Rama por ndryshimi?!

Ben Andoni: Kundërshtari i PD-së s’është Rama por ndryshimi?!

Edi Rama

Humbja e fundit në Himarë ka sjellë shumë cinizëm në radhët e PD-së, si ata që janë nën hijen e madhe të kryetarit të padiskutueshëm Sali Berisha, por edhe mes veti. Plasaritjet e para kanë ardhur nga pak deklarata aty-këtu të anëtarëve të PD-së, pëshpëritjet e pamundësisë nën drejtimin e Liderit dhe në akuzat e lodhshme për Ramën, që shijon ndërkaq i qetë dhe i patrazuar pushimet verore në Rivierë.

Inercia e pamundësisë së opozitës në dy legjislaturat e fundit ka treguar jo thjesht dobësinë e përfaqësimit, por edhe atë që publiku e kuptoi mirë para disa ditëve, pas dakordësimit të Kodit Zgjedhor me mos prishjen e status quo-s mes tyre. Partia Socialiste, lexo Edi Rama, ka të gjithë pushtetin politik, kurse zbehtësia e goditjeve të drejtësisë i jep argumente pafund opozitës të tregojë sesa larg është ky pushtet ndaj pritshmërive. Po pse nuk ndryshon asgjë?

Pasi në PS ka pushtetin e tre mandateve. Kurse në PD nuk duan të ndryshojnë ose më saktë, u pëlqen kjo lloj gjendje. Kasta e krijuar nuk ndryshon dot asgjë. Paçka se një grup i pakët njerëzish janë të rregullt nëpër protestat javore, që mezi mbushin pak dhjetëra vetë, ajo që kuptohet është se më shumë po punohet për listat e ardhshme dhe atë pjesë që do jetë e mbyllur sesa realisht ndryshimin, që e imponon koha.

Si mund të ishte formula e ndryshimit?! Është e vërtetë që kinse PD-ja e kërkon dhe fajëson Ramën, por ata janë të paaftë të ndryshojnë në thelb dhe të ndikojnë në ndryshimin e sistemit zgjedhor (duhet të kushtëzonin); PD-ja është e mbyllur për prurjet e reja dhe intelektualë që mund të bëjnë ndryshimin e kësaj force; kur firmosën për rrogat në kulmin e inatit me njerëzit e PS-së, askush nuk e ngriti zërin, që tashmë numri i 140 deputetëve është i tepërt; kurse pas rastit të Berishës dhe Xhaçkës me kolegët e tyre, shumë pak janë zërat në parlament që deputetët të mos kenë as edhe një imunitet; ato që po ndodhin tek PS dhe PD nuk premtojnë se ato do kërkojnë ndonjëherë reformimin e vetë Ligjit të partive, atë që sot e ka shpërdorur keqazi dhe demokracinë e vendit tonë; për të mos thënë një nga më të mprehtat, atë që lidhet me financimet politike.

Politologë mund të shtonin dhe pika të tjera, por fakti është se PD-ja kinse shikon si kundërshtar Ramën dhe nuk mund të shohë batakun, ku po zhysin bashkë me veten të gjithë vendin. Është e vërtetë që përballja me Ramën, po vështirësohet pafund nga “modernizimi” i teknikave për të fituar zgjedhjet, por opozitës i duhet një fytyrë e re dhe mbi të gjitha fryma. Nuk është më idealizëm, është kërkesë e nevojshme për ndryshim.

Dikur, një njeri që kaloi në kalvare të pafundme, që nuk mund të krahasohen me atë të kësaj kaste vegjetuese nga opozita shqiptare, shkruante: “Politika është aftësia për të parashikuar atë që do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin e ardhshëm dhe vitin e ardhshëm. Dhe për të pasur aftësinë më pas për të shpjeguar pse nuk ndodhi”. Quhej Çërçill dhe mbajti pushtetin, kur kishte pozitat më të dobëta dhe e humbi atë, bash kur kontribuoi si të rrallët kundër fashistëve, që ne i… përkëdhelim tani, por edhe kur besonte se ishte i pathyeshëm. Kuptohet ky nuk është rasti i PD-së dhe as krahasimi me personazhin e Ramës.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

12 vjeçari në Kosovë gjen kuletën me 2500 €, ia kthen policisë

12 vjeçari në Kosovë gjen kuletën me 2500 €, ia kthen policisë