Ben Andoni: Përtej politikës, si mund të ishin të Majtët dhe të Djathtët në Shqipëri

Ben Andoni: Përtej politikës, si mund të ishin të Majtët dhe të Djathtët në Shqipëri

Selia e PS-së dhe selia e PD-së

Është disi e vështirë që t’ua shpjegosh, debatosh apo të përballesh me politikanët shqiptarë për vijën ideologjike të formacionit që përfaqësojnë. E para është ajo që e dimë më së miri të gjithë: për ta, ideologjia është thjesht rruga që të çon te pushteti; e dyta se shumë syresh nuk kanë çfarë të tregojnë, pasi nuk e kuptojnë fare ideologjinë. Tashmë e Djathta sillet normal si e Majtë dhe anasjelltas me drejtimin e z. Rama, që ka një forcë tejet jashtë ideologjisë së vet. Veçse, jo vetëm tek ne.

Nga sondazhi i një media të njohur në vend, lidhur me karakterin ideologjik të shqiptarëve, 51% e tyre mëtojnë se janë të Majtë, teksa 38% syresh mëtojnë se janë të Djathtë!! Kurse, interesant është vlera tjetër, brenda të njëjtit sondazh, sipas të cilës 56% e shohin Partinë Demokratike si parti të së Djathtës ekstreme, kurse 52% e konsiderojnë Partinë Socialiste si të ekstremit të Majtë!! A ka diçka që nuk shkon?! Duket se me të Djathtën lidhin tashmë Berishën, ashtu si edhe është në të vërtetë dhe me të Majtën, lidhin Ramën, kryeministrin aktual. Ekstremi që i atribuohet s’është ende afër tyre, qoftë dhe te Berisha, kurse te Rama është dukshëm larg. Nëse mund të kishte një zbërthim më të mirë, që do të nënkuptonte një edukim më të mirë të publikut sa i përket ideologjisë dhe programeve të qarta të partive që ndjekin, ku idetë të zbërtheheshin konform karakterit antropologjik shqiptar mbase edhe përkatësia ideologjike do të ishte më e saktë. Për fat të keq, ne, shqiptarët e kemi zakon të kalojmë në paradokse shumë të habitshme, ku deri në mesin e viteve ’90 të shpreheshe si i Majtë ishte turp, ndërsa ishte një lloj krenarie që vazhdon edhe sot e kësaj dite, sa i përket të identifikuarit me të Djathtën!!!  A ka një paradoks? Jo aq. Historia na mëson neve se njerëzit nuk mësojnë asgjë nga historia, thoshte Hegeli.

Në fakt me një ndryshim fare të vogël nga kohët tona, kemi periudhën parake që i referohet lindjes së partive moderne shqiptare në çerekun e parë të shekullit XX. Viti 1920 është viti që na përball dy grupime politike, që kur ua sheh emrat kupton se aty vetëm ideologjia nuk ka fare të bëjë. Pak vite më pas do i marrin jetën njëri-tjetrit dhe duket se janë në grupime që nuk ua mban stofi i origjinës dhe përkatësisë. Megjithatë kanë kurajën dhe shpallin programin e tyre politik: Fan Noli, Ahmet Zogu, Eshref Frashëri, Luigj Gurakuqi, etj., formojnë Partinë Popullore Kombëtare, kurse një muaj më vonë në nëntor 1920 lind Partia Përparimtare Shqiptare me personazhe interesante kryesisht të Veriut të vendit, të njohur si: Hoxhë Kadriu, Hasan Prishtina, Bajram Curri. Nuk mungon edhe Shefqet Bej Verlaci. Vendi, në fakt, drejtohet me një Këshill Kombëtar dhe kur 18 deputetë vetëshpallen opozitarë, kuptohet se do kërkojnë edhe zgjedhje të reja. Studiuesit vërejnë se edhe me programet këto parti nuk kishin mirëfilli ideologji por ishin grupime të motivuara thjesht për të kapur pushtetin. Shqipëria de facto vetëm nga ky vit nis e funksionon si shtet.

A ka një lidhje me kohën tonë? Deri diku. Kjo trashëgimi do përcillej ashtu konfuze pak në periudhën mes dy luftërave të mëdha, derisa të Majtët e Hoxhës shuan gjithçka duke e identifikuar shtetin me Diktaturën e Proletariatit dhe zunë vendin e merituar në ekstremin e Majtë, që kuptohej se asokohe nuk vërehej dhe as nuk mund të studiohej dot në vend. Përveç prizmit marksist.

A mund të ketë një qasje tjetër të së Majtës dhe të Djathtës, parë në prizmin filozofik dhe sociologjik? Do t’i referohemi një artikulli studimor të G. William Domhoff, me titullin “The Left and the Right in Thinking, Personality, and Politics”. Në vitet 1960, referon ai, një psikolog i interesuar për filozofinë dhe ideologjinë, Silvan Tomkins, shkroi një ese në të cilën argumentoi se ekziston një dimension Majtas-Djathtas në çdo fushë të mendimit, qysh nga konceptimet rreth matematikës e deri tek besimet rreth mënyrës sesi rriten fëmijët. Bazuar në kërkimin e tij, shton Domhoff, studiuesi Tomkins (1964) arriti në përfundimin se ata në skajin e djathtë të kësaj logjike para së gjithash prireshin të ishin më shumë të orientuar drejt rregullave. Njerëzit e kësaj rrjedhe i konsiderojnë rregullat, të cilat e udhëheqin jetën si pjesë e universit, ose të përcaktuara nga Zoti. Për më tepër, të Djathtët ndihen disi të vështirë sa i përket përballjes me emocionet dhe zakonisht nuk i shfaqin ndjenjat e tyre. Dhe, i njëjti studiues mendon se të Djathtët e duan hierarkinë, pasi duan të mbajnë nën kontroll impulset përmes rregullave. Njerëzit më të mirë, ata që ndjekin rregullat dhe kontrollojnë emocionet, duhet të jenë në krye. Të Djathtët zemërohen me shkeljen e rregullave, jo me autoritetin shtypës. A është ky rasti i PD-së?! Në historinë politike shqiptare qeverisja nën të Djathtët e Berishës shënoi kaos dhe mungesë totale rregullash, shumë herë anarki, derisa preludi i zallamahisë shkoi në vitin 1997, kur shteti pothuaj u thërrmua. Kurse hera e dytë, nën Berishën si kryeministër, korrupsioni nisi rritjen galoponte, ku e vetmja shenjë e të Djathtës ishte respekti i hierarkisë së grupit Berisha dhe kontrolli i gjithçkaje brenda rregullave të tyre. Cilido që prishte këto rregulla përjashtohej ose mënjanohej kurse koka e shumë njerëzve që nuk e donin këtë hierarki gati fisnore shmangej në forma të ndryshme. Por ndërkohë, nën Berishën, Shqipëria pati fatin të ishte në periudhën e liberalizimit të vizave dhe mbi të gjitha anëtarësimit në NATO. Në një shtet normal dhe konform rregullave, Berisha dhe grupi i tij do të njihte dhe zhvillimet e gjera shqiptare por ata rendën që t’i vendosin spaleta kostumit të tyre, duke shkarë nga respekti për rregullin e shtetit dhe duke e shfrytëzuar atë për politikën.

Nga ana tjetër, sipas Tomkins, cituar falë Domhoff, të Majtët janë të orientuar drejt nevojave dhe kënaqësive njerëzore, jo ndaj rregullave dhe mendojnë se janë njerëzit që i krijojnë rregullat. Të Majtët tërhiqen nga përvoja të reja dhe ndjenja pozitive. Ata janë për barazi dhe nuk e pëlqejnë hierarkinë; ata janë egalitarë që konsiderohen si të gatshëm të ndryshojnë rregullat nëse mendojnë se kjo është e nevojshme. Përveç kësaj, ata priren të fokusohen në grupe dhe rrjete sociale. Ky qëndrim i orientuar nga grupi, së bashku me theksin e tyre te barazia, i bën aleatë të natyrshëm të të varfërve, pavarësisht nëse kjo do të thotë njerëz me të ardhura të ulëta apo njerëz të përjashtuar nga shoqëria dominuese në bazë të racës, përkatësisë etnike, orientimit seksual ose preferencës fetare.

A është ky rasti i PS-së? Në dukje, po, por realisht nën drejtimin e tyre varfëria është ulur këmbëkryq kurse politikat e Djathta të tyre e kanë shpartalluar  barazinë që nga biznesi e deri te punësimi i thjeshtë. Cinizmi i qeverisë Rama i sheh rregullat të diktuara prej tyre, si të domosdoshme edhe pse zakonisht janë të pakëshilluara si duhet me grupet e interesit, kurse propaganda ia atribuon nevojave të popullit, pa e justifikuar realisht gjendjen reale të njerëzve.

Sërish sociologjia e ndihmon argumentin. Tomkins zhvilloi një pyetësor për të testuar idetë e tij mbi pjesëmarrësit amerikanë, kryesisht studentë kolegji. Pyetësori u kërkoi të plotësonin një zë ku ishin dy pohime: “Numrat u shpikën” ose “Numrat u zbuluan”. Siç edhe e priste Tomkins, ai zbuloi se njerëzit ndryshonin në mënyra të qëndrueshme në lidhje me deklaratat që mbështesnin, duke mbështetur hipotezën e tij se kishte mënyra të Djathta dhe të Majta për të parë botën apo qoftë edhe se si ndiheshin njerëzit për ndonjë çështje specifike. Për shembull, kur përballen me pohimet për numrat nëse janë shpikur ose zbuluar, mendimtarët e orientuar nga e Majta (dhe mbani parasysh se nuk po flasim ende për politikë, por për një mënyrë të përgjithshme të të menduarit) u përgjigjën se njerëzit shpikën numrin, ndërsa të orientuarit nga e Djathta prireshin të thoshin se u zbuluan, d.m.th., se ekzistonin të pavarur nga njerëzit. (Çështja për sociologun e njohur ishte nëse ka një përgjigje të saktë, apo nëse ka një të tillë, apo thjesht ajo që njerëzit thonë nga koka e tyre).

Duke u kthyer në argumentin tonë, ditë më përpara, një nga deputetët e të Djathtës do fliste me mllef për politikën e Majtë dhe sesi zotëri, fisi i tij as nuk do t’i pranonte, por do t’i përdorte si argatë. Ashtu si të Majtët do t’i trajtojnë në shumë momente si të papërshtatshëm të Djathtët, por ndërkohë me një marrëdhënie shumë të mirë me të pasurit e sotëm!!! A ka ideologji pasuria? Politikanët tanë nuk e thonë dot…qoftë edhe pa ideologji sepse realisht pushteti nuk ka ngjyrë. (Homo Albanicus)

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë