BERAT- Zgjerimi i ofertës turistike po e bën Beratin, ndalesë të rëndësishme të turisteve nga mbare bota. Krahas vizitave në kala dhe lagjet muzeale, ata zgjedhin dhe aventurat ne natyre.
"Këtë vit kemi pasur një rritje shumë më të lartë të numrit të vizitorëve që kanë zgjedhur Shqipërinë dhe qarkun e Beratit. Sezoni ka nisur shumë më herët se zakonisht dhe ka tejkaluar pritshmëritë tona”, tha Rebeka Spathara, menaxhere e nje hoteli.
Pjesa më e madhe e turisteve vijnë nga Gjermania, Polonia, Italia, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.
"Ne u ofrojmë turistëve një eksperiencë të plotë, me rafting dhe river tubing në Kanionet e Osumit, vizita në Kalanë e Beratit, muze dhe klasa gatimi me produkte tradicionale. River tubing është risia e këtij viti dhe është pritur shumë mirë, veçanërisht nga familjet me fëmijë", tha më tej ajo.
Rafting-u dhe river tubing, i shtuar këtë vit si produkt i ri turistik në Kanionet e Osumit, janë ndër aktivitetet më të kërkuara. Turet drejt malit të Tomorrit dhe ujëvarës së Bogovës plotësojnë ofertën. Gatimit me produkte tradicionale u japin vizitorëve mundësinë të shijojne dhe kulinarinë.
"Më pëlqen shumë Shqipëria. Ushqimi është i shkëlqyer dhe çmimet janë shumë të përballueshme. Mund të udhëtosh, të kursesh para dhe njëkohësisht të shijosh ushqim shumë cilësor.
"Ushqimi është shumë natyral dhe organik. Perimet janë të mrekullueshme. Më ka pëlqyer shumë gjithçka që kam provuar këtu", shprehet çifti i turisteve amerikanë.
Megjithatë, operatorët turistikë ngrenë dhe një shqetësim.
"Këtë vit kemi shtuar turet në natyrë dhe interesi është rritur ndjeshëm. Megjithatë, shtimi i apartamenteve informale në platformat si Airbnb dhe Booking po ndikon në uljen e rezervimeve te strukturat e licencuara”, tha Gaxibo Rrapaj, udherrefyes.
Sipas të dhënave te bashkise Berat, gjatë periudhës janar-maj 2026, qyteti është vizituar nga rreth 550 mijë turistë, duke shënuar një rritje prej 37 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Komente





