Drejtuesja e grupit të këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Elbasani, Doris Madhi, është shprehur se vendimi për përjashtimin e saj nga anëtarësia e PD ishte surprizë. Në një lidhje direkte për “Studio Live” në Report Tv, ajo nuk e fshehu ndjesinë e çudisë.

“Ishte një vendim surprizë, aq më tepër për mënyrën sesi u mor. Prej gati një viti unë nuk isha më pjesë aktive e selisë politike në Elbasan përveç rasteve për mbledhje të Këshillit Bashkiak”, tha Madhi.

Ajo e cilësoi “arbitrar” përjashtimin dhe tha se nëse do ta kishte marrë vesh përmes një mbledhjeje, as nuk do të hezitonte të votonte pro përjashtimit të saj.

“Unë vetë si anëtare e kryesisë të degës Elbasan nuk u vura në dijeni as për zhvillimin e një mbledhjeje në të cilën do të artikulohej emri im në mënyrë totalisht arbitrare duke qenë se minimalisht kisha të drejtën edhe të votoja pro apo kundër përjashtimit tim. Me natyrën që kam, do të kisha votuar edhe pro përjashtimit tim, do të isha vetëshpallur armike”, u shpreh Madhi.

Madhi tha se do ta kishte pranuar nëse do t’i argumentohej se prej një viti nuk ishte aktive në parti, por jo përbaltjen e emrit.

“Ajo që nuk pranoj është mënyra sesi u artikulua dhe përbalt emri im. Fillimisht përfshihet në listën me ish-anëtarë të tjerë të PD që në një mënyrë ose në një tjetër e kishin shprehur vullnetin e tyre të mospërkatësisë në PD, edhe pse nuk e kishin formalizuar, ndërsa në rastin tim u tha se kisha bashkëpunuar me PS, diçka që edhe bufi nuk do ta besonte sepse dy ditë para se të bëhej kjo mbledhje, unë isha akoma duke mbrojtur interesat e qytetarëve opozitarë dhe të Elbasanit në Këshillin Bashkiak, pavarësisht raporteve të mia partiake”, tha këshilltarja.

Më pas u përdor akuza sikur kishte organizuar takimin e Salianjit e më vonë një foto që qarkulloi në faqen zyrtare të PD në një qendër numërimi votash në Prrenjas në 2025 duke supozuar se ishte anëtare e Partisë Social-Demokrate, tha Madhi duke dhënë më pas versionin e saj lidhur me këtë ngjarje:

“Unë në atë qendër numërimi kam ikur e paidentifikuar, duke përdorur njohjet e mia personale sepse miq të mitë më thirrën në ndihmë duke qenë se atje kishte një problem me kalimin e dy kutive të pavlefshme dhe unë përdora influencën dhe njohjet e mia që të loboja që këto kuti të qëndronin të pavlefshme. Duhet theksuar se në këto kuti votat ishin 100% për PS dhe ishin shtuar edhe 20 vota për kuti që e bënin rezultatin 101% dhe unë bëra atë që di të bëj më mirë, opozitarizmin dhe arrita që ta ndaloj këtë proces”, tha Madhi.

Sipas saj, i gjithë procesi mund të zgjidhej institucionalisht brenda PD, pa qenë nevoja të trumbetohej jashtë. Madhi tha se nuk ka pasur “asnjë komunikim” me PD dhe s’ka ndërmend ta ndryshojë situatën.

Deputeti i PS në Lezhë, Ermal Pacaj, i cili ndodhej i pranishëm në studio, nuk hezitoi ta ftonte Madhin në parti duke theksuar se ndryshe nga PD, kampi rozë është gjithnjë i gatshëm të mirëpresë anëtarë të rinj.

“Ne jemi parti e hapur, i mban gjithmonë dyert e hapura. Kemi faza në të cilat kemi pranime të reja. PS asnjëherë nuk kalon më shumë se 2-3 vite që merr angazhimin për të shtuar radhët e veta, krejt e kundërta e asaj që bën PD për të mbajtur dyert mbyllur fort dhe dritaret hapur për të larguar njerëzit e saj”, tha Pacaj.

Në këtë pikë, qëndrimi i Madhit ishte i prerë: “Nuk bëhem pjesë e llumit", tha ajo. Më pas shtoi se kontributi i saj do të vijojë në fushën akademi e të financës.

“Nuk shkova në PD as për ta vjelë e as për ta mjelë. Më pëlqen tashmë ta shikoj nga jashtë. Do të doja nesër të jepja kontributin tim në nivel mendimi apo zgjidhjeje, por asnjëherë të bëhem pjesë, zotëria të më falë, por meqë kryetari juaj i ka zakon këto shprehje, unë nuk dua të jem më pjesë e këtij llumi të madh sepse ajo që po vë re është që llumi qëndron nga të gjitha krahët dhe kjo anije politike po fut ujë nga të gjitha anët”, tha Madhi.

Por, Pacaj e kundërshtoi duke thënë se PS është forca më e madhe politike në vend.

“Është një parti që për të 4-in mandat është në qeveri dhe s’mundet të bëjë një paralelizëm mes dy partive dhe ta fusë gjithë politikën në thes”, tha deputeti.

Kjo pikë e diskutimit përkoi edhe me mesazhin e Madhit për PD, një këshillë për të përçuar idenë se është një parti më e hapur dhe që lejon fjalën e mendimin e lirë.

“Mesazhi im i vetëm është që në këtë moment duhet të ishin shumë më diskretë dhe më të zgjuar dhe në vend që të hapin në publik idenë se PD po tkurret, duhet të përhapnin idenë se PD është parti më e hapur, që lejon garën, mbi të gjitha lejon fjalën dhe mendimin e lirë të dominojë, siç e ka të shkruar në statut dhe gjenin e çdo demokrat”, përmbylli Madhi.