Prokuroria e Posaçme duket se ka intensifikuar hetimet pasurore që po bëhen ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka. Një detaj të tillë e konfirmon edhe vetë Sali Berisha, i cili gjatë konferencës për mediat pranoi se prokurorët e posaçëm po kryejnë veprime mbi këtë hetim pasuror që ka nisur ndaj Nokës që prej majit 2024.
Sali Berisha konfirmoi se prokurorët e posaçëm kanë zbarkuar në një kompani që shet makina dhe kanë kërkuar dokumentacionin për blerjen e Range Roverit luksoz me të cilin lëviz Flamur Noka. Duke konfirmuar kështu që Nokës iu kontrollua edhe mjeti me të cilin lëviz, ndërsa shtoi se mjeti iu dha nga Lulzim Basha.
“Nuk e di a e morët vesh apo jo, për një kompani të quajtur ‘Mektrin’, është kontrolluar para pak ditësh dy herë. Pse u kontrollua kompania thoni ju? Na duhen dokumentet e veturës së Flamur Nokës, që ka blerë Flamur Noka, ‘Range’ mos gaboj.
Shkuan njërën ditë, i thanë ata s’kemi. Shkuan ditën tjetër, u thanë nxirrni. Çfarë doli. Veturën e kishte blerë Lul Basha. Se është skenë e bukur. Sapo punonjësi i tha që, o zotëri ai nuk ardhur kurrë për të blerë veturë. I dha ai të dhënat e veturës, i tha ai, që këtë veturë e ka blerë Lul Basha, ja ku e ke. As nuk i mori fare dokumentet. Jo. Se krim duhej të ishte për Flamur Nokën. Por kjo është ngjarje reale, taze. Ja tha ku e ke firmën, e ka blerë Lul Basha këtë veturë, merre dosjen. Jo i tha, nuk më duhet për Lulin”, tha Berisha në konferencë për mediat.
Flamur Noka dyshohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Përpos hetimit pasuror, ku Noka dyshohet se ka fshehur një vilë në Gjirin e Lalzit, deputeti i PD po hetohet për veprimtarinë e paligjshme gjatë kohës kur ishte drejtor i Bordit të Entit Kombëtar të Banesave (viti 2008), ku duke përdorur funksionin publik u dha katër banesa nga fondi i të pastrehëve në qytetin e Sarandës familjarëve të tij, dy vëllzerve që jetonin në Belgjikë, gruas së vëllait dhe motrës që jeton në Kamëz.
Në nëntor 2025, SPAK i kërkoi Ministrisë së Brendshme të gjithë praktikën e shpërndarjes së banesave për të pastrehët gjatë kohës kur Flamur Noka ishte kryetar i Bordit të Entit Kombëtar të Banesave. Gjithashtu, po hetohet edhe mënyrën dhe rrethanat se si familjarët e Flamur Nokës u bënë pronarë të banesave të të pastrehëve si dhe rolin e Nokës.
Komente











