Berisha, pakt me Alinë
për mosrrëzimin e Hoxhës

Berisha, pakt me Alinë<br />për mosrrëzimin e Hoxhës
Fatmir Merkoçi sot është avokat. 21 vite më parë ishte një teknik që punonte në ndërmarrjen e Bonifikimit. Një I përndjekur nga rregjimi komunist, I cili I kishte mohuar të mirat materiale të klasës së mesme nga vinte, për të qenë I shpronësuar dhe I vuajtuar si shumica e shqiptarëve në komunizëm. 21 vite më parë, ishte ndër perosnat e vetëm që u plagos dhe desh vdiq, në momentet kur mbi 100 mijë sahqiptarë dolën në sheshin “Skënderbej” për të rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës, 17 metra të lartë të vendosur në 1988, për t ëmbajtur përjetë kultin I ish-dikatorit komunist.

Sot 21 vite më vonë, Merkoçi thotë me trishtim se ai monument edhe pse është hequr si material, është në kokat e politikës shqiptare, sepse ajo ende nuk ka guxuar t’I heqë ish-diktatorit titullin “Hero i Popullit”, ndërsa partia e parë opozitare, PD, në çdo përvjetor të 20 shkurtit, ka sajuar personazhet që nuk ishin atë ditë në shesh, por shpirtërisht të lidhur pas Hoxhës, ashtu siç janë edhe sot.

Z.Merkoçi çfarë 20 shkurti 1991?
20 shkurti nuk nisi dhe nuk mbaroi në 20 shkurt 1991. Në Tiranë ka patur një lëvizje shumë qytetare. Në vitet 1989-1990 pati lëvizje shumë të mira, nga rinia që ishte mjaft e kulturuar. Momenti i parë i revoltës ka qenë vendosja e dinamitit te busti i Stalinit te Galeria e Arteve dhe ai ishte një akt që tronditi pjesën pushtetare të Tiranës. Por më e rëndësishmja ishte demonstrata e heshtur që u mbajt në Tiranë, më e organizuara e paorganizuar. Me një thashethem që u hap në Tiranë, e gjithë rinia e Tiranës u grumbullua në shesh, megjithëse e dinim se do të na përgjonte Sigurimi i shtetit. Në atë demonstratë të heshtur u kërkua që të dilte dikush që të fliste. Vajtëm edhe te shtëpia e Kadaresë, por nuk pranoi që të dilte në shesh. Pastaj ishte 2 korriku, aty ishte një rini mjaft aktive.

Ju si hytë në atë lëvizje?
Pas krijimit të PD-së dhe themelimit të sindikatës së pavarur, u bë thirrje që populli i Tiranës t’i bashkangjitej në 20 shkurt grevës së urisë së studentëve, sepse nëse do të mbetej aty, ajo grevë do të mbyllej. Kështu që në 20 shkurt në mëngjes erdhi gjithë populli i Tiranës në Qytetin Studenti, duke iu përgjigjur
thirrjes që bëri sindikata.

Kishte ndonjë skenar për këtë lëvizje?
Jo, gjithçka ishte spontane. Skenari i vetëm ishte që ne do të qëndronim pranë studentëve, te qyteti studenti. Në njërën nga godinat e studentëve në kat të katërt u instalua një qendër zëri qe erdhi nga kombinati i Autotraktorëve prej sindikalistëve dhe aty fliste gjithkush, pa doganë. Unë u ngjita në kat të katërt dhe i takova të gjithë. Ilia Terpini, që punonte në Kinostudio si operator xhironte me kamera. Brenda gjeta Rajmonda Bulkun me Marjeta Ljarjan. Erdhi policia dhe kërkoi ta mbyllte këtë foltore. Unë thashë se jo. Ata nxorrën armët dhe tentuan t’i merrnin kameran Ilias. Ndërhyra dhe u thashë se nuk do ta merrnin kameran dhe pas një debati me policin që mbante pistoletën në dorë, unë i thashë se do të hidhesha nga ballkoni dhe do të thoshin se më hodhi policia.
-Po është miting i paligjshëm-tha ai.
-Po të gjithë të paligjshëm jemi-ia ktheva.
Unë mora mikrofonin dhe ia dhashë Mondës: Thuaji njerëzve të dalin në shesh!.
Kur kam dalë te ballkoni për të parë njerëzit kam parë një skenë ku njerëzit vërshonin si një lumë i tërbuar dhe të gjithë drejtoheshin nga qyteti Studenti drejt rrugës së Elbasanit. Shkuam andej dhe u futëm te rruga e Liceut. Për herë të parë aty nxorra një flamur kombëtar pa yll, që e mora nga shtëpia.

Ku e gjete flamurin?
Flamurin e kishte patur gjyshi im, që kishte ngritur flamurin në Shijak, në 1912 dhe më parë kishte qenë pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit. Në 1915 e vari haxhi Qamili, siç ndodhi me të gjithë intelektualët e asaj kohe.
Kur ne arritëm te godina e RTVSH-së dolën disa makina që nuk i kishim parë ndonjëherë, ndërsa zjarrfikëset kishin ujë me ngjyrë, ndoshta për të na dalluar më pas. Na hodhën edhe gaz lotsjellës. Te liceu kishin vënë një postobllok tjetër dhe turmën nuk e lejonin më të vinte te godina e RTVSH-së, duke bllokuar nja 2000 vetë. Në atë kohë jemi përplasur me gardën që ishte te kryeministria. Pas debateve që bëmë, garda qëlloi me zjarr, por fatmirësisht tytat e armëve ishin lart në ajër. Ikëm nga INIMA për të dalë në bulevard dhe kaluam te Skënderbeu, ku ishin makinat e blinduara. Kemi dalë në krah të Bankës së Shqipërisë ku tentuam disa herë për të çarë kordonin e policisë. Në një moment kemi qenë rreth 30 vetë që arritëm të hipim në piedestalin e shtatores së Enver Hoxhës. Aty duke shprehur urrejtje ne i gjuanim asaj me grushta.

Pra arritët ta pushtonit?
Po në atë moment kam hapur edhe flamurin pa yll dhe policët u irrituan shumë. Njerëzit gjuanin me gurë policët dhe ata gjuajtën me armë. Aty jam plagosur dhe kam rënë nga krahu i Muzeut Historik.

Ku u plagosët?
Në kokë. Këtu e kam akoma një cifël të plumbit. Aty kujtuan se kam vdekur. Mirë që u plagosa, por policët më mbytën edhe me shkelma, ndërsa njerëzit ishin shpërndarë. Më vonë pashë nga filmimet se si njerëzit më kishin marrë në krahë. Më kanë marrë për të vdekur dhe më pas turma ka shpërthyer ndërsa paniku ka qenë nga të dyja krahët. Koka ime rrinte e varur gjithë kohën dhe gjithë turma shpërtheu.

Pra juve ju humbi momenti i rrëzimit të bustit?
Po më ka humbur për punë minutash. Sepse më çuan në spital dhe atje më mori për kurim neurokirurgu Arjan Xhumari. Ai më shpëtoi. Pasi ndenja nja dy orë në spital, kur u përmenda dëgjova infermieren që kërkonte identitetet e mia dhe Arjani po ia jepte. E ndjeva që duhej të ikja. U çova, por rashë prapë. Pasi më bënë disa gjilpëra u çova. Infermieres i thashë se do të shkoja në banjo. Dola nga spitali 2, te dera dhe aty pashë një çun me motor të vogël. I thashë të më çonte në qendër. Ai më dha lajmin se: “ka ra Enver Hoxha”. Kur? -e pyeta. -Ka nja një orë-më puërgjigj. Kjo ishte gjithë ajo ditë. Më pas shkova në qytetin studenti ku u bashkova me të tjerët. Në fund dua të them se ne nuk u nisëm për të rrëzuar shtatoren atë ditë.

Si ishte klima pas rrëzimit të Enver Hoxhës?
Politika nuk e priti mirë dhe kur them politika, i kam parasysh të gjithë. Si pozita edhe opozita. Unë pata shumë reagime personale për atë akt, deri në mohim të aktit, sa shumë prej tyre filluan të abuzonin. Pastaj në 1995, Ali Begeja, kameraman në televizion, bëri një ekspozitë për 20 shkurtin te Muzeu Historik dhe më thotë dikush. Atje pashë dy fotografitë e mia të mëdha në momentin kur më kanë ngritur dhe më pas kur më hipën në makinë për të më çuar në spital. Isha edhe në filmime. Këto filmime janë përdorur siç janë nga pjesa te kryeministria te filmi ‘Vdekja e kalit”, me imazhet e trupit tim janë në film.

Pse opozita nuk e donte rrëzimin e shtatores së Hoxhës?
Nuk ishte dakort asnjëri me atë akt të popullit të Tiranës.

Po pse?
Nuk ishte dakort opozita, sepse kishte një marrëveshje me Ramiz Alinë. Ai në 17 janar 1991 nxorri një dekret ku dënohej me ligj edhe mendimi tentimi për të hequr një monument të Hoxhës. Në dhjetor vërtet ishte krijuar PD-ja, por nuk pati ndonjë ndikim krijimi i opozitës. Gjithë ajo shtatore 17 metra e lartë ishte aty në mes të Tiranës në sytë e të gjithëve, siç qëndronte Lenini, Stalini. E keqja kjo ishte. Në 21 shkurt kur ne kërkuam të futeshim në Bllok, të gjitha tentativat tona për tu futur në Bllok, dhe realisht duhet të ishim futur, vjen neritan Ceka dhe na thotë që të mos futemi. Tha se duhet të kthehemi se e kishte dërguar doktor Berisha.

Me çfarë motivi?
Motivin ta gjejnë ata. “RD” ato ditë, megjithëse ishte gazetë opozitare e niste faqen e parë me shokun Ramiz Alia, kështu që shtresa jonë e të persekutuarve, që kishin vuajtur padrejtësitë e 50 viteve nuk mund ta pranonim që diktatura të qëndronte në këtë lloj forme, zbutësie dhe zbutja është si ai themeli që çedon dhe kur shkon në kat të dhjetë çedon me metra. E dini ju që e vetmja gazetë që shkroi për plagosjen time ishte vetëm “Bashkimi” dhe as RD-ja. Kjo besoj se i shpjegon të gjitha.

Po ju nuk kërkonit shpjegime si demokratë dhe antikomunistë se pse partia e parë opozitare, ishte shndërruar si një organizatë shoqërore e PPSH-së?
Nëse do t’i futemi kësaj historie unë do të them vetëm kaq. Unë jam nga ata njerëz që jam quajtur radikalë. I përkas një shtrese intelektuale dhe me ekonomi një shtrese të mesme, një familje që ka dhënë shumë për vendin dhe nuk mund ta pranoja këtë lloj zbutësie, ashtu siç nuk mund ta pranoja kur u bë greva e përgjithshme dhe rrëzimi i qeverisë së Fatos Nanos në 1991. Ka patur shumë përplasje, ndërhyrje që të mos rrëzohej. Mua sot më vjen edhe zor kur njerëzit pyesin se çfarë është 20 shkurti, sepse harresa është gjëja më e keqe. Tjetra: nuk mundesh ti ta përdorësh 20 shkurtin, vetëm kur ti ke nevojë dhe me njerëz të paqenë. Sepse për 20 vjet kur janë bërë festimet e 20 shkurtit, kanë folur vetëm njerëz që nuk kanë qenë. I pari Sali Berisha.

Ku ishte Sali berisha në 20 shkurt?
Te zyra e vet

Cila zyrë?
Zyra e PD-së. I dyti Tritan Shehu, i treti Genc Pollo, i katërti Ridvan Bode që ishte në Kamëz duke udhëhequr shoqatën “Vullnetarët e Enverit”. E të tjerë me radhë. Pas 20 vitesh presidenti i Republikës u detyrua që të bëjë disa dekorime. Një para ishin bërë disa dekorime të disa personave anonimë që nuk kishin qenë fare, që kishim marrë tituj edhe “Shqiponja e artë”. Pasi pati shumë reagime nga njerëz me kurajë, që thonin që i vetmi person që është vrarë atë ditë nuk dekorohet, presidenti më dekoroi edhe mua. Mendova të mos shkoj te presidenti, pstaj vendosa të shkoj. Edhe aty pashë njerëz që nuk i njihja dhe më hipi një irritim akoma dhe më i madh. Pasi dekoroi kameramanë dhe gazetarë, presidenti më thirri edhe mua:
-”Zoti Merkoçi nderohet me Pishtar i demokracisë”.
-Faleminderit ia ktheva.- Nuk kam asgjë personale me ty, por dy llafe do t’i them. Ne si popull jemi distancuar nga Enver Hoxha, ditën që kemi hedhur bustin, ndërsa politika nuk ka patur kurajon civile dhe morale për të mos u distancuar. Për sa kohë që Enver Hoxha mban titullin “Hero i Popullit” nuk mund ta marr këtë dekoratën. Kur ju si politikë t’ia hiqni këtë titull Enver Hoxhës, unë mund ta marr këtë dekoratë.

Cili ishte reagimi i presidentit?
Reagimi tij ishte shumë i ashpër ndaj politikës: “Z.Merkoçi ka të drejtë, sepse politika e bërrylave, ka bërë që edhe projekti i Unazës së Tiranës mban firmën e Adil Çarçanit”. Të gjithë u morën me reagimin e presidentit, por jo pse reagoi ai. Politika edhe sot nuk është dakort që të hiqet titulli për Enver Hoxhën. Për 20 vjet rresht 20 shkrtin e festojnë edhe PD edhe PS.

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës