Berisha risulmon shqiptarët: Të
gjithë bashkëfajtorë me diktaturën

Berisha risulmon shqiptarët: Të<br />gjithë bashkëfajtorë me diktaturën
Pas 25 viteve nga thënia e famshme: “Të gjithë jemi bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë me Diktaturën”, Sali Berisha sulmon sërish gjithë popullin shqiptar.

Lideri historik i Partisë Demokratike ka deklaruar se i qëndron kësaj thënie të tij, majde ai ka arsyetuar  se shumica dërrmuese e shoqërisë shqiptare ishte fajtore për krimet e diktaturës si mbështetëse kryesore e rregjimit komunist. “Ishin bashkëfajtorë.

Nuk ka diktator pa mbështetës, nuk ka kult pa ithtarë. Ne nuk duhet të kemi kurrë frikë të ndalemi analizen e në psikologjinë tonë në diktaturë.

Pjesa tjetër e shoqërisë shqiptare ishte ose e indoktrinuar deri në palcë në atë shkallë sa i riu ushtar vriste familjarin e vet kur i shkonte në vendroje.

Një pjesë e madhe e popullit dhe shoqërisë ishte e indoktrinuar deri në kafshëri, sepse njeriu i indoktrinuar është njeriu që nuk arsyeton, që apriori pranon si të mirëqënia dogmat që servir regjimi,”, tha Berisha gjatë intervistës së dhënë për gazetarin Sokol Balla në emisionin “Top Story”.

“Kam bashkëpunuar me rregjimin”
Por Berisha këtë herë nuk ka kursyer edhe veten e tij, duke e futur në radhët e mbështetësve të regjimit, edhe pse sipas tij në mënyrë pasive si: “Intelektuar konformist”. “Pjesa tjetër isha unë me shokët e mi, me intelektualët të konformuarit, po kundërshtar nuk kishte kund ama.

Nuk dilte kush të protestonte kur varej Havzi Nela, nuk dilte kush të protestonte kur zvarriteshin në Sarandë, dhe jo në vitin 76, po vitin 90, zvarriteshin trupa të rinjsh në Sarandë dhe në Shkodër. Ishte frika do thuash ti, po frika i kishte kanalizuar njerëzit në dy drejtime. Në konformizëm dhe në indoktrinim”, tha Berisha.

Gjithsesi i pyetur për miqësinë e tij me disa prej familjeve të udhëheqjes komuniste, Berisha nuk e ka pranuar këtë fakt, duke u justifikuar me thjesht rreth miqësor të njëjtë apo me profesionin e tij si mjek.
 
sali berisha
 
Pjesë nga intervista ku flitet për rregjimin komunist
 
-Doja t’u bëja një pyetje dhe ma përforcuat me rikonfirmimin e pozicionit tepër të ashpër që ju keni mbajtur pas ngjarjeve të 21 janarit. Pyetja ime është, kur ju akuzojnë se Sali Berisha vret në emër të pushtetit, si ndjeheni?
 
Është një marrëzi e kundërshtarëve të mi. Sali Berisha është një jetë e përkushtuar për paqen dhe shmangien e konfliktualitetit. Që në hapat e para të mia në politikë në të gjithë Europën ish komuniste, unë më takon mirë apo keq, të jem autori i një motoje shumë të fuqishme në atë kohë, ‘opozitarë po vëllezër, bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë’.
 
Ju e mbroni këtë realisht?
Unë e kam mbrojtur me bindjen më të madhe dhe e mbroj sot e sa të jem gjallë.
 
Po kjo është tipike se si politika ndërhynë për të mos vendosur drejtësinë në një vend. Si të mos jemi të gjithë bashkëfajtorë për atë që ndodhi në 50 vite komunizëm z. Berisha? Unë nuk e ndjej veten të tillë, nuk e di për ju.

Unë e ndjej dhe po shpjegoj, nëse kthehemi bashkë në vitet ’90 ca ishte shoqëria shqiptare. Ajo kishte disa dhjetra mijëra të burgosur dhe të internuar, familjarët e tyre të keqtrajtuar, dhe të diskriminuar.

Këta veças nuk kanë bashkëfajësi, megjithëse edhe aty po të hyj mund të them ca gjëra po po ndalem tash te pjesa tjetër e shoqërisë. Çfarë ishte pjesa tjetër e shoqërisë i dashur Sokol? 

Pjesa tjetër e shoqërisë ndahej në xhelatë, që ishin një pakicë, që torturonin, survejonin, manipulonin, ekzekutonin, keqtrajtonin internonin dhe me radhë. Çfarë ishin të tjerët? Ishin bashkëfajtorë.

Nuk ka diktator pa mbështetës, nuk ka kult pa ithtarë. Ne nuk duhet të kemi kurrë frikë të ndalemi analizen e në psikologjinë tonë ne diktature. Psikologjia jonë ishte më mjerania.

Pjesa tjetër e shoqërisë shqiptare ishte ose e indoktrinuar deri në palcë në atë shkallë sa i riu ushtar vriste familjarin e vet kur i shkonte në vendroje, se i thoshte ndalu ndalu dhe herën e tretë i shkrehtë bataretë. Ose vriste të rinjtë në kufi pasi partia kishte hequr ligjin e agjitacion propagandës, dhe kalimin përtej kufirit.
 
Po thoni që i gjithë populli ishte fajtor?
Një pjesë e madhe e popullit dhe shoqërisë ishte e indoktrinuar deri në kafshëri, sepse njeriu i indoktrinuar është njeriu që nuk arsyeton, që apriori pranon si të mirëqënia dogmat që servir regjimi. Nuk e di a e ke parasysh vallet e vdekjes me bustet e Enver Hoxhës kur ne rrëzuam bustet në Tiranë?

Unë s’e harroj kurrë atë. A të kujtohet si u ngrit e gjithë Shqipëria rurale kundra nesh? Ishte e indoktrinuar. Pse nuk u ngrit Tirana, Tirana na shpëtoi ne, se Tirana i kishte shpëtuar indoktrinimit, kishte dalë nga indoktrinimi. Çfarë ishte shoqëria tjetër para viteve ’90?

Pjesa tjetër isha unë me shokët e mi, me intelektualët të konformuarit, po kundërshtar nuk kishte kund ama. Nuk dilte kush të protestonte kur varej Havzi Nela, nuk dilte kush të protestonte kur zvarriteshin në Sarandë, dhe jo në vitin 76, po vitin 90, zvarriteshin trupa të rinjsh në Sarandë dhe në Shkodër. Ishte frika do thuash ti, po frika i kishte kanalizuar njerëzit në dy drejtime. Në konformizëm dhe në indoktrinim.
 
Ju ku e fusni veten?
Në konformizëm, e kam thënë unë me kohë.
 
Konformizëm dakord, po nuk ju kërkoi njeri që të ishit shumë i afërt me familjarët e njerëzve të bllokut.
Ajo ka një koincidencë pasi shokët e mi me të cilët punoja në klinikë kishin miqësi me ta dhe unë jam njohur nëpërmjet tyre. E dyta, kam punuar mjek në klinikë speciale, po gjithnjë duke marrë rrogën në spital. Konformizmi nuk është ajo, as ajo tjetra. Konformizmi është mosguximi të thuash atë që mendon sepse unë po të kisha qënë i indoktrinuar do të thosha kam qënë i mashtruar. Jo nuk kam qënë i indoktrinuar, po i konformuar.

Të gjithë shokët e mi kanë qënë të konformuar. Një pjesë e mirë e inteligjencës ishte e konformuar. Konformizmi i inteligjencës është një shtyllë jashtëzakonisht mbështetëse e diktaturës. Se njeriu i thjeshtë, punëtor, me pak shkollë, thotë kur nuk flet ky ca pune kam unë të flas. Gjatë diktaturës unë kisha një ngushëllim. Gjermanolindorët, dhe ngushëlloja veten, derisa ata nuk ngrihen ku të ngrihemi ne.
 
Pra, ju thoni që keni qënë konformist. Pra në një farë mënyrë po i tërhiqni deklaratat se dikur keni deklaruar që u bëtë anëtar i Partisë Komuniste në ’68...
Po, e mendova se do sulmohej Shqipëria. Është tjetër ajo. Nuk ishte gjë krejtësisht pa baza, pasi ai pushtoi Çekinë dhe kur pushtoi Çekinë e di çfarë reagimi bëri perëndimi? Qesharak.
 
Ishte një gjest patriot anëtarësimi në Partinë e Punës?
Sali Berisha: Absolutisht. Strikt patriot. Sepse në të vërtetë u fol shumë se tani radhën e ka Shqipëria. Natuyrisht një pushtim të huaj nuk mund kurrë të pajtohesha.
 
Ju thatë që konformizmi intelektual është një shtyllë kryesor mbështetëse e diktaturës. Kam një deklaratë nga drejtuesi i fundit i komunizmit në Shqipëri. Ta ndjekim pak. .... ishte Ramiz Alia që tregon momentin e kontaktit me ju dhe faktin që ju ka dërguar sipas tij për të qetësuar studentët. Ma shpjegoni dot si ndodhi kapërcimi nga konformizmi intelektual tek të qënit tribunë e demokracisë?
Së pari, gjatë vitit ’90 unë në një seri shkrimesh dhe qëndrimesh në gazetën Drita, Bashkimi, Zeri i Popullit dhe takim me Ramiz Alinë kisha paraqitur një platformë të tërë që fillonte me lirinë e vendimit, daljen nga izolimi, luftën kundër censurës, autocensurës, vazhdonte me pluralizmin, kërkesën për heqjen e nenit të Kushtetutës që bënte Partinë e Punës forcë hegjemone dhe kjo ishte kërkesa më radikale për pluralizëm, sepse edhe atëherë dhe sot ka njerëz që nuk kuptojnë që pluralizmi është burokratik dhe politik, se pluralizmi burokratik ekzistonte në atë kohë në Jugosllavi, po e vinte Ramiz Alia me çdo kusht, kishte marrë modelin jugosllav.

pra, isha shumë i qartë se çfarë është pluralizmi demokratik dhe burokratik, ndaj dhe unë i kërkoja atij të hiqet neni nga Kushtetuta që i jep Partisë së Punës rolin hegjemon. E vërteta është që atëherë dhe më vonë pati nga ata që nuk e kuptuan se çfarë ishte kjo kërkesë. Ai e kuptoi shumë qartë. Unë e kuptoj se çdo të thotë kjo.

Nëse me atë nen mund të krijojë 30 parti dhe ato mbeteshin si shoqata qeveritare të ministrisë së Drejtësisë. Pra kisha paraqitur një platformë, kisha marrë një vendimi shumë kohë përpara kësaj. Me diktaturën nuk bëhej shaka, as nuk luhej. Nëse vendosje për ti dalë anash, duhet të vendosje të prisje çdo gjë. Dhe unë aboslutisht kisha vendosur çdo gjë për te berë atë që nuk kisha bërë, për të dalë nga konformizmi im.

sali berisha ramiz
Ramiz Alia dhe Sali Berisha
 
Po pse për të dalë nga konformizmi juaj intelektual u desh Ramiz Alia, pse nuk iu bashkuat lëvizjes së dhjetorit?
Një minutë. Ka një gjë këtu të pavërtetë. Ai ishte shumë i saktë në atë. Unë kisha qënë në mëngjes te studentët. Unë iu bashkova dhe për këtë jam i pari bashkë me Kujtim Çashkun dhe Besnik Mustafën që ne sapo morëm vesh u nisëm dhe dolëm në ballë të demonstratës së studentëve, ku për hir të së vërtetës nuk ishim vetëm po dhe 20-30 qytetarë të tjerë që po rrinin në gjest solidariteti me studentët.

Studentët u rrahën. Kështu që nuk me çoi Ramiz Alia te studentët, shkova vetë. Pasi u rrahën studentët, u shpërndanë, u rrahën shumë keq. Ajo që më impresionoi më shumë ishte kjo.

Studentët ishin rrahur në darkë, unë nuk kisha marrë vesh, se atëherë isha kthyer nga Italia, por që guxuan të dilnin prapë në mëngjes ajo ishte për mua lajmi më i jashtëzakonshëm dhe i shihja aty me një admirim të pakufishëm, më dukeshin superherojn. I them Besnikut, do vemë të shohim se mos ka të plagosur. U takuam dhe aty filluam bisedën. Studentët më kishin kërkuar, unë nuk e dija që më kishin kërkuar. Ata në fakt më thanë që kishin kërkuar disa intelektualë, ne të kemi kërkuar ty.

Unë i thashë nuk di gjë, unë erdha vetë. Tani cila ishte biseda me ta? Qëndrimi im ishte vetëm një. Më thonë studentët a do na udhëheqësh? Jo i them unë. Kam pikëpamjet e mia, por ju mbështes ju për pluralizimin politik. Studentët e kishin pluralizmin po kishin një organizatë rinie. Çfarë ishin studentët? Dhe ata ishin shtresë e privilegjuar. Çfarë ishte ajo lëvizje? Ajo lëvizje ishte e bijve. Kundër kujt? Kundër etërve.
 
Lëvizja studentore?!
Po, po. Shoqërinë duhet ta marrim siç ishte. Në universitet, në 200 studentë, një mund të ishte i persekutuar, ishin të gjithë, dhe unë që kisha studiuar dhe e kisha patur familjen time mbështetëse të lëvizjes nacionalçlirimtare, nuk shkoja në universitet përndryshe. Duhet të shkoje me mësime shumë mirë dhe duhet të kishe një bekgraund të shëndoshë politik që të arrije në universitet.
 
Është hera e parë që ju dëgjoj, në shumë intervista që keni dhënë, që sulmoni në mënyrë frontale të gjithë shoqërinë shqiptare para ’90.
Jo, unë nuk sulmoj shoqërinë. Unë besoj që ata që më dëgjojnë më japin shumë të drejtë, sepse më fal, marrim shembullin tjetër. A kishte gjë më të tmerrshme se sa 4-5 mijë vetë u futën në ambasada me një heroizëm të jashtëzakonshëm, kurse ne të tjerët nuk bëmë dot protestën.

Ai ishte momenti që mund të përmbysej regjimi. Dhe ne në vend se të shfrytëzonim atë moment, të dilnim në shesh dhe ti jepnim fund diktaturës, i dhamë mundësi Ramizë Alisë, i mori dhe me OKB dhe karvan ushtarak i përcolli jashtë.

Ata bënë detyrën, ne nuk e bëmë detyrën. Historinë duhet ta shohim siç ishte, jo siç na pëlqen. Më thanë ne ju kemi kërkuar, jo i them kam ardhe vet se unë ju mbështes po ju them Azem cilat janë kërkesat.Ju them pluralizëm politik, dhe po ashtu po diskutojmë me të.

E mori Besniku dhe po e sqaronte pasi jam ndarë me ta më thonë dy kërkesa kemi për ty. E para, shokët në spital e dyta në burgje. I them për në burgje nuk ju ndihmoj dot se nuk kisha njohuri. Për në spital mos kini merak se absolutisht kujdesi më maksimal. I them Besnikut, e më thotë ku do shkojmë? I them në Komitetin e Partisë.

Më thotë çfarë do bëjmë aty? Aty do kërkojmë lirimin e studentëve. Më thonë këta u thuaj që nëse nuk i lirojnë deri në orën 03.00 ne do të zbresim që të gjithë në sheshin Skënderbej dhe do thyejmë çdo gjë, do bëjmë një demonstratë të fuqishme. Dhe unë ua thashë. Si përfundim, për hir të së vërtetës filloi lirimi i tyre.

Tani bëhet një mbledhje ku ishte dhe Robert Koli.Roberti qe vetë kur i rrahën studentët. Në analizën time dhe ai u mërzit për atë rrahje që u bë. U bë një rrahje suhmë e keqe. Dhe unë bërtita aty, u thashë që do denoncoj para gjithë botës se kjo është një kafshëri. Këta nuk po bënin asgjë.
 
Po në fakt ajo që bëtë zoti Berisha është që shkuat përballë studentëve, ndoshta jo atë natë, një natë më vonë. Dhe lavdëruar Ramizë Alinë?
Unë i kam gjërat e kthjellta. Pas Komitetit të Partisë ata fusin atje ushtrinë, fusin këto, u them që çoni vendin në luftë civile, e vetmja rrugë është që të plotësoni kërkesat. Kaq kisha unë me ta. Xhelili i thotë Ramizit dhe Ramizi kërkon dhe thotë po do shkojmë. Thotë Besniku ku? Atje i them unë dhe me kënaqësi e them se natyrisht tani pasi më kishte agresuar në mënyrë të padenjë në takimin me intelektualët, tani ai po më kërkonte mua dhe unë po i shkoja tani.
 
Tani ishte radha ta përdornit ju Ramizin?
Sa të mundesha. Në çkuptim? Derisa më thirri tregoi dobësi, jo forcë.
 
Ai kërkoi ndihmë, patjetër.
Pa diskutim që më thirri. Ky i kishte rrah pasi i kishte takuar një natë përpara. Ua kishte nxjerrë policinë pas takimit dhe i kishte zhdëp në dru. Njeri në botë lajmësin nuk e rrah përveç teje. Shumë e vërteët i thashë, as me kanun e as me ligj lajmësi nuk preket.

Dërgata nuk preket më fal. Ata thotë ia morën revolen një oficeri. Po pse i them unë me një revole do bëjnë revolucion ata? Si përfundim biseda qe e shkurtër e më thotë, shiko unë jam gati ti pres. Kur të duan. Dhe i them, ti presësh po kërkesat e tyre duhet të merren parasysh. Le të vijnë thotë, po të shkojnë në mësim.

Tani këtu është një moment. Unë nisem me Besnikun ai kishte bërë pëllëmbë e ushtarë. E kishte rrethuar Qytetin Studenti në mënyrë të pabesueshme. Më tha që ka dhënë urdhër të lirohen të gjithë studentët, studentët ndërkohë po përgatiteshin të zbrisnin në shesh. I them Azem kjo nuk mund të ndodhë, se dhe më autorizuar që të shkoj e tani po zbrisni. Halli im më i madh ishte se ata do i bënin fërtele. Ishin përgatitur. Ne u thamë këtë, ata bëheshin më agresiv. Tani i them do i qëndrosh fjalës. Dhe i qëndroi plotësisht.

Përsëri ajo që u bë, pluralizmi politik, përsëri në darkë që ta dish Sokol e që ta dinë të gjithë, ata kanë pasur një diskutim shumë të madh. Dhe ka pasur prej tyre që kanë shkruar, e kanë bërë mirë që kanë shkruar sepse dilnin kundër etërve. Azemi me dy të tjerë e kanë mbrojtur deri në fund pluralizmin politik.

E kanë shprehur listën e kërkesave më datën 10 në sheshin Skënderbej, e vërteta është se më datën 10 në orën 10.00, ndodhi çdo gjë. Kjo është vepër e studentëve dhe ata këto kërkesa i mbrojtën, i realizuan. Kështu që Ramiz Alia për ta mbyllur problemin e tij. Çfarë ishte? E ka përshkruar shumë bukur një amerikan i famshëm, i cili në një analizë të tij e përshkruan “to little, to late”.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Gol dhe asist i Sakas, Arsenal e nis me shkëlqim Premier League! Slot dhe Liverpool fitojnë në debutim (VIDEO)

Gol dhe asist i Sakas, Arsenal e nis me shkëlqim Premier League! Slot dhe Liverpool fitojnë në debutim (VIDEO)