Berisha, sfidë ndërkombëtarëve
Ndryshon në Kuvend KQZ-në
Ashton takon Nishanin,Berishën

Berisha, sfidë ndërkombëtarëve<br />Ndryshon në Kuvend KQZ-në<br />Ashton takon Nishanin,Berishën
TIRANË – Kryeministri Berisha nuk pyet për ndërkombëtarët dhe për më tepër për SHBA, teksa përkundër thirrjeve të tyre ndërmerr rrëzimin e anëtarit të KQZ përfaqësues të ish-aleatit të tij Meta në qeverisjen katër vjeçare, për të emëruar në vendin e tij përfaqësuesin e aleatit tradicional, PR të drejtuar nga Fatmir Mediu.

Pas 12 orë debatesh Parlamenti shqiptar miratoi mbrëmë, në orën 22:47 minuta, shkarkimin e anëtarit të KQZ, përfaqësues të LSI Ilirian Muho dhe emërimin në vend të tij përfaqësuesin e PR, Klement Zguri.

Mazhoranca e drejtuar nga Berisha me tre votat e ish deputetëve socialistë, përkatësisht Kastriot Islami, Asllan Dogjani e Gjovalin Kadeli si dhe të ish-deputetit të LSI, tashmë i pavarur Dritan Prifti, arriti t'i bënte votat për të rikonfiguruar KQZ, pavarësisht paralajmërimeve të ndërkombëtarëve dhe përkatësisht të ambsasadorit të SHBA, OSBE dhe BE.  Ndërsa përballë kishte bojkotin e opozitës.

Për mbështetjen që i bënë mazhorancës, Kryeministri Berisha iu premtoi atyre "besnikëri dhe bashkëpunim afatgjatë" ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama ka reaguar në Facebook pas votimit: "Kjo ishte njësoj si zgjedhja President në kokë të vet në '96! Ishte fillimi i fundit atëherë, fillimi i fundit ishte dhe sot".

Pikërisht pak orë pas thyerjes së rëndë diplomatike në Tiranë vjen dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë dhe Zëvendespresidente e Komisionit Europian, Catherine Ashton.
Fillimisht ajo zhvilloi një takim me Presidentin Bujar Nishani dhe më pas do të takohet edhe me kryeministrin, kryetarin e opozitës ndërsa në 13:00 pritet të ketë një konferencë për shtyp.

Debatet në Kuvend gjatë mbrëmjes së djeshme janë zhvilluar paralelisht me dy takime të Kryeministrit Berisha në selinë e Qeverisë: i pari, me Ambasadorin amerikan Arvizu dhe i dyti, me kryeparlamentaren Topalli.

Ndërkohë që dje paradite Ambasadori amerikan deklaroi se: “Ndryshimi i rregullave në mes të lojës, në mes të procesit, është mënyra e gabuar për të kthyer besimin e qytetarëve në zgjedhje” ndërsa BE shprehu shqetësimin "lidhur me pasojat e mundshme të një votimi në parlament tek besimi i njerëzve në procesin elektoral".       

Për 12 orë, nga paraditja e djeshme deri rreth orës 23:10  Kuvendi u bë fushë betejash të ashpra ndërmjet deputetëve të majtë dhe të djathtë lidhur me kërkesën e PD-së për shkarkimin e komisionerit të LSI-së, Ilirjan Muho, nga KQZ-ja. Rreth orës 22:40 minuta (15 prill) , kur kryetarja Topalli vendosi të ndëpresë diskutimet dhe ta hedhë çështjen në votim, ajo miratoi largimin e opozitës nga salla dhe kërkoi edhe ndihmën e Gardës për të nxjerrë jashtë një prej deputetëve të fundit, pikërisht Gazmir Bizhgën, që i ishte afruar Kastriot Islamit, që qëndronte në sallë. Për këtë veprim, Islami sqaroi se më pas "se ishte kërcënuar nga kolegu i tij".    

Që nga paraditja e deri rreth orës 22:40, të dyja palët kanë sjellë argumenta, juridikë dhe politikë për këtë “shkarkim, lirim apo zëvendësim” të komisionerit, element ky që nuk u përcaktua që në fillim të seancës plenare.

Të djathtët e kanë mbrojtur kërkesën me idenë e barazpeshës së institucionit deri në orët e fundit para hapjes së votimit, që sikurse theksoi kryetarja e Kuvendit, Topalli “KQZ nuk është i pavarur, por i barazpeshuar”. Mirëpo, në mbrëmje, rreth dy orë para hapjes së votimit, shumica ndryshoi qëndrimin e saj ndaj Muhos, duke kërkuar lirimin e tij për shkak të fshehjes së të dhënave, shkarkimit të tij nga ish-Presidenti Moisiu kur ishte kryeprokuror i Fierit.  

Të majtët e kundërshtuan zëvendësimin e komisionerit të LSI-së me idenë se kërkohet të ndërhyhet në pavarësinë e institucionit pa u mbështetur në asnjë nen të Kodit Zgjedhor apo marrëveshjes së vitit 2012 ndërmjet forcave politike.

Boshtin e debateve e ka mbajtur ndezur gjatë gjithë kohës, ndërhyrjet e shpeshta të Kryetares së Kuvendit, Topallit, e cila herë nga foltoja e Kuvendit e herë nga podiumi, e ka argumentuar shkarkimin e Ilirjan Muhos si me prishjen e balancës së institucionit, ashtu edhe faktin se ai nuk kish moral për të qënë në atë institucion, pasi ishte një prokuror i shkarkuar nga ish-Presidenti Moisiu për lirimin e një trafikanti të dënuar nga gjykatat italiane.

Topalli ka ndërhyrë pas fjalës së deputetes së PS-së, Klodiana Spaho: "Tek ju të PS-s ndodh shpesh që të më hapni mua fushatën e pastaj të përfundoni në radhët e PS-së. Keni pasur një Seseri, p.sh."

Më pas, ajo ka sulmuar edhe deputetin socialist Fidel Ylli, me fjalët “Z.Ylli, as ty nuk të dalin mirë llogaritë. Edhe ti ke gënjyer Komisionin e Rregullores. Unë po pres dosjen tënde, dosje shumë e rëndë, më beso, për ato 700 mijë eurot e pajustifikuara. Më beso, i ke keq punët”, - i ka mëshuar fjalës, Topalli.



(VIDEO E TV A1 REPORT: Cfare ndodhi dje ne Kuvend)

DEBATET NE KUVEND, DHE JASHTE, 15 PRILL 2013

ORA 24:33 BYROJA E KUVENDIT NDESHKON DEPUTETET: BIZHGA, DEDA, ÇUKO DHE TAHIRI
Byroja e Kuvendit nën drejtimin e Kryetares se Kuvendit, ka vendosur rreth orës 24:00, "ndalimin për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në Komisione, të deputetëve Gazmir Bizhga, Ndrec Deda dhe Arben Çuko për 21 ditë dhe për deputetin Sajmir Tahiri për 14 ditë.

Vendimi u publikua në faqen zyrtare të Kuvendit, në të cilën thuhet se "Byroja e Kuvendit mori në shqyrtim veprimet e dhunshme të deputeteve Gazmir Bizhga, Ndrec Deda, Arben Çuko dhe Sajmir Tahiri. Këta deputetë me veprime të dhunshme tentuan të pengonin deputetët që të ushtronin funksionin e tyre kushtetues për të votuar çështjet e rendit të ditës. Deputetët e mësipërm ju morën kartat e votimit, tre deputetëve.

Veprimet e mësipërme të dhunshme për të mos lejuar deputetët për të votuar, u shoqëruan edhe me kërcënime e fjalë fyese ndaj këtyre deputetëve.
Pas vlerësimit të këtyre rrethanave, në unanimitet, Byroja e Kuvendit mbështetur në nenin 65 pika 2 të Rregullores vendosi ndalimin për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në séance plenare dhe në Komisione të deputetëve Gazmir Bizhga, Ndrec Deda, dhe Arben Çuko për 21 ditë, dhe për deputetin Sajmir Tahiri për 14 ditë".

ORA 23:30 RAMA: NJESOJ SI ZGJEDHJA PRESIDENT NE KOKE TE VET NE 1996

Kryetari i PS-së, Edi Rama ka reaguar në Fb pas votimit: "Kjo ishte njësoj si zgjedhja President në kokë të vet në '96! Ishte fillimi i fundit atëherë, fillimi i fundit ishte dhe sot".

ORA 22:55 ISLAMI: ZNJ.TOPALLI, MOS U MERRNI ME KOLEGUN TIM TE PS QE ME KERCENOI
Ish-deputeti i PS-së, Kastriot Islami, sqaroi në foltore votën e tij pro ndryshimeve në KQZ duke e argumentuar me kundërshtitë që ai ka lidhur me programin e PS-së në zgjedhje dhe mënyrën e sjelljes së kryetarit të PS-së, Edi Rama. "Unë votova pro lirimit",- tha ai, -"sepse kam kuptuar se ai program nuk ishte program im. Znj.Topalli, ju lutem mos u merrni me kolegët e mi, pavarësisht se njeri prej tyre më kërcënoi, Unë e toleroj atë, unë do vazhdoj me qetësi dhe maturi të jap kontributin tim fare modest në këtë Kuvend", - tha islami. 

ORA 22:55 DOGJANI: VOTOVA PRO, SE E NJOHA EDI RAMËN SI NJERI PA VLERA
Deputeti socialist Asllan Dogjani, i cili e bashkoi votën e tij me PD-në, sqaroi votën e tij kundër socialistëve. "Ky është një vend me demokraci jo të konsoliduar dhe anëtarët e KQZ-së nuk janë të pavarur nga partitë", - tha ai. -"Unë e njoh vetë Ilirjan Muhon, kam qënë drejtor i policisë kur ai ka liruar nga burgu një të dënuar me burgim të përjetshëm. Kjo është arsyeja për të cilën unë votoj pro lirimit të tij. Unë i kuptoj kolegët e mi, sepse unë nëpërmjet televizorit nuk e kam njohur Edi Ramën, por tani që e njoh nga afër kuptoj se është një prostitutë politike, pa vlera, pa vizion. Unë votova se shqiptarët kanë të drejtë të dinë se meritojnë një Komision Qëndror të pavarur", - tha ai.

ORA 22:50 DEPUTETËT E PS, SHERR ME ISLAMIN, DOGJANIN E KADELIN: “PLEHRA”
Sapo ka rënë “gongu” i Topallit për të votuar, ka plasur sherri në fund të sallës ku ishin vendosur 3 ish-deputetët e PS, Islami, Dogjani dhe Kadeli. Deputeti i PS Gazmir Bizhga ka kërkuar me insistim që tre ish-deputetët e PS të dalin jashtë sallës dhe të mos votojnë rrëzimin e KQZ. Me Bizhgën u bashkua dhe deputeti Ilir Bejtja që u janë drejtuar me fjalë fyese tre ish-deputetëve duke u thënë: “plehra, legenë, shk.., bq...”, sharje nga familja e duke u thyer dhe kartat elektronike. Ndërsa te dy deputetët e tjerë kanë qënë Tahiri, Deda, Kola e Malaj të cilët kanë përsëritur të njejtat fjalë, duke u larguar. Ka ndërhyrë Topalli e Garda që nxorën nga sikleti tre deputetët, ndërsa Islami ka shkuar në thellësi të grupit të PD. “Do mbledh Byronë. Ndaj atyre horrave që kërkojnë të kërcënojnë deputetët do marr masa”, tha Topalli duke akuzuar PS se dhunon votën e lirë pasi kërkon të mos lejojë deputetët të votojnë. Ndërsa Dogjani ka shpjeguar votën “pro” si votë për ligjin. Islami tha se ndjen keqardhje për PS, por i kuptonte sepse donin të futeshin në
lista, por që i falte megjithëse njëri nga deputetët e kishte kërcënuar sipas tij.

 gazmir bizhga sherr me islamin  ne kuvend
(Foto: Pas votimit Gazmir Bizhga tek tavolina e Islamit i flak karten elektronike te votimit) Shikoni VIDEON/ FOTO


gazmir bizhga hedh karten elektronike te kastriot islamit
(Foto: Pas votimit Gazmir Bizhga tek tavolina e Kastriot Islamit i flak karten elektronike te votimit të Kastriot Islamit, foto me rreth)

ORA 22:47 BERISHA SIGURON VOTAT VOTON SHKARKIMIN E MUHOS
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rreth orës 22:47, lirimin nga detyra të komisionerit të LSI-së në KQZ, Ilirjan Muho me 73 vota pro dhe një abstenim si dhe zëvendësimin e tij me Klement Zgurin e PR-së me 74 vota pro. Një votë më shumë ka ardhur nga deputeti Dritan Prifti. Votat janë siguruar edhe me mbështetjen e dy ish-socialistëve, Kastriot Islami dhe Asllan Dogjani, të cilët nuk ngurruan ta argumentonin votën e tyre dhe të shfaqnin papajtueshmëritë me kryetarin e PS-së, Edi Rama.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI