Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me fermerët në Belsh. Ai u shpreh se është e nevojshme që qeveria të subvencionojë fermerët në mënyrë që të përballohen kostot dhe prodhimi të jetë në përputhje me standardet.
“Nëse ashtu siç ju e përmendët, ishin vetëm fillimet, ne u morëm me të gjithë mundësitë tona për të krijuar infrastrukturën e duhur për ju. Subvencionet duheshin shumëfishuar. Por qeveria duhet të subvencionojë të gjitha prodhimet. Qeveria nuk bën shpikje apo bamirësi. Bën atë që bën çdo qeveri përreth, duke nisur nga bimët, perimet, dhitë, delet, i subvencionon. Po pse? Që të përballoni koston dhe ju të fitoni të prodhoni në përputhje me standardet. T’ju them diçka, një shkrimtar francez në fund të shek. 19 udhëtoi në perandorinë otomane. Shkroi se gjeti ushqim të shijshëm. prodhimet tona janë të shijshme, kemi toke pjellore të bekuar”, tha ai.
Berisha tha se shkak i problemeve të bujësisë është qeveria Rama pasi zbaton “politikën” e subvencionit zero. Berisha tha se në 2013 Shqipëria u shndërrua në eksportues të produkteve blegtorale, kryesisht me bazë qumështin ndërsa sot nuk konkurron dot me Serbinë e as Kosovën, duke importuar qumësht, djathë e vezë.
“Në 2013 arritëm të ishim eksportues qumështi dhe vezësh falë punës suaj. Është rrit sot importi i qumështit, djathit kosit nga Serbia me 250%. Ky na flet për Ballkanin e Hapur. Ne jo Serbinë por as Kosovën nuk konkurrojmë dot, se ata marrin 450 euro për hektarin e grurit. Serbia e subvencionon 80 herë më shumë. A duhet t’i themi ndal kësaj rrokullie? S’mund të jeni ju dhe familjet tuaja që jetoni me çurg djerse në konjukturat e motit apo të kohës”, tha Berisha.
Berisha ka folur edhe për ligjin e pronave 7501 që u përdor për të bërë rishpërndarjen e tokës së shtetëzuar nën regjimin komunist. Ish-kryeministri u shpreh se ligji nuk ka qenë i drejtë dhe ka prodhuar shumë situata të pakëndshme, por në kohën ku ndodhej Shqipëria ka qenë i imponuar.
Berisha madje shpjegoi shembullin bullgar që përdori të njëjtin ligj, por e rrëzoi më vonë duke bërë një rishpërndarje të re, por kjo skemë sipas tij nuk mund të aplikohet tek ne.
“Unë e kuptoj por mendoj se çdo gjë duhet ta gjykojmë me kohë. Në kuptimin që po marr një fshat në të cilin në vitet 90 jetonin 300 banor, nëse 200 prej tyre mbeteshin pa tokë, asnjë lloj potenciali s’kishte shteti për t’i ndihmuar ato. Ai lloj mekanizimi u përdor, nuk u shpik, por që nuk ishte i drejtë. Toka atij që punon dhe jeton aty, ky parim u përdor në atë ligj. Bullgaria përdori të njëjtin ligj, por e ndryshoi më vonë.
Por Bullgaria ka sipërfaqe toke për frymë, ka mundësi 10 herë më shumë se Shqipëria. Mos harroni se nëse ka një gjë që ne e kemi pak për frymë, është toka. Është disa qindra metra për frymë, është më e ulëta në Evropë. Unë e di që s’ka qenë i drejtë ligji por ka qenë i imponuar nga rrethanat”, tha Berisha.