Takimi i parë pas shumë vitesh (saktësisht viti 2007) do të mbahet në kryesinë e Kuvendit, institucioni nga ku gjithmonë kanë dalë emrat e presidentëve të vendit që pas vitit 1997.
“Kemi marrë ftesën për takim dhe kemi pranuar. Ndoshta është vonë, por më mirë vonë se kurrë”, ka deklaruar Rama në intervistën e tij.
Bëhet e ditur se ditën e premte dy të mandatuarit për negociata, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi kanë diskutuar edhe për formatin e takimit.
Nga PD në takimin për garën presidencaiel do të jenë kryeministri dhe njëherësh kreu i PD, Sali Berisha si dhe kreu i grupit kuvendor Astrit Patozi.
Ndërsa, Rama në takimin e dytë me Berishën pas 5 vjetësh do të shoqërohet nga kreu i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi.
Si u arrit dakordësia për tu takuar të dielën me kryeministrin Berisha?
S’ ka asgjë të posaçme, kemi marrë ftesën për takim dhe kemi pranuar, sigurisht është e vonuar, por më mirë vonë se kurrë.
Takimi do të jetë ekzluzivisht për çështjen e Presidentit apo do të diskutohen edhe tre çështjet e tjera që PS ka propozuar, që lidhen me reformën zgjedhore, atë parlamentare dhe me çështjen e imunitetit?
Pak ditë më parë qoftë unë, qoftë kryeministri, kemi marrë një letër nga komisionari për zgjerimin, Stefan Fule dhe në atë letër praktikisht trajtohen pikat për të cilat ne kemi kërkuar që të ketë tryezë dhe të ketë përpjekje për t’i zgjidhur të gjitha së bashku, por sigurisht një e nga një. Ndërkohë që padyshim në takimin e së dielës do të diskutohet pika që është në rendin e ditës të parlamentit, ajo që lidhet me zgjedhjen e një presidenti i cili sipas nesh dhe sipas miqve dhe partnerëve ndërkombëtare, por edhe sipas vetë aspiratave të vetë opinionit publik, duhet të jetë konsensual.
Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky takim?
Sigurisht që ne shkojmë në takim me vullnetin e plotë për t’i dhënë zgjidhje çështjes së zgjedhjes së Presidentit, apo Presidentes së re të Republikës. Kjo do të thotë që pritshmëria jonë është që përmes dialogut dhe konsultimit të mund të dakordësojmë për modalitetet dhe padyshim edhe për një emër të përshtatshëm, i cili duhet të jetë emri i një personaliteti publik, që të mos jetë noter partiak, as i PD dhe as i PS.
Një dakordësi e gjetur të dielën, a do të përkthehej që të hënën kur parlamenti të votojë, Shqipëria do ta ketë Presidentin e ri të Republikës?
Kjo do të ishte padyshim më e mira që mund të ndodhte dhe për sa na takon ne do të bëjmë çdo përpjekje dhe do të shprehim vullnet të plotë që më e mira të bëhet.
Nga Vlora kryeministri Berisha deklaroi dje, ose më saktë la të kuptohet se është i gatshëm të bëj disa lëshime ndaj opozitës. Çfarë lëshimesh prisni?
Këtu nuk bëhet fjalë për lëshime ndaj opozitës. Opozita nuk po kërkon dhe as nuk synon që të ketë një president, i cili të përfaqësojë opozitën. Nga ana tjetër sigurisht nuk synojmë të imponojmë apo të kushtëzojmë procesin e dialogut me emra që janë të njëanshëm, sado që në këndvështrimin tonë mund të jenë plotësisht të respektueshëm. Këtu bëhet fjalë për të bërë të gjitha lëshimet e nevojshme dhe për të arritur aty ku të gjithë së bashku duhet të arrijmë, që Shqipëria ta kalojë këtë provë me sukses dhe të ketë të nesërmen e zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së Republikës, një kryetar shteti që i përfaqëson të gjithë, që mishëron unitetin kombëtar dhe që përbën një dëshmi të parë të faktit se me vullnet të mirë ne mund t’ ja dalim në funksion të marrjes gjithashtu së statusit të vendit kandidat në BE dhe në këtë moment historik që lidhet me 100 vjetorin e Pavarësisë.
Meqenëse jemi tek emrat, a shkon kryetari i opozitës në takimin e së dielës me kryeministrin Berisha me një emër apo me disa emra konkret për t’i propozuar në tryezë?
Në qoftë se ka diçka në këtë periudhë me të cilën unë bie dakord me kryeministrin, është që eksperienca e vitit 2007 nuk duhet të përsëritet në një defekt të vetin, që kishte të bënte me transformimin e tryezës, në një tryezë ku vërtiten një pafundësi emrash që ngrihen dhe bien aty për aty. Prandaj bazuar dhe në atë eksperiencë, dialogu do të ndërtohet mbi disa modalitete, duhet të bihet dakord për çka duam të arrijmë dhe sesi mund ta arrijmë dhe pastaj nga procesi, i cili mund të jetë shumë i shkurtër, mund të jetë pak më i gjatë, mund të zgjas sa mund të zgjas një takim i vërtetë pune dhe bashkëpunimi, por mund të zgjas edhe pak më shumë, të dilet tek emri. Dhe jo anasjelltas.
Folët për procesin, mendoni që një takim në mbrëmje në orën 20.30 minuta, vetëm pak orë nga votimi i dytë në parlament, është pak paragjykues në vetvete, për hir të së vërtetës, pasi koha nuk është e mjaftueshme. Pra unë do doja t’ ju pyes, a do të keni kohë të mjaftueshme në dispozicion të dielën për të arritur diçka?
Sigurisht që ne do të kishim dashur që ky takim të ishte bërë më parë, do kishim dashur që ky takim të ishte duke u zhvilluar edhe tani që po flasim. Padyshim që një takim i një ore kaq të vonë dhe me një kufi kaq të afërt me raundin e dytë, nuk duket të jetë gjëja më e mirë që mund të ndodhte në pikëpamjen e planifikimit. Por nuk dua që të paragjykoj dhe me gjithë vullnetin e mirë dëshirojmë që të kontribuojmë duke ja dal për të mirën e vendit, për të mirën e njerëzve që përfaqësojmë por edhe për të mirën e një jete politike e cila duhet të ndryshojë cilësisht dhe duhet të kthehet në një jetë që prodhon ato çka shqiptarët presin dhe jo mbiprodhon atë çka shqiptarët me të drejtë i ka neveritur nga politika shqiptare.
Në këndvështrimin tuaj cila do të jetë e ardhmja e kandidatit të propozuar nga mazhoranca, e zotit Zaganjori?
Më lejoni t’ju them se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim kandidaturën e zotit Zaganjori, ashtu siç nuk do të kishim mbështetur dhe nuk do të mbështesim asnjë kandidaturë që vjen në mënyrë të njëanshme, pa dialog, pa proces dhe pa vullnetin për të qenë shprehje e një konsensusi mes palëve. Sigurisht që në këtë aspekt është shumë e rëndësishme të ritheksohet se procesi nuk ka një rëndësi formale, por ka një rëndësi thelbësore, në mënyrë që të gjitha palët jo vetëm të jenë të përfshira por edhe të marrin përgjegjësinë përkatëse për zgjedhjen që parlamenti do të bëj, në rast se ajo do të jetë konsensuale në raport me publikun dhe me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë. Një president konsensual është njëkohësisht edhe mishërimi i një përgjegjësie të përbashkët.
Le të ndalemi në një tjetër aspekt zoti Rama. Cilat kanë qenë marrëdhëniet me LSI dhe konkretisht me Ilir Metën gjatë këtyre ditëve? Pasi kemi parë zotin Meta shumë aktiv në takime, në negociata, jo vetëm për çështjen e Presidentit.
Ka pasur shumë fantazira dhe shumë spekulime, të cilat sigurisht janë të natyrshme, aq më tepër në një vend si i yni ku ka shumë terren pjellor për të gjitha teoritë e konspiracionit. Por e vërteta e thjeshtë është se ne kemi ndërtuar një komunikim dhe besoj që ky komunikim ka sjellë si rezultat të parë, kalimin nga një kandidaturë unilaterale politikisht shumë e skalitur dhe njëkohësisht tërësisht e papranueshme për ne, në një terren në të cilin ka hapësirë për dialog, ka hapësirë për konsultime dhe pa dyshim ka hapësirë për kompromis.
Askush nga ne nuk pret që kandidatura e kompromisit të jetë një kandidaturë prej të cilës ne të fërkojmë duart duke thënë se e imponuam, por nga ana tjetër kjo gjë duhet të jetë e njëjtë edhe për palën tjetër. Presidenti apo Presidentja e re e Republikës duhet të jetë një figurë e cila të ketë dakordësinë e palëve po në asnjë rast të mos jetë me hijen e njërës palë mbi veten.
Gjatë intervistës zoti Rama, keni përsëritur disa herë termin kandidate. Mos ka ndërmend Partia Socialiste një kandidate femër?
Jo, unë besoj se është shumë e rëndësishme që në këtë proces të bëhet e qartë se Shqipëria jo vetëm ka burra, të cilët mund ta përfaqësojnë si mishërim të unitetit kombëtar të popullit shqiptar, çdo njëri nga ne në zyrën e kreut të shtetit, por ka dhe gra që mund të bëjnë po aq mirë të njëjtën gjë. E në fund të fundit duke qenë se popullsia e vendit tonë është e përbërë nga burra, po aq sa dhe gra, është e natyrshme që në respekt të gjysmës së popullit shqiptarë të lihet e hapur dera edhe për një Presidente të re të Republikës.
Do t’i rikthehem çështjes së bashkëpunimit me opozitën, pasi përmendët se ka shumë ide konspirative. Pyetja ime besoj se do ti sheshoj sado pak këto ide dhe do doja t’ ju pyesja më konkretisht zoti Rama. A po përpiqet PS të krijojë një marrëdhënie me LSI që do çonte drejt një koalicioni të mundshëm në zgjedhjet e 2013?
Partia Socialiste është në opozitë, LSI është në pushtet. Është një palë në qeveri dhe ne sot jemi në përpjekje të vazhdueshme për të komunikuar me të gjitha palët në qeveri, kështu që këtu nuk ka vend për spekulim. Ashtu sikundër është e qartë, që në rast se LSI nuk do të ishte në qeveri, por do të ishte në opozitë, padyshim do të ishte detyra jonë që të kërkonim rrugën dhe të eksploronim çdo mundësi për një koalicion të madh opozitar, ku të përfshihej edhe LSI.
Do të zgjidhnit një president të propozuar nga PS më bekimin e PD, por jo të LSI?
E përsëris dhe njëherë tjetër, ne prej muajsh i kemi vendosur publikut përpara vizionin tonë dhe kemi parashtruar edhe kriteret që pak a shumë përvijojnë identikitin e Presidentit të Republikës. Duke e thënë qysh në krye të herës se Presidenti i Republikës apo Presidentja e Republikës nuk mund të jetë një figurë që është identifikuar fortë me një palë politike, e përkatësisht me Partinë Demokratike. Por kjo vlen qoftë për PD, qoftë për LSI dhe qoftë për Partinë Socialiste
VLORE, BERISHA: RAMA LE TE SJELLE KANDIDATIN
Nga qyteti i Vlorës, ku ishte i pranishëm dje në një takim me strukturat e PD-së kryeministri shpjegoi arsyet pse vendosi të propozonte një kandidaturë jashtë politikës për postin e presidentit, dhe e fton Ramën të parqesë kandidaturat e tij për kreun e ri të shtetit por fillimisht, të ketë paraqitur vërejtjet e tij për kandidaturën e Zaganjorit. "Unë do të doja që kandidati të ishte një nga bashkëpunëtorët e mi më të mirë, por arsyeja kërkon që të respektosh kundërshtarin. Nuk e grisim marrëveshjen me LSI-në."
ZAGANJORI KANDIDATURE E KUJDESSHME
Berisha mbrojti kandidaturën e Zaganjorit, si një “përzgjedhje e kujdesshme dhe me përgjergjshmëri dhe që për herë të parë ka marrë një miratim universal në opinionin publik shqiptar“Në përputhje me kushtetutën, e cila parashikon që në tre raundet e para, duhet që kandidati apo kandidatja të marrë tre të pestat, ne bëmë përkujdesjen më të madhe për të përzgjedhur një kandidat, i cili nuk mund te refuzohej për anësinë e tij partiake, një jurist, një diplomat që nuk ka qenë qoftë edhe nje ditë të vetme në forcën kryesore politike të mazhorancës, por ka qenë një shërbëtor i vërtetë i kombit të tij, një përfaqësues i shkëlqyer i diplomacisë shqiptare.. i drejtësisë shqiptare për kohën që është ngarkuar, por edhe një nga pedagogët më të shquar të universiteteve tona nga vitet ’80.”- deklaroi Berisha.
NUK PERSERITEM GABIMET E SE SHKUARES
Kryeministri shtoi se në përzgjedhjen e këtij emri nuk u ndoqën gabimet e së shkuarës “U nxorën mësime nga praktikat e shkuara. Unë ju them ju që në vitin 2007 përzgjedhja e presidentit të republikës ka qenë absolutisht e padenje sepse aty uleshin përfaqësuesit kryesorë të forcave politike dhe gradonin dhe zhgradonin emra dhe personalitete sikur të ishin jo politikanë që duhet të dëshmonin respektin më të madh ndaj tjetrit, por sikur të ishin Zeus që bënin natën dhe ditën, bënin fortunën dhe diellin, pra të gjitha, çka nuk mund të përsëritej më. Të gjithë ne që kemi marrë pjesë në atë proces dhe që kemi marrë pjesë edhe në procesin tjetër e kemi ndjerë veten të turpëruar nga ajo procedurë aspak dinjitoze dhe njeriu kur gabon nxjerr mësime dhe nuk përsërit të njëjtin gabim.”- tha Berisha.
U TERHOQA PER HIR TE KONSENSUSIT, MAZHORANCA NUK I KA 3/5
Berisha sqaroi dhe arsyet pse kishte zgjedhur që kandidatura të mos ishte eksponent politik i PD-së pasi PS nuk mund ta mirëkuptonte ndërkohë që qëllimi i mazhorancës ishte një kandidat i cili do të votohej edhe nga opozita. “Ky ishte edhe përcaktimi i Kushtetutës. Kushtetuta përcakton në raundin e parë, të dytë dhe të tretë, tre të pestat. Mazhoranca jonë nuk i ka tre të pestat, ndaj dhe ne përzgjodhëm si aleat, një kandidat që sintetizonte në një, diplomacinë, botën universitare dhe drejtësinë dhe absolutisht dua tu them ju këtu dhe dua që ta dinë edhe qytetarët e Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë se menjëherë sapo është përzgjedhur i kam kërkuar zotit Patozi që ti kërkojë takim zotit Ruci, të konsultohet me të, tia paraqesë kandidatin. Zotit Ruci i kërkoi takim, por takimi u përcaktua për të nesërmen. Përsëri unë i kërkoj zotit Patozi që sërish të lidhej me zotin Ruci sepse nuk duhej të merrej vesh nga media, pasi duhet të konsultoheshin, por përsëri zoti Ruci refuzoi takimin atë natë dhe tha se takimi do të bëhet vetëm ditën e nesërme në kryesinë e kuvendit.”- shtoi më tej Berisha.
Ai shtoi se kishte hequr dore nga emërimi i një nga bashkëpunëtorët e tij më të mirë në postin e Kreut të Shtetit për hir të kompromisit të cilin Rama nuk është dakord pasi ka kulturën e tërë ose asgjë. "Sigurisht që unë do të doja që kandidati të ishte një nga bashkëpunëtorët e mi më të mirë, por arsyeja kërkon që të respektosh kundërshtarin, kërkon që ti japësh atij mundësi të marrë pjesë në këtë proces të rëndësishëm , të tërhiqesh edhe nga ato që ke deklaruar vetë sepse ky është procesi i kompromisit dhe të arrish në një rezultante, por ai dhe kur fiton i duket sikur humbet sepse ka kulturën “E tërë ose asgjë”. Por nuk është kështu, për të gjithë ka diçka në këtë botë. Demokracia nuk është sistemi i përjashtimit dhe pse e bën këtë sepse kërkon koka. Njëherë më kërkon kokën e Arben Ristanit. Po pse për të bërë pazare kokash jemi apo po diskutojmë për presidentin? Herën tjetër kërkon kokën e Artan Lazes, i cili ka qenë kryetari Gjykatës së Gjirokastrës dhe për majtizmin e tij ka lënë gjykatën dhe është bërë anëtar i KQZ dhe tani më thotë le ti heqim të gjithë. Por nuk mund të hiqen kështu sepse ai është Komisioni qendror i Zgjedhjeve dhe në qoftë se ecim në këtë mënyrë që të përmbysim komplet një institucion, ku aty dy prej tyre, një nga PD dhe një nga PS kanë 13 vjet me një eksperiencë të shkëlqyer. Dakord po i heqim , por zgjedhjet kush do ti administrojë pasi dhe ato duan njerëz që i njohin. “- tha Berisha.
PRESIDENTI ME KONSENSUSIN E LSI: NUK GRISIM MARRËVESHJEN ME LSI
Kryeministri garantoi se do të zbatohet marrëveshja me LSI se Presidenti i ardhshëm i republikës do të zgjidhet me konsensusin e PD dhe LSI-së, në kuadër të të cilit u zhvilluan dhe negociatat ditë më parë ku ishte përcaktuar se tre fushat më të përshtatshme në të cilat duhet të përqendroheshin ishin : politika, diplomacia, drejtësia.“Kjo është marrëveshja, kjo do të zbatohet dhe në asnjë rrethanë ne nuk imagjinojmë që të grisim një marrëveshje kaq të rëndësishme për vendin.”
Berisha tha se kishte ftuar dhe kreun e grupit PS, Gramoz Ruçi për të diskutuar për kriteret por “Zoti Rama i cili është i interesuar me sa duket për pazar dhe jo për kryetar shteti.. dërgoi një editorial ku betohej se do të rrëzonte qeverinë dhe katër kushte ultimatum, pa të cilat ai nuk mund të fliste për presidentin e Republikës. Natyrisht, praktika e ultimatumeve është një praktikë e dështuar, ne nuk i bëjmë kujt, kurrë ultimatum”- nënvizoi Berisha.
GATI TE TAKOJ RAMEN
Ai u shpreh i gatshëm të takohet me kreun e PS-së dhe e fton të propozojë kandidaturat alternative, por duhet të japë dhe shpjegime pse refuzon kandidaturën e Zaganjorit. ”Sot (dje) takoi kandidatin dhe pavarësisht se nuk ishte në gjendje në komunikatën e tij të lëshonte qoftë edhe një fjalë të vetme kundër tij, u shpreh se nuk votojmë se Sali Berisha na ka poshtëruar. Po cfarë poshtërimi ju ka bërë Sali Berisha? Unë pardje deklarova se si kryeministër unë jam i detyruar të pres çdo qytetar dhe aq më tepër kryetarin e opozitës që e pres absolutisht në çdo kohë që të dojë. Por në qoftë se është fjala për të arsyetuar për të patur një proces të suksesshëm urdhëro zotëri dhe më thuaj cila janë vërejtjet që ke për kandidatin, urdhëro zotëri paraqit kandidatin tënd, por po ta hedhësh poshtë apriori kjo është të nisesh nga klisheja e armikut. Sigurisht që do ta përmend unë i pari sepse jam shumicë, sigurisht që do ta propozojmë ne të parët sepse kemi një marrëveshje, e cila thotë zgjidhni presidentin e Republikës në mënyrë konsensuale, por kjo nuk e përjashton atë nga asgjë.
Unë ju them ju se jam i gatshëm në çdo kohë se tani ai nxjerr pretekstin se jemi kthyer se ne jemi takuar me aleatët, por po të jetë puna për aleatët Dule deri dje ishte aleati ynë dhe historiku i PBDNJ është historiku si një parti e atyre përmasave që ka ndërruar tagrin, por është më shumë e spektrit të djathtë se asaj të majtë dhe kjo nuk do të thotë se unë nuk do të takohesha me zotin Rama, por ta marrë ai për fyerje se u takua me Vangjel Dulen ky është një inat që nuk ka asgjë të përbashkët me politikën dhe politikanët.“- deklaroi Berisha.
Në këtë takim merrnin pjesë edhe nënkryetari i PD-së, zoti Astrit Patozi, Kryetari i PD-së degës Vlorë, zoti Ardian Kollozi, Prefekti i Qarkut, zoti Eduart Velçani, Kryetari i Këshillit të Qarkut, zoti Anesti Dhimojani, si dhe drejtues dhe anëtarë të PD-së.
(sg/shqiptarja.com)