Berisha u ka futur tmerrin demokratëve, e mbajnë lider 80 vjeç e ‘non grata’

Berisha u ka futur tmerrin demokratëve, e mbajnë lider 80 vjeç e ‘non grata’

Ish kryeministri, Sali Berisha

Nga fillimi i viteve ’90, kur me shembjen e diktaturës komuniste nisën të dilnin hap pas hapi dhe pamje nga mbledhjet e ish byrosë politike që drejtoheshin nga diktatori Enver Hoxha, na bënte përshtypje sjellja e pasuesit të tij të përzgjedhur në krye të PPSH, Ramiz Alia.

Në pamjet që u servirën për publikun në atë kohë, dhe që tashmë mund të gjenden fare lehtë dhe përmes motorit të kërkimit ‘google’, janë unike sjelljet e Ramiz Alisë, i cili imitonte me fjalë dhe me gjeste dishepullin e tij shpirtëror Enver Hoxha.

Janë bërë me qindra artikuj për këtë sjellje që nga ajo kohë, duke e etiketuar Ramiz Alinë një servil, njeri pa shtyllë kurrizore, dhelpër dhe të gjitha epitetet e mundshme që mund të gjenden në këtë ‘sektor’, pavarësisht se ishte pikërisht ai që i dha fund diktaturës komuniste duke e dorëzuar pushtetin 45-vjeçar pa dhunë dhe mbi të gjitha pa gjakderdhje.

Madje u kujdes fort që të vinte në krye të partisë së parë opozitare, Partisë Demokratike, njeriun e dërguar prej tij, pikërisht Sali Berishën duke e lënë ‘litarin jashtë’ për të gjithë shqiptarët, dhe një ‘gjyle nëpër këmbë’ për 32 vite me radhë për vetë Shqipërinë.

Nëse shqiptartët e ‘mallkojnë’ për një gjë Ramiz Alinë me gjithë shpirt, është ai ‘ngatërrimi i letrave” që thuhet rëndom në gjuhën e humorit të shqiptarëve, sipas të cilëve Ramiz Alia në vend që t’i jepte drejtimin e PD Fatos Nanos, dhe të PS Sali Berishës, bëri të kundërtën.

Dhe sipas perceptimit të shqiptarëve, kjo ishte humbja e vetme e vëmendjes së Ramiz Alisë në këtë prag ndryshimi pushtetesh, por që na ka marrë më qafë për 32 vite me radhë, duke e kthyer Shqipërinë në vendin ku gjithkush mund të vritet kollaj, madje dhe shtetërisht, gjithkush mund të vjedhë, madje dhe me ‘taksën e suksesit’ nga famijarët e tij, dhe me këto para të blihet drejtësia, të blihet pushteti dhe të gëzojnë sa të jetë jeta për disa breza paratë e vjedhura.

Parashkrimi i krimit të vrasjes, vjedhjes dhe maskarallëkut i ‘fshin’ të gjitha, dhe një ditë të bukur këta politikanë që na i la ‘peshqesh’ Ramiz Alia kanë mungesën e cipës që të kërkojnë sërish një mundësi, për ta filluar maskarallëkun nga e para gjithçka. Pra për t’ia bërë dopio shqiptarëve në kurriz mundimin e këtyre 32 viteve.

Ndërsa për shqiptarët e thjeshtë nuk ka parashkrim, drejtësia jonë nuk fal, siç nuk fali një lehonë me fëmijën 8 ditësh që e dërgoi në burg për një gjobë që nuk e kishte ditur ndaj se kishte papaguar. Ndonëse me të gjitha ligjet e shtetit, ajo duhej të qëndronte në krevat për të marrë veten, ndonëse dhe me ligjet e para-shtetit, pra të kanunit asaj i duhej bërë buka dhe ushqimi dhe askush për disa javë nuk hante nga gayimet e bëra me dorën e saj. Parashkrimi apo dhe lehonia, nuk funksionon për këtë kategori njerëzish, të cilët drejtësia jonë e ‘rreptë’ s’të fal, i plas në burg.

E përmendëm humorin që kemi bërë me sjelljen e Ramiz Alisë përballë Enver Hoxhës të cilin ai imitonte deri në detaje në atë kohë, dhe mendja menjëherë na shkon tek opozita shqiptare. Ose më saktë tek shumica e kësaj opozite, e cila përbën dhe pakicën politike në vend, por që drejtohet nga i “mandatuari” i Ramiz Alisë në krye të PD, Sali Berisha.

Kemi vënë re, jo pa dhimbje, se ‘kandari’ i lëvizjeve të opozitës luhatet sipas humorit të Berishës. Si të ngrihet Doktori në mengjes, i cili i lodhur nga hallet që e kanë zënë, dhe mund të mos ketë fjetur gjithë natën, dhe fuqia e tij prej 80 vjeçari nuk e përballon dot dhe mund të këpusë ndonjë ‘kumbull’ që të turpëron në mes të shqiptarëve. Aq më tepër kur përsëritet nga të tjerët në kor mot a mot.

Ka shumë akuza Doktori që kanë përfunduar në tryezën e drejtësisë për zullume, që kushtojnë goxha para të humbura nga arka e shtetit. Dhe nëse do t’i kthente paratë e vjedhura, do të bëheshin të gjitha rrugët e Veriut për të cilin flet se Rama i ka lënë pas dore. Rruga e Kombit do kishte përfunduar po e po, se janë 230 milionë dollarë të vjedhura, të konstatuara dhe nga vetë KLSH e Berishës, dhe nuk do të kishte mbërritur kostoja në 1.5 miliardë euro për këtë rrugë.

Ka dhe halle të tjera Berisha, sidomos pas shpalljes ‘non grata’ familjarisht nga SHBA dhe Britania, por dhe që nuk lëviz në asnjë vend tjetër të botës. Madje nuk e provon të shkojë as në Kosovë, ndonëse nuk e ka ftuar njeri. Por dhe sikur ta ftojë, rrezikon të gjejë ‘traun’ të ulur në Morinë, sepse udhëheqësit e Kosovës vërtetë hedhin vickla përballë SHBA e BE, por deri këtu që të ftojnë një ‘non grata’ nuk ua mban.

Eshtë shumë turpëruese për një burrë zamani siç mbahet Berisha që të jetojë vetëm në 28 mijë kilimetrat katrorë të Shqipërisë, dhe askush me pasaportë diplomatike të mos e ftojë në takim, të mos i japë dorën dhe për më tepër të shmagin rrugën kur mund ta hasin rastësisht në rrugë. Eshtë e vështirë për një burrë, aq më tepër për një nga polikanët më në zë në vend si Berisha, që të zgjedhë lëvizjen ‘shtigjeve të ngushta’, për të mos u gjendur përballë me politikanë e diplomatë, të cilët me kusht që të mos i japin dorën, i kanë fshehur duart pas shpine.

Ndaj humori i Berishës është tepër i luhatshëm. Por ajo që kemi vënë re është se kjo luhatje përcillet dhe tek mbështetësit e tij, nga qendra ku i ka emëruar në postet më të larta të “Rithemelimit” e deri tek demokrati më i thjeshtë që e mbështet Doktorin. Në formë tallazi, me të njejtën aplitudë përcillet ‘kandari’ i doktorit nga maja në bazë.

Doni shembuj? Ka me shumicë.

Deklaron Berisha se shpallja e tij ‘non grata’ ka qënë fryt i konspiracionit të Sorosit, Ramës dhe Lulzim Bashës, menjëherë një kauzë e tillë do të reflektoje tek mbështetësit e tij më të afërt, dhe përcillet në bazë, por dhe në rrjetet sociale dhe mediat që ai ka në pronësi apo kontrollon.

Sulmon Berisha ambasadoren amerikane Yuri Kim, dhe me të njejtin fjalor e me të njëjtin intensitet, kontigjenti që përmendëm më lart fillon ‘kryqëzimin” e ambasadores amerikane.

Ndryshon qëndrim Berisha për ‘kokën’ e konspiracionit që e shpalli ‘non grata” duke ‘zëvendësuar’ Sorosin me ish zyrtarin e FBI, McGonigal, menjëherë pas tij që nga kupola e “Rithemelimit” e deri në bazë, shtuar këtu dhe mediat e oponionistët e tij, e bëjnë menjëherë këtë ‘zëvendësim” duke u dhënë “start” sulmeve që iniciion Doktori.

Sulmon DASH se e shpalli me të padrejtë ‘non grata’ familjarisht, duke mbajtur me gajret mbështetësit se ka një gjykatë diku në Paris që ka regjistruar padinë e tij kundër sekretarit Blinken, tani vlerëson DASH që mes të tjerave në raportin e tij më të fundit kritikon dhe qeverinë shqiptare për luftën ndaj korrupsionit. Megjithëse e di si dreqi se çdo raport që del, nuk ‘përkëdhel’ askënd, vetëm kritikon. Ndaj quhet raport i detajuar. Menjëherë pas Berishës, fillojnë të gjithë mbështetësit, nga ithtarët e deri tek mediat afër tij, duke vlerësuar DASH. Madje duke e bërë dhe temë të ditës. Për më tepër deklarohen se besojnë tek vendimet e DASH, megjithëse e ka kundërshtuar shpalljen ‘non grata’.

Berisha deklarohet me dy standarde dhe për gjykatat amerikane, megjithëse dy herë djali i tij humbi gjyqin në Florida, në të dyja shkallët, pasi Shkelzen Berishën e kishte përmendur autori i librit “Qentë e luftës” se ishte ‘dora’ e tragjedisë së Gërdecit, dhe pronari i këtij biznesi vdekjeje.

Berisha deklarohet se beson te gjykatat amerikane dhe nga ana tjetër, për çështjen “McGonogal” që ndodhet në këtë gjykatë, Berisha për të përlyer dhe Edi Ramën që nuk gjendet në asnjë cep të hetimit si i akuzuar, por kërkon që të ngrejë në Shqipëri komision parlamentar për të hetuar pikërisht për këtë çështje. Madje ia kërkon dhe kongresit amerikan këtë gjë.

Akuzon ambasadoren Yuri Kim se bashkë me Ramën i morën vulën e PD dhe po zgjedhin kryetarin e opozitës, nga ana tjetër kërkon nga DASH që të hetojë veprimtarinë e ambasadores që nga dita e nisjes së punës në Shqipëri. Luhatje humori po e quajmë me gjuhën më të thjeshtë të mundshme, pasi nuk duam të rëndojmë një njeri si Berisha të cilin e kanë rënduar shumë vitet që ka mbi supe, dhe mbi të gjitha hallet që e kanë kapur.

Por po vëmë re se luhatja është përcjellë pa asnjë ndryshim tek mbështetësit e tij, duke imituar deri në detaje, qoftë tonine zërit, lëvizjet e trupit e mbi të gjitha fjalët që ai përcjell çdo ditë.

Ndaj tani ato pamjet e Ramiz Alisë në mbledhjen e Byrosë Politike të PPSH që imitonte në gjithçka Enver Hoxhën, na duken shumë të lehta. Sepse Enveri të vriste dhe të shkatërronte familjen e tërë fisin po ta kundërshtojë apo të mos e miratoje çdo gjë të tij, dhe deri diku Ramiz Alia dhe mund të justifikohet. Kishte frikë dhe frika nuk është faj asnjëherë, sado e pështirë të të duket kur e sheh në atë kohë, e sidomos në këtë kohë, ku të paktën njerëzit janë të lirë.

Po këta të “Rithemelimit” dhe mbështetësit e tyre në bazën demokrate, media e kudo, pse zotin e imitojnë në çdo gjë Berishën. E kanë frikë. Në fakt dhe kjo mund të jetë, pasi Berisha ka dhënë prova për ta pasur frikë. Por që frika t’ju ketë hyrë kaq shumë në palcë, dhe të dridhen para një 80 vjeçari, duke e imituar në gjithçka, është e frikshme. Por akoma më i frikshëm është fakti si ‘përthyhen’ më dysh para një 80 vjeçari në perëndim të jetës, duke iu nënshtruar tekave dhe halleve të tij personale.

E themi këtë sepse po na krijohet bindja se opozita sa të jetë gjallë biologjikisht Sali Berisha nuk bëhet më. Punon me “orën” e Berishës ajo, këputja sa më vonë e këtij ‘zemreku’, është vështirë që të rikuperohet më, dhe sikur të vijë në krye të këtij formacioni politik më i fuqishmi i botës. Por atëherë opozita do të jetë e vdekur. Koha do ta provojë

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Or tej: 24/03/2023 17:47

    Berisha nje topmuti qe rrotullohet rreth vedit dhe mbeshtetesve ka garaqe.

    Përgjigju
  • e drejta: 24/03/2023 11:27

    DAVA KRIMINELI...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria luan ndaj Kroacisë sfida e dytë në Euro 2024, kush fiton?



×

Lajmi i fundit

Kryeministri holandez Mark Rutte pritet të jetë kreu i ardhshëm të NATO-s, Hungaria dhe Sllovakia heqin veton ndaj tij

Kryeministri holandez Mark Rutte pritet të jetë kreu i ardhshëm të NATO-s, Hungaria dhe Sllovakia heqin veton ndaj tij