Sali Berisha nuk i harroi deklaratat për kryengritje të armatosur as këtë të shtunë gjatë konferencës për shtyp me gazetarët. Ata i drejtuan disa pyetje mbi garën e 23 majit për kreun e PD si edhe mbi qëndrimin e tij se si synon të rrëzojë Edi Ramën. E vetmja deklaratë që i erdhi natyrshëm kryedemokratit, ishte ajo që një “diktator rrëzohet me kryengritje të armatosur…”. Edhe pse duket se Berishës i foli nënvetëdija, ai u nxitua ta korrigjonte menjëherë deklaratën e tij, duke thënë se “diktatori rrëzohet me kryengritje paqësore”.
“Diktatori rrëzohet me lëvizje të fuqishme, me kryengritje paqësore. Edhe të armatosur, për ata që janë ekstremistë të majtë, ne nuk jemi parti e marrjes së pushtetit me dhunë. Jo. Sepse ajo ikën një diktator dhe sjell një diktator tjetër. Rrëzimet me guerile nuk kanë sjellë ndonjëherë demokraci, kanë sjellë dhunë”, tha Berisha, pasi korrigjoi 'gabimin'.
Vetëm tre ditë më parë, Berisha bëri thirrje për ta rrëzuar regjimin me kryengritje të armatosur. Deklaratë që vuri menjëherë në lëvizje Partinë Demokratike, e cila këtë moment e preu menjëherë nga video e transmetimit live në YouTube të aktivitetit, si edhe nga fjala e zbardhur e Berishës që publikohet e plotë në faqen e PD dhe u dërgohet edhe mediave.
Komente










