Përfaqësuesit e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë njoftuar bizneset kosovare për mënyrën se si mund të aplikojnë për kredi në fondet e BERZH-it.
Sipas KosovaPress, ata po ashtu kanë thënë se BERZH përmes programeve të ndryshme me dëshirën e pronarit të kompanisë mund të bëhet edhe aksioner i kapitalit të përgjithshëm të bizneseve.
Po ashtu, ata thanë se norma e kredive nga fondet e BERZH-it janë të ngjashme me ato që i ofrojnë bankat komerciale në vend. Përfaqësuesit e BERZH këto të dhëna i kanë prezantuar para bizneseve, të cilët i kishte ftuar OEK.
Safet Gerxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka bërë një prezantim të shkurtër të BERZH për mundësitë e përkrahjes së projekteve në Kosovë dhe në Evropën Perëndimore.
"Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim po mbështet zbatimin e strategjisë evropiane 'Small Biznes', ku në fokus ka sektorin privat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, mbi të gjitha gratë në biznes", tha Gërxhaliu.
Kosova është anëtare me të drejta të plota në këtë institucion që nga viti 2012./atsh/