Lista e 'Bindja Demokratike' do të ketë emra surprizues! Kështu është shprehur deputeti Andi Përmeti, në një intervistë për Shqiptarja.com. Një pjesë e kësaj 'surprizë' duket se është zbuluar. Burime për Report Tv bëjnë me dije se pjesë e kandidatëve që do të garojnë nën siglën e partisë së drejtuar nga Patozi, do të jenë emra të njohur nga radhët e PD.

I pari mësohet të jetë Igli Cara, i cili ka qenë kryetar i PD në Durrës, si dhe deputet deri në vitin 2017. Ai pritet që në zgjedhjet e 30 qershorit që të garojë për një nga Bashkitë më të mëdha në vend, siç është Durrësi. Cara njohet si një nga kritikët kryesor të Bashës, i cili ka akuzuar këtë të fundit se është rizgjedhur në krye të PD me një proces falsë.  

Ndërkohë, për Bashkinë e Vlorës flitet se do të kandidojë Valbona Mezini. Kjo e fundit ka qenë sekretare për organizatat partnere dhe anëtare e kryesisë së PD deri në vitin 2018.

Lista me emrat e kandidatëve do të bëhen publikë nga Astrit Patozi më 13 maj, e cila përkon me afatin e fundit regjistrimit të kandidatëve për 61 bashkitë e vendit. Ajo çfarë është zyrtarizuar deri më tani nga Patozi është se partia e tij nuk do të ketë kandidat në Bashkitë ku do të dalin kandidatë të djathtë të pavarur.