‘Beteja’ e rezolutave dhe ‘mëkatet’ e Berishës për genocidin serb në Kosovë e Bosnje

‘Beteja’ e rezolutave dhe ‘mëkatet’ e Berishës për genocidin serb në Kosovë e Bosnje

Sali Berisha dhe grupi i tij janë në kulmin e kërkesve për të miratuar në Kuvend dy rezoluta, një për krimet serbe në Bosnjë Herzogovinë dhe një për krimet po serbe në Kosovë.

Një përpjekje e tillë e ethshme me sa duket është një tentativë për të mbushur boshllëkun e krijuar në marrëdhëniet me botën e jashtme demokratike, e mbyllur në mënyrë hermetike pas shpalljes së ish kryeministrit demokrat “non grata” familjarisht nga SHBA.

Izolimi ka mbërritur deri në atë shkallë sa pas uzurpimit të PD. edhe për shkak të paaftësisë së Lulzim Bashës për të bërë ndonjë punë në këtë parti përpos parave, Sali Berisha dhe grupimi i tij në PD nuk mbështetet jo vetëm nga SHBA, por as nga BE dhe për më tepër as nga e djathta europiane, PPE, e cila e la pas dere në kongresin e fundit të zgjedhjes së liderit të saj.

Eshtë një izolim total, e Berisha përpiqet që të mbajë me gajret mbështetësit e tij për të treguar se ka lidhje me botën, thjeshtë dhe vetëm duke prodhuar pafund tekste rezolutash, vend e pa vend, pa asnjë lidhje me data, përvjetorë dhe mbi të gjitha duke përgënjeshtruar vetëveten.

Aq sa tashmë kanë nisur të qarkullojnë dhe anekdotat më të larmishme përmes rrjeteve sociale dhe ambienteve politike e shoqërore në Shqipëri, teksa thonë jo pa ironi se Berisha s’është çudi të nxjerrë ndonjë rezolutë për dënimin e ‘genocidit turk’ gjatë pushtimit të Shqipërisë nga sulltan Mehmeti, apo për luftën e dytë botërore. Apo dhe për reprezaljet e regjimit komunist në spitalin qëndror në Tiranë ku Berisha ka qënë për 25 vite anëtar dhe sekretar i PPSH dhe iniciusi kryesor i dëbim-internimeve apo burgosjes së mjekëve dhe njerëzve që silleshin përreth spitalit. Thjeshtë e vetëm për të qënë në qendër të debatit, pa u menduar nëse prodhon efekt negativ apo pozitiv.

Përtej ironisë e perversitetit të kohës së iniciimit të këtyre rezolutave nga Berisha në Parlamentin shqiptar, apo perversitetit të autorëve të këtyre rezolutave, ia vlen të ndalemi në kërkesën e ish kryeministrit dhe të grupit që e mbështet në PD për dënimin në Kuvend përmes rezolutës të krimeve serbe në Srebrenicë të Bosnjës më 11 korrik 1995, apo të krimeve serbe në Kosovë, me kulminacion vitet 1998-1999. Pra deri në hyrjen e trupave të NATO të udhëhequra nga SHBA në Kosovë, të cilat mbështetën nga toka dhe ajri Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës deri në çlirimin e saj. Për korrektesë kjo luftë udhëhiqej nga Hashim Thaçi, jo nga Albin Kurti.

Në krye të herës mund të theksojmë se masakra serbe në Srebrenicë ka ndodhur më 11 korrik 1995, dhe parlamenti shqiptar nëse do të miratojë një rezolutë për dënimin e genocidit serb në Bosnjë duhet ta përshtasë axhendën e tij të punimeve pikërisht me këtë datë. Do të ishte më korrekte miratimi i një rezolute nga parlamenti shqiptar fiks më 11 korrik, do të ishte një mesazh por dhe një sinjal i qartë në arenën ndërkombëtare, kur dhe të paktën Bosnja apo rajoni do ishin duke e përkujtuar këtë përvjetor të dhimbshëm më 11 korrik.

Njëherësh nuk mund të kalohet pa evidentuar një fakt tjetër, për të treguar se kujtesa e papritur dhe nxitimi i Berishës për të iniciiuar një rezolutë për dënimin e genocidit serb në Srebrenicë bie në kundërshtim me disa fakte që rrëzojnë idenë e tij për ta paraqitur veten një “atlet” të dënimit të masakrave sidomos në Ballkan.

Kur serbët kryen masakrën e Srebrenicës, Sali Berisha ka qënë President fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, dhe në vitin 1995 Parlamenti i Shqipërisë i dalë nga zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992 ishte i dominuar në masën mbi 70 përqind nga PD e Berishës në pushtet.

Berisha kishte tërë mundësinë e Zotit për të miratuar një rezolutë që dënononte genocidin serb në Srebrenicë nga 12 korriku 1995 deri në vitin 1997, dhe pa votat e socialistëve. Madje mund t’i vinte dhe në siklet socialistët nëse e refuzonin një gjë të tillë, duke e përdorur refuzimin e mundshëm të tyre për axhendën politike të së ardhmes.

Berisha nuk e iniciioi rezolutën në Parlament për arsyen e vetme se ishte i lidhur kokë e këmbë me regjimin vrastar të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milosheviç. E themi këtë, sepse fill pas 11 korrikut 1995, sipas asaj që ka lënë të shkruar zyrtarisht Momir Bulatoviç kreu i Republikës së Malit të Zi, dhe njëherësh numri dy i federatës Serbi-Mali i Zi, si “testament” të zi politik për ish presidentin shqiptar, Sali Berisha është takuar me Bulatoviç, ndoshta për të dytën herë. Për të konsoliduar thyerjen e embargos së naftës së vënë nga OKB për Milosheviçin. Pra për të furnizuar makinën luftarake të Serbisë që të gjakoste pa ndalesë popujt e Ballkanit, duke filluar nga Bosnja, vijuar në Kroaci dhe përfunduar në Kosovë.

Askush nuk mund ta mbrojë Berishën në këtë akt, pasi jo vetëm që e ka publikuar vetë Bulatoviç rënien dakord për thyerjen e embargos së naftës nga qeveria shqiptare e PD, por e ka pranuar më vonë dhe vetë Sali Berisha, i vënë me shpatulla pas muri nga moria e fakteve të bërë publike.

Justifikimi i Berishës është se naftën e lejonte të kalonte në kufirin e federatës Serbi-Mali i Zi përmes pikave të kalimit në Shkodër, e bënte që të mos linte pa mbjellë arat e shqiptarëve të Kosovës. Askush nuk guxon ta çojë nëpër mend faktin se nafta nga duart e serbëve të zënë me luftën në Bosnje dhe ku kryenin masakra çnjerëzore mund të kalonte në duart e fshatarëve të Kosovës për të vënë në punë makineritë e tyre bujqësore. Për shumë arsye kjo nuk ndodhte, jo vetëm për shkak të mendjes së mbrapshtë të Milosheviçit por dhe për çdo vend normal tjetër të zënë me luftë, që nuk ka mendjen te fushat e mbjella me grurë por për “mbjelljen” e qyteteve kundërshtare me raketa dhe plumba.

Pra Berisha e furnizoi shtetërisht Milosheviçin me naftë në kulmin embargos së OKB, madje mendoi të fitonte dhe ndonjë lek për vete dhe partinë e tij, teksa firma e PD “Shqiponja” në krye të së cilës ishin drejtuesit më të lartë të PD, realizoi gati 90 përqind të furnizimit nga Shqipëria të Milosheviçit me naftë. Shtetërisht dhe ku autokolonat me autobote mbroheshin me polici.

Berisha nuk mund të bëjë të paditurin për këtë fakt, pasi atij nuk i shpëtonte asgjë që ndodhte në vend, sepse kishte syrin e veshin e tij në krye të shërbimit sekret shqiptar Bashkim Gazideden, i cili në emër po të Berishës ishte takuar dhe me udhëheqësin e “Tigrave” që kryen masakra në Kosovë, vetë Arkanin.

Ndaj Berisha i kishte duart të lidhura për të iniciiuar një rezolutë për dënimin e masakrës serbe në Srebrenicë sa kohë të ishin gjallë Milosheviçi e Bulatoviçi. Kodi i “heshtjes” ishte në funksion të plotë. Bashkë dhe me “anekse” të marrëveshjes me udhëheqjen serbe të asaj kohe, që kishte të bënte me dënimin, dëbimin dhe lëshimin në pritë të udhëheqësve të UÇK, që nga Adem Jashari e deri tek Hashim Thaçi.

Por kur të gjithë besonin se me rikthimin e Berishës në pushtet për herë të dytë më 2005 do të kishte kohën e mjaftueshme për 8 vite në qeverisje për të miratuar një rezolutë për dënimin e genocidit serb në Srebrenicë, ai nuk e bëri. I kishte sërish duart e lidhura. Madje i dha në dorë ekonominë e vendit kompanive serbe, të cilat i solli serbo-boshnjaku Damir Fazlliçk, miku personal i Berishës dhe familjes së tij. Por dhe Lulzim Bashës, ish “delfinit” të tij. Kishte lidhjet e duhura Fazlliç pranë shërbimeve sekrete të kohës para Milosheviçit, gjatë kohës së “kasapit” të Ballkanit por dhe më pas, dhe ishin këto fije që orientonin politikën në Tiranë, duke arritur të kishin një vend të përhershëm në mbledhjet e qeverisë shqiptare të PD e deri tek Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Pra Berisha përmbi 11 vite në pushtet nuk inicioi asnjë rezolutë në Kuvend për dënimin e genocidit serb në Bosnjë.

Por nuk iniciioi asnjë rezolutë as për dënimin e genocidit serb në Kosovë, ku u vranë e deportuan në Shqipëri mbi 1 milionë shqiptarë të atyre trevave. Për të njejtat arsye, Berisha i kishte duart e lidhura nga Serbia. Gjërat janë zinxhir e nuk mund të kishte shkëputje, pasi po të hapen realisht dosjet për këtë qëllim do të merrte “erë” tërë vendi.

Me këtë varësi nga Serbia mund të shpjegohet dhe sjellja e Berishës që shkatërroi shtetin nga themelet në mars 1997, atëherë kur kishte filluar rezistenca e armatosur e Kosovës ndaj pushtimit serb, deklaratat e Berishës se UÇK është një organizatë terroriste dhe marksiste, apo thirrja ndaj delegacionit të Kosovës në Rambuje për të mos firmosur marrëveshjen, si dhe thirrja për protestë masive të opozitës dhe qytetarëve kundër qeverisë së majtë shqiptare dhe për ta rrëzuar atë vetëm 12 orë përpara se bombat e para të SHBA dhe NATO-s të binin mbi Beograd, tërë Serbinë dhe në Kosovë ku ishin instaluar armatat e Milosheviçit që kryenin genocid.

Dhe sjellja më pas ka qënë kryekëput në favor të interesave serbe në rajon, pasi për vite me radhë Berisha bllokoi linjën e interkoneksionit të energjisë Shqipëri-Kosovë, ku niveli i bashkëpunimit ishte thuajse afër zeros me Kosovën e pavarur. Sjelljes korrekte të Hashim Thaçit kryeministër, i cili pavarësisht akuzave të Berishës ndaj tij ruajti formatin e marrëdhënieve vëllazërore me kreun e qeverisë së shtetit amë, ish kryeministri demokrat iu përgjigj me bllokim të aksesit ekonomik të ndërsjellë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ndërsa për ndonjë rezolutë për dënimin e genocidit serb në Kosovë as që bëhej fjalë. Përpos disa deklaratave me “leje” që amplifikonin po akuza me “leje” në mediat serbe e deri dhe ruse kundër “nacionalistit” Berisha, asgjë reale nuk u bë nën qeverisjen e Berishës. Tani kërkon nga socialistët të pranojnë nismat e tij prej zorit dhe në përpjekje për të dalë nga izolimi ku e kanë futur SHBA e BE për shkak se e kanë shpallur “non grata” dhe as dorën nuk ia japin fizikisht.

S’është askush kundër rezolutave në Kuvend për të dënuar genocidin serb në Kosovë e Bosnjë, por secila në vendin e vet, dhe me një formatim të saktë. Të përfshihen madje dhe pika të tilla që dënojnë furnizimin e makinës luftarake të Milosheviçit me naftë në thyerje të embargos së OKB me të cilën u kryen këto masakra. Eshtë nder që i bëhet vendit. E Berisha pikërisht këto rezoluta të plota duhet të votojë, të paktën të “pastrojë” shpirtin e tij, pasi është në një moshë që gjithkush bën bilancin e jetës, lë dhe amanetet për njerëzit e tij por dhe “fal” mëkatet e tij.

Parlamenti dhe Shqipëria nuk mund të jenë elementë ku Berisha të realizojë çdo ëndërr që sheh natën, apo që i volit tashmë që është në hall. Aq më tepër nuk është “faltore” ku ish kryeministri demokrat të pastrojë mekatet e tij, thjeshtë dhe vetëm me duart e të tjerëve. Besojmë se koha kur Berisha tërhiqte vendin zvarrë për hallin e tij personal ka marrë fund njëherë e mirë. Mjaft ka PD-në në dizpozicion që ta tërheqë zvarrë për hallin e tij personal. I mjafton dhe i tepron.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite