Bilanci 2022, Gjykata e Lartë: Është ulur ndjeshëm numri i çështjeve! Kujdes me rekurset abuzive, shumë nuk e kalojnë testin e pranueshmërisë

Në Gjykatën e Lartë numri i çështjeve të mbetura stog është ulur dhe vijon të ulet në mënyrë të ndjeshme. Kjo për shkak se shumë institucione po tërheqin rekurset ndaj qytetarëve, ku institucioni që ka tërhequr më shumë është ai i sigurimeve shoqërore. Ndërkohë që sot ka qenë policia e Shtetit e cila ka paraqitur 500 kërkesa për tërheqje rekurse.

Ka qenë zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi i cili në bilancin e punës së vitit që po lëmë pas bëri me dije shifrat.

“Viti 2022 për Gjykatën e Lartë mund të cilësohet si viti i krijimit të besimit se gjyqësori i ringritur po funksionon. Bazuar në disa elemente të matshëm objektivisht, Gjykata e Lartë ka tashmë: 15 gjyqtarë që mundësojnë formimin e dy trupave gjykuese për çdo kolegj, 3 trupa gjyqësore me 5 gjyqtarë që njësojnë praktikën gjyqësore,  Kolegjet e Bashkuara si trupë vendimmarrëse për ndryshimin e praktikës gjyqësore,  Mbledhjen e Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që ka zgjidhur ngërçin e plotësimit të vakancave, duke emëruar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, por edhe një staf administrativ që vijon të plotësohet gradualisht.  Prej tre vjetësh, fokusi i opinionit publik ka qenë tek ulja e numrit tepër të lartë të çështjeve të prapambetura. Kjo ishte dhe vijon të mbetet një prej sfidave kryesore të trupës së gjyqtarëve. Nga 36.000 çështje që prisnin për tu gjykuar në mars të vitit 2020, sot numri i çështjeve të prapambetura (backlog) është ulur në 29,010, ndërkohë që numri i vendimeve të marra për këtë periudhë është 11.764”, tha ai.

Sadushi u shpreh se ka shumë mos pranim rekursi, kjo për shkak se ka shumë abuzime. Ai nënvizoi se kjo nuk do të tolerohet dhe se Gjykata e Lartë nuk mund të shikohet si gjykatë fakti por gjykatë që vendos praktikën.

“Gjykata e Lartë do të merret në mënyrë strikte sicc ka parashikuar kodi. Nëse ju nuk bëni rekurs kjo nuk është përgjegjësi e jona. Ne nuk mundet gjithmonë që t’ia vendosim fajin avokatëve. Por duhet kuptuar se ccështja përfundon ën Gjykatën e Apelit. Gjykata e Lartë merret me drejtimet kryesore që duhet të ketë praktika gjyqësore. Jo se nuk merret me hallet e individidët por praktika është për të tërë. Ligji kërkon rigorozitet. Shikoni ‘Strasburgun’, janë me mijëra dhe ata vendosin papranueshmërinë. Në këtë linjë do të ecim edhe ne. Njerëzit të kuptojnë se ccështjet zgjidhen në gjykatat e faktit”, tha Sadushi në komunikimin me gazetarët.

“Përherë e kemi evidentuar si një problematikë shqetësuese numrin e lartë të rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë. Rreth 80% e rekurseve të paraqitura rezultojnë të pasuksesshme. E ndarë sipas fushave, nuk kalojnë testin e pranueshmërisë 75% e rekurseve në Kolegjin Civil, 83% në Kolegjin Administrativ dhe 80% në Kolegjin Penal. Në raportin ndërmjet individëve e personave juridik privatë, nga njëra anë dhe organeve publike nga ana tjetër, kalimi me sukses i testit të pranueshmërisë së rekursit është në favor të të parëve. Për vitin 2022, organet publike rezultojnë gjyqhumbëse në 2,355 çështje administrative e civile (76%), ndërsa individët/personat juridik privatë rezultojnë gjyqhumbës në 728 çështje (24%). Moskalimi i testit të pranueshmërisë në afro 80% të rekurseve të paraqitura adreson shqetësimin tek aktorët e sistemit të drejtësisë, përfshirë avokatët privatë, Avokaturën e Shtetit, si dhe prokurorinë, të cilët kanë detyrimin të vlerësojnë ekzistencën e shkaqeve të mjaftueshme ligjore, përpara se të vendosin t’i drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë”, vijoi ai.

Duke e vënë theksin te shifrat zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi tha se raporti ndërmjet çështjeve të regjistruara në Gjykatën e Lartë dhe vendimeve që dalin prej saj është në favor të këtyre të fundit, gjë e cila ka sjell edhe uljen e ndjeshme të çështjeve që presin për gjykim.

“Për vitin 2022 janë regjistruar rreth 2,082 çështje të reja. Janë dhënë 6,179 vendime gjyqësore, ose 412 vendime për gjyqtarë, ndërkohë që krahasuar me vitin 2017, kur Gjykata e Lartë kishte përbërje të plotë me 17 gjyqtarë dhe 33 këshilltarë, çdo gjyqtar gjykonte mesatarisht 256 çështje në vit. Shifrat tregojnë se, shkalla e evadimit të çështjeve (clearance rate) për çdo gjyqtar është mbi 270%! Ky është një tregues mjaft i mirë i performancës së lartë të gjyqtarëve. Megjithatë, përtej sasisë së çështjeve që shqyrtohen, gjyqtarët janë të fokusuar veçanërisht tek cilësia e vendimmarrjes, sepse drejtësia materializohet tek vendimi, tek argumentimi dhe tek zbatimi me korrektësi i ligjit”, tha ai.

Sadushi u shpreh se funksioni kushtetues i Gjykatës së Lartë për zhvillimin, njësimin apo ndryshimin e praktikës gjyqësore ka qenë dhe mbetet orientimi kryesor për të gjithë trupën.

“Janë marrë 4 vendime njësimi (2 nga Kolegji Penal dhe 2 nga Kolegji Civil), ndërkohë që ka filluar procedura dhe pritet të njësohen 2 çështje nga Kolegji Administrativ, 2 nga Kolegji Civil dhe 4 nga Kolegji Penal. Për shkak të mosfunksionimit për disa vite të Kolegjeve të Bashkuara, tashmë pas riformatimit është realizuar shqyrtimi i 10 çështjeve (penale, civile dhe administrative) të mbetura pezull, për 9 prej të cilave është vendosur kalimi për shqyrtim në kolegje me 5 gjyqtarë dhe vetëm për 1 çështje penale, Kolegjet e Bashkuara vendosën të ndryshojnë praktikën gjyqësore”, tha ai.

Sadushi u shpreh se zhvillim pozitiv gjatë vitit 2022 ka qenë edhe reflektimi i institucioneve publike për të tërhequr rekurset, për shkak të humbjes së aktualitetit apo të krijimit të bindjes se nuk e kalojnë testin e pranueshmërisë.

“Janë rreth 1,893 rekurse të tërhequra nga institucionet publike, ndërkohë që deri tani janë dhënë rreth 993 vendime për heqje dorë nga rekursi (621 vendime nga Kolegji Administrativ dhe 372 vendime nga Kolegji Civil). Kjo prirje nevojitet të shoqërohet edhe me mosparaqitjen e rekurseve të reja që dukshëm janë të pabazuara. Vetëm kështu mund të parandalohet krijimi i një stoku të ri. Padyshim që është bërë shumë, por për qytetarët të cilët presin drejtësinë në kohë sa më të shpejtë nuk është mjaftueshme. Kolegjet e Gjykatës së Lartë janë përpjekur maksimalisht të trajtojnë çështjet, jo thjesht si raste individuale, por edhe si një mekanizëm për të standardizuar praktikën për raste të ngjashme. Kjo strategji e qartë ka ndikuar në shqyrtimin më të shpejtë të dosjeve me të njëjtën natyrë, parametër ky, që synohet të rritet në vitin 2023. Duhet të jetë e qartë për cilindo se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti. Këtë e parashikon kuadri kushtetues e ligjor dhe jemi munduar ta theksojmë në çdo vendim që merret nga trupa e gjyqtarëve. Ne e kuptojmë mjaft mirë se qytetarët dhe opinioni publik presin përgjigje të shpejtë dhe të drejtë nga gjykata. Për këtë jemi të angazhuar maksimalisht dhe jemi të bindur se vit pas viti, do të arrijmë t’u japim përgjigje shteruese të gjithë rekurseve të depozituara pranë Gjykatës së Lartë”, përfundoi fjalën e tij gjyqtari Sokol Sadushi.

Kujtojmë se në maj të vitit që po lëmë pas Qeveria miratoi udhëzimin që detyron administratën shtetërore, të heqë dorë nga 3.800 çështje për të cilat kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër ish-nëpunësve që kanë fituar në 2 shkallët e drejtësisë deri në 40 paga minimale dëmshpërblim. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, tha se vendimi u mor për të lehtësuar stokun në Gjykatën e Lartë, që është shkaktuar kryesisht nga mungesa e gjyqtarëve që janë shkarkuar nga vettingu.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton