Bilisht - Administratori dhe menaxheri i një lokali janë arrestuar pasi në këtë subjekt organizoheshin lojëra fati.

Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohen një 23 dhe 25 vjeçar pasi u kapën në lokal duke luajtur.

Nga hetimet e kryera rezultoi se administratori, 45 vjeç kishte marrë me qira lokalin dhe kishte punësuar në mënyrë të paligjshëm 26 vjeçarin (menaxher).

Gjatë kontrolleve uniformat blu sekuestruan pajisje elektronike që shërbenin për këtë veprimtari dhe disa bileta.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i kontrollit të kryer në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll kanë zbuluar një lokal në qytetin e Bilishtit, ku organizoheshin lojëra fati. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-P. M., 45 vjeç, banues në Bilisht, administratori i lokalit, për veprat penale  “Organizimi  ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Punësimi i paligjshëm”;

-E. M., 26 vjeç, banues në Bilisht, menaxheri i lokalit, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit E. U., 25 vjeç, dhe F. M., 23 vjeç, banues në Bilisht, të cilët u kapën në lokal, duke luajtur lojëra fati.

Nga hetimet rezultoi se 45-vjeçari kishte marrë me qira lokalin dhe kishte punësuar në mënyrë të paligjshme, si menaxher, shtetasin E. M. Në lokalin e përshtatur për veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, u gjetën pajisje elektronike që shërbenin për këtë veprimtari dhe disa bileta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.