Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike Bislim Ahmetaj ka publikuar në rrjete sociale pjesë nga fjala e tij e mbajtur dje në mbledhjen e tensionuar të organizuar në selinë blu.

Si Salianji dhe Ahmetaj ka kërkuar dorëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Nokës, duke e bërë përgjegjës për gjendjen aktuale të partisë sot si dhe për “gafën” e fundit të demokratëve, ajo me Avokatin e Popullit. Ahmetaj gjithashtu përgëzoi vullnetarizmin e nënkryetarit Agron Gjekmarkaj për të dhënë dorëheqjen dhe se në radhë duhet të jetë dhe kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi.

Bislim Ahmetaj thotë se PD nuk mund të shërbejë si “fermë surrogacie” dhe aq më tepër të japë firma “ pa doganë” “për një zog të rritur në stabilimentin e Xhorxh Sorosit”, referuar Endrit Shabanit.

“Pjesë nga fjala ime sot në kryesinë e PD-së.

Doktor ju duke qënë  politikan profesionist dhe me përvoj të gjatë,  jeni gjithmonë  i kujdesshëm dhe ashtu siç flisni me fjalë, flisni edhe me gjeste për  publikun.

Sot e paske nxjerrë Flamurin në krah të majtë, ndryshe nga takimet  e tjera ku ai i çel mbledhjet,  i jep dhe ja heq  fjalën cilitdo në këto mbledhje.

Ndërsa zoti Bardhi nuk e di se për çfarë arësye mungon sot (ishte në Amerikë) i paske lënë vendin bosh në krahun tuaj të djathtë.

E përshendes dhe e vlerësoj me shumë respekt afrimin e dorëheqjes së zotit Gjekmarkaj, këtë veprim duhet ta kryej edhe Sekretari i Përgjithshëm dhe kreu i Grupit Parlamentar,  për shkak të organizimit krejtësisht të ç'organizuar dhe anarkisë që është krijuar  në lidershipin e PD-së prej muajsh.

Njëra prej arësyeve se pse ata duhet të japin dotëheqje ështe edhe dhënja e firmave "pa doganë" për një zog të rritur në stabilimentin e Xhorxh Sorosit.

Është e papranueshme që grupi parlamentar i PD-së të shërbej si "fermë surrogacie" për të prodhuar drejtues të institucioneve të pavaruara nga ferma e Sorosit me firmat e deputetëve demokrat.

Ky nuk ishte një gabim, ky është një faj dhe fajet ndëshkohen, nuk shërohen me ndjesa fb-je.

Doktor ju me dashje,  apo pa dashje i keni fut në të njëjtin thes si mercenarët edhe misionarët.

Ai që ishte mercenar dje është shndërruar në misionar sot dhe anasjelltas...

...Për ti dhanë zë, fuqi dhe besim protestave, duhet sa më shpejt të jetë e mundur të thërrasim  Këshillin Kombëtar, i cili ka tagrin të marrë vendimin për drejtimin që duhet të marrë Partia Demokratike. Që të jemi të besueshëm para Këshillit Kombëtar duhet t'i shkojmë  atyre me  dorëheqjen e Sekretarit i Përgjithshëm dhe Kryetarit  të grupit Parlamentar si dhe atë të z. Agron Gjekmarkaj i cili lirisht dhe me vullnet të lirë ja afroj kryesisë...” thuhet në postimin e Ahmetajt.

Bislim Ahmetaj, i doli krah dhe Ervin Salianjit, për të cilin hapur tha se nuk ka pasur simpati, por se lëvizja e tij e fundit është e duhur dhe se nevoja për një riorganizim rrënjësor është ulëritëse.