Bizneset e qytetarët po i paguajnë në kohë kreditë, edhe pse interesat janë rritur! Banka e Shqipërisë liston arsyet që sollën rënie të kredisë së keqe

Bizneset e qytetarët po i paguajnë në kohë kreditë, edhe pse interesat janë rritur! Banka e Shqipërisë liston arsyet që sollën rënie të kredisë së keqe

Foto ilustruese

TIRANE- Niveli i kredive me probleme në Shqipëri në muajin mars zbriti në nivelin e ulët historik. Bizneset dhe qytetarët po i paguajnë në kohë kreditë, edhe pse interesat janë rritur. Aktualisht sipas raportit të Bankës së Shqipërisë janë 4.64% nga 5.15% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

35.4 miliardë lekë të reja janë kreditë me probleme në sektorin bankar dhe në raport me marsin e vitit të kaluar, stoku i kredisë së keqe është në rënie me 1.2 miliardë lekë. Edhe pse pritej që portofoli i keq të zgjerohej për shkak të rritjes së normës bazë të interesit që solli rritje edhe të normave për kreditë që jepnin bankat, situata e mirë ekonomike, zhvlerësimi i valutave dhe aftësia paguese e klientëve kanë ndikuar pozitivisht.

“Ky përmirësim është vënë re në të gjitha portofolet e kredisë, por ka qenë më i dukshëm në portofolin e kredisë në monedhë të huaj, në kredinë afatgjatë dhe në kredinë për bizneset”, thotë Banka e Shqipërisë.

Forcimi i ndjeshëm i lekut ndaj euros dhe dollarit në raport me vitin e kaluar, ka bërë që kostot e kthimit të kredisë së marrë në euro të ulen. Në raportin e stabilitetit financiar Banka e Shqipërisë ka listuar edhe disa nga faktorët e tjerë që kanë ndikuar në rritjen e cilësisë së kredisë.

“Pavarësisht pritjeve, rritja e normave të interesit nuk ka shfaqur ende një ndikim të dukshëm negativ në cilësinë e kredisë. Rënia e kredive me probleme lidhet me riklasifikimin e kredive me probleme në klasa më të mira, fshirjen e kredive të humbura, si dhe shlyerjen e një pjese të kredive me probleme”, thotë Banka e Shqipërisë.

Por edhe bankat prej disa muajsh po tregohen më të kujdesshme në dhënien e kredisë, dhe kanë shtrënguar kushtet e kreditimit, në mënyrë që të mos rrezikojnë, duke shmangur rritjen e kredisë së keqe. Totali i kredisë së dhënë për ekonominë deri në fund të muajit mars ishte 763 miliardë lekë, nga 711 miliardë lekë që raportohet në fund të marsit të vitit 2023.

KREDITË ME PROBLEME NË %
Mars 2023          5.15%
Mars 2024          4.64%
Rënia                 -0.51%
 
TOTALI I KREDISË PËR EKONOMINË
Mars 2023          711,453 mld lekë
Mars 2024          763,204 mld lekë
Rritja                 + 51,751 mld lekë
 
KREDIA ME PROBLEME NË VLERË
Mars 2023        36,639 mld lekë
Mars 2024        35,412 mld lekë
Rënia                -1,227 mld lekë

K.T./N.Xh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

Lorenc Vangjeli: SPAK-u, sëpata që pret nga dy tehet

Lorenc Vangjeli: SPAK-u, sëpata që pret nga dy tehet