Industria e biznesit fason prej kohësh ndodhet në një krizë ekonomike, duke sjellë edhe mbylljen e vendeve të punës. Vetë kryeministri, Edi Rama, në 13 janar tha se biznesi fason është në një “vdekje klinike” dhe kërkoi që kjo industri të gjejë rrugët për t’ju përshtatur tregut.

Në studion e emisionit “5 pyetjet” me gazetarin Ilir Babaramo në Report Tv ekspertët ekonomikë Eduart Gjokutaj e Fatos Çoçoli, ish ministri i Ekonomisë, Arben Malaj dhe kreu i shoqatës ‘Pro Eksport Albania’, Edvin Prençe diskutuan mbi problemet me të cilat po përballen fasoneritë në vend dhe politika që mund të funksionojnë si zgjidhje të mundshme.

Teksa dha disa prej shifrave lidhur me personat që rrezikohen nga falimentimi i bizneseve fason, ish-ministri i Ekonomisë, Arben Malaj tha se kryeministri duhet të kuptojë se ristrukturimi i ekonomisë nuk bëhet me urdhër por sipas rregullave që i përcakton tregu.

“E para të thuash “vdekje klinike” është e rëndë. Është e frikshme kur shikon shifrat. 75 mijë persona janë drejpërdrejt të punësuar, por janë edhe 60 mijë që janë pjesë e zinxhirit. 130 mijë veta me 3.5 pjesëtarë që ka një familje janë 400 mijë veta që rrezikohen në sektorin e fasonëve. Ideja që duhet ndarë me kryeministrin është që ristrukturimi i ekonomisë nuk bëhet me urdhër por sipas disa rregullave që i përcakton tregu”- tha Malaj.

Më tej ai tha se shkak për rënien e vlerës së euros përballë lekut, që konsiderohet një prej shkaktarëve të krizës së fasonëve, ka ndodhur jo vetëm për shkak të turizmit por edhe nga dështimi i strategjisë së Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave.

“Shoqata e ekspertëve nuk kërkuan ndryshim të kursit të këmbimit. Ne të gjithë duhet të jemi fajtor,. Ekspertët po dënohen shumë nga dështimi i strategjisë së bërë nga Banka e Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave që është strategjia e deeuroizimit”- shtoi ish-ministri.

Nga ana tjetër, kreu i shoqatës “Pro Eksport Albania”, Edvin Prençe paralajmëroi se nëse deri në qershor qeveria nuk merr masa, mund të ketë 20 mijë të larguar nga puna në industrinë e bizneseve fason.

“75 mijë persona punëson sektori fason në Shqipëri. 650 milionë euro e mbyli vitin e kaluar faturimin. Zë 40 të eksporteve “Made in Albania”. 740 biznese janë në rrezik nëse qeveria nuk reagon. 3 mijë vende pune janë mbyllur prej datës 4 janar. Nëse vazhdojmë me këtë trend, do të ketë deri në 20 mijë largime. Shkaku kryesor është kursi i këmbimit. Nuk dua t’I hyj arsyeve pse ka rënë, por shifra ka rënë 16%. Është gjëja më e gabuar që mund të thuash që ky sektor ka vdekur. Paga mesatare e jona shkon 40-45 mijë lekë” u shpreh Prençe.

Ai shtoi se bizneset fason nuk kërkojnë lëmoshë por kredi të buta nga qeveria. në mënyrë që të bëjnë investime për modernizimin e impianteve prodhuese dhe rritjen e cilësisë.

Ndërsa eksperti i ekonomisë Çoçoli tha se fasorineritë në vend janë në një situatë shumë të vështirë dhe për këtë arsye tashmë duhet të mbyllin ciklin e kaluar dhe të kalojnë në prodhim. Nga ana tjetër, eksperti Eduart Gjokutaj u shpreh në të njëjtën linjë mendimi me ish-ministrin Arben Malaj duke thënë se shteti duhet të ndërhyjë për të ndihmuar biznesin fason.

Të nesërmen (16 janar), kryeministri ka njoftuar takim me përfaqësues të biznesit fason për të diskutuar për politikat e mundshme për daljen nga kriza. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:40
Kriza e fasonerive, ish-ministri Malaj: Duhet paketë e plotë nga qeveria! Ja skema sesi mund të ndihmojë pa deformuar tregun

 

Ish-ministri i Ekonomisë, Arben Malaj pasi tha se duhej që ristrukturimi i biznesit fason të ndodhte komfort tregut dhe jo me urdhër, foli gjithashtu edhe për një skemë të mundshme që qeveria mund të përdorë për të ndihmuar fasonerit.

Në studion e emisionit “5 pyetjet” me gazetarin Ilir Babaramo në Report Tv, Malaj tha se shteti nuk duhet të përjashtojë dhënien e ndihmës për biznesin fason, pasi një politikë e tillë nuk e derformon tregun. 

“Qeveria ka për detyrë, rritjen e aksesit në burimet financiare, nuk imponon normat e interesit, por mund të përdorë më mirë ndihmën financiare të përkohshme. Ose dhe të vendosë një normë amortizimi të përshpejtuar. Duhet një paketë e plotë nga qeveria. Kur thua që në fillim “vdekje klinike” dhe nuk japim serume, duhet të kemi parasysh se, Thesari i Shtetit në SHBA i dha ndihmë “General Motors” kur ishte në krizë, pra ka instrumente që nuk e deformojnë tregun.  Kjo ka kosto. Por a ka kosto më të madhe që të rrezikohen kaq shumë veta? Këta kërkojnë politika, por bizneset fasonë do t’i shkatërrojë inovacioni nuk nuk arrijnë të konkurrojnë” tha Malaj mes të tjerash.

Ora 22:24
Euro në nivelet më të ulëta, eksperti i ekonomisë, Çoçoli: Duhet të mësohemi me këtë kurs këmbimi, është normalja e re

1705354031_cocoli.jpg

Ekspertët e ekonomisë në studion e emisionit “5 pyetjet” me gazetarin Ilir Babaramo, trajtuan edhe problemin e rënies së vlerës së monedhës euro përballë lekut.

Eduart Gjokutaj tha se kursi i këmbimit tanimë ka hyrë në një stabilitet dhe nuk mund të ketë ndryshim pavarësisht ndërhyrjes.

I të njëjtit mendim ishte edhe eksperti i Ekonomisë, Fatos Çoçoli tha se tashmë duhet të mësohemi me këtë realitet të ri, me nivelin ku ka rënë euro, duke nënvizuar se nuk pritet të ketë më forcim të monedhës europiane përballë lekut shqiptar.

“Duhet të mësohemi me këtë, nuk ngrihet më euro. Janë mësuar eksportuesit, duhet të mësohemi edhe ne. Është normalja e re, duhet të mësohemi, ka muaj që qëndron kaq, 1 euro me 103 apo 104 lekë”- tha Çoçoli.

Ora 22:06
Kriza e fasonerive, Prençe: Jemi në kufijtë e mbijetesës! Nuk kërkojmë lëmoshë, qeveria të na mundësojë kredi të buta

 

Kreu i shoqatës ‘Pro Eksport Albania’, Edvin Prençe i ftuar në studion e emisionit ‘5 pyetjet’ me gazetarin Ilir Babaramo në Report Tv tha se biznesi fason nuk kërkon lëmoshë nga qeveria por marrjen e kredive të buta.

“Nuk po kërkojmë lëmoshë, kërkojmë të marrim kredi të buta të kemi mundësi të bëjmë investimet e nevojshme. Vjen si pasojë e mungesës së theksuar të fondeve të likuiditetit që vjen pas tërmetit dhe pandemisë dhe tani fasoneritë janë në kufijtë e mbijetesës. Kredia do përdoret për modernizimin e impianteve prodhuese. Automatizimin, rritjen e cilësisë, promovimi që deri më tani nuk është bërë. Ky promovim na jep mundësinë që me fondet e qeverisë të promovojmë së pari Shqipërinë dhe më pas atë aktivitetin tonë”-tha Prençe.

Ndërsa më tej, teksa u pyet nga Babaramo mbi kursin e këmbimit valutor, tha se kriza mund të zgjidhej nëse kursi do të rikthehej siç ishte por theksoi se një rënie e tillë nuk lidhet vetëm me performancën ekonomike të vendit.

“Unë nuk jam ekspert, por mendoj se një trend i rënies kaq të fortë më duket e pamundur dhe nuk mendoj se ka qenë performanca ekonomike që e ka çuar kursin në këtë situatë”- shtoi ai.