Thatësira e zgjatur dhe temperaturat e larta po dëmtojnë rëndë bletarinë në fshatrat e Mallakastrës. Mungesa e reshjeve ka ndikuar në bimësinë dhe në burimet ushqimore të bletëve, duke e bërë më të vështirë mbijetesën dhe zhvillimin e tyre gjatë kësaj periudhe.
Sipas bletarëve, ndryshimet klimatike po ndikojnë drejtpërdrejt në ciklin jetësor të bletëve, në burimet e tyre ushqimore, por edhe në rendimentin e prodhimit të mjaltit. Temperaturat e larta dhe mungesa e nektarit bëjnë që bletët të kenë më pak ushqim, ndërsa bletarët detyrohen të ndërhyjnë më shpesh për t’i mbajtur kosheret në kushte sa më të përshtatshme.
"Kam 15 vjet që merrem me bletarinë. E kam pasur pasion. E kam filluar me 5 koshere fillimisht. Është art më vete. Prodhimi nuk ka qenë shumë i mirë sicc dëshirojmë ne, por edhe vjet ishte një kohë e papërshtatshme për bletarinë. Sivjet jemi të kënaqur. Thatësira ndikon tek bletaria sepse mungesa e luleve pengon zhvillimin e bletës dhe prodhimin e mjaltit. Unë kam 3 fëmijë të vegjël dhe bletarinë nuk e kam lënë pas dore" tha një bletare.
Por klima nuk është sfida e vetme për bletarët e Mallakastrës. Ata pohojnë se një tjetër problem shqetësues janë sëmundjet dhe parazitët, të cilët mund të dëmtojnë ndjeshëm kolonitë e bletëve dhe të ndikojnë në prodhim. Për këtë arsye, bletarët kanë ndërhyrë në kohë, duke marrë masa për kontrollin dhe trajtimin e koshereve, me qëllim parandalimin e përhapjes së tyre.
Mbrojtja e bletëve nuk është vetëm një çështje që lidhet me prodhimin e mjaltit, por edhe një domosdoshmëri për ruajtjen e ekosistemit dhe biodiversitetit. E pavaresisht gjithe problematikave, mjalti i zonave kodrinore te Mallakastres mbetet ndër më cilësorët në vend me treg 100% të garantuar.









Komente
Komento