Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski ka marrë të premten akt-vendimin se më 8 nëntor duhet të paraqitet në burgun e Shutkës, për vuajtjen e dënimit prej 2 vitesh burg për rastin “Tanku". Sipas Alsat Tv të mërkurën avokatët që kanë marrë në mbrojtje çështjen e ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski kanë paraqitur kërkesën për rishqyrtim të vendimit të Gjykatës Penale, duke kërkuar shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg.
Dy ditë më parë ish-kryeministri maqedonas Gruevski ishte deklaruar se do tí përdorë të gjitha mundësitë ligjore për të shtyrë vuajtjen e dënimit.
Do t’i shfrytëzoj të gjitha mundësitë ligjore që janë në dispozicion dhe që të mi këshillojnë avokatët. Edhe pse jam i vetëdijshëm që jetojmë në një kohë anormale, ku normalja është jonormale ndërsa jonormalja është bërë normale.
Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski
Sipas akt-udhëzimit të dorëzuar nga gjykata maqedonase, Gruevski duhet të kryejë dënimin prej 2 vitesh burg, ndërsa mbi të rëndojnë akuza e “marrjes së shpërblimit dhe ndikimit kundër- ligjor” gjatë furnizimit të Mercedesit të blinduar luksoz me vlerë 600 mijë euro.
Gruevski në afat prej tre ditëve ka të drejtë të ankimojë vuajtjen e dënimit me burg. Nëse gjykata e refuzon kërkesën e tij, ish kryeministri ka të drejtë ankese deri në Këshillin penal.
Në rastin “Tanku” e akuzuar është edhe ish-Ministrja e Brëndshme e Maqedonisë Gordana Jankuloska.