Bojaxhi: Arvizu i mjegullt
Kritikon KQZ e takon Bashën

Bojaxhi: Arvizu i mjegullt <br />Kritikon KQZ e takon Bashën
TIRANE – Ish-zv/ministri i Ekonomisë dhe anëtar i Partisë Demokratike, Gjergj Bojaxhi, ka kritikuar sot gjatë një interviste në TVA1Report mesazhet e Ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, duke i cilësuar ato të mjegullta. Sipas Bojaxhi, qytetari i thjeshtë nuk e ka të lehtë të kuptojë qartë mesazhin e ambasadorit të SHBA kur ai nga njëra anë kritikon KQZ-në dhe më pas takohet me kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, që mban atë post falë aktivitetit të KQZ-së.
Gjatë intervistën me gazetaren Mira Kazhani, Bojaxhi preku edhe tema të tjera si qëndrimi i tij ndaj qeverisë së Kryeministrit Berisha dhe e ardhmja e tij politike.
Në vijim, pjesë e intervistës së zhvilluar në studiot e TV A1Report.

Ç’mendim keni për aktivitetin e Ambasadës Amerikane, të titulluar “Act Now”?
Unë e përgëzoj nismën e Ambasadës Amerikane. Këtu nuk është një çështje që në Shqipëri nuk ka pasur nisma në interes të shoqërisë shqiptare. Ajo që është e veçantë në këtë rast është që Ambasada Amerikane, duke e marrë këtë nismë, jep një mesazh shumë të qartë, i cili për mendimin tim është: politika shqiptare nuk di të gjejë zgjidhje për shoqërinë shqiptare. Politika shqiptare nuk ka mentalitetin e kompromisit dhe për këtë arsye shoqëria shqiptare duhet që të ngrejë zërin më fort.

Disa janë shprehur me rezerva duke e cilësuar ndërhyrje në punën e brendshme të Shqipërisë.
Ne kemi 20 vjet që i kemi hapur portat dhe kush ka dëshiruar i ka futur hundët në punët tona. Politikanët shqiptarë për aq sa kanë nevojë dhe u intereson në aspektin politik, fusin ose sjellin të huaj për të bërë deklarata se si një parti është më e mirë se tjetra.

Po ata që e panë këtë si thirrje për protesta popullore?
Unë nuk mendoj që ambasadori amerikan po kërkon që shqiptarët të dalin në protesta. Ka shumë mënyra për t’i bërë presion klasës politike. Protesta është një nga ato mënyra.
Unë mendoj që institucionet shqiptare janë shumë të komprometuara në tërësi dhe fakti që edhe sistemi gjyqësor është praktikisht jo vetëm i korruptuar por edhe i mbyllur, i izoluar nga institucionet e tjera, nuk të jep atë drejtësi që duhet.

Si mund ta bëjë shoqëria shqiptare këtë presion ndaj politikës?
Në qoftëse shoqëria shqiptare nuk tregon një aktivizim më të madh, jo thjeshtë për të edukuar këtë klasë politike, politikanët shqiptarë gjithmonë do të tallen me ne.
Nuk shikoj brenda klasës politike vlera të sinqerta që këta njerëz t’i kenë dhe për këtë kam gjykuar se shprehja aktive e qytetarëve është e vetmja mënyrë që ne të kemi një klasë politike që të sillet ndryshe.

Ka pasur nga ata që kanë thënë se këtë nismë ambasadori amerikan mund ta kishte marrë pas 21 janarit. Mos ndoshta është një reflektim i gjatë?
Edhe vetë diplomatët që merren me Shqipërinë kanë një proces të të mësuarit. Është normale që edhe një diplomat të mësojë nga veprimet që bën. Unë do të thoja që pas 21 janarit të bëje këtë thirrje do të ishte kontekst pak më i acaruar. Popullata mesazhin e merr shumë më bardh e zi nga sa e jep një diplomat.

Në fakt kemi filluar ta kuptojmë gjuhën e ambasadorit, të ambasadorëve në përgjithësi...
Unë në fakt, personalisht, gjithmonë më është dukur e çuditshme mënyra se si, të paktën ambasadori ekzistues i Shteteve të Bashkuara, ka komunikuar me publikun. Unë jam përpjekur ta kuptoj nga këndvështrimi i tij mënyrën se si i ka bërë deklaratat apo lëvizjet publike dhe nga një anë e kuptoj faktin që ka një lloj tendence që “unë s’po mbaj asnjë lloj krahu”. Por nga ana tjetër, me taktikën e ndjekur duket sikur e mjegullon mesazhin. Më është dukur gjithmonë e tillë. Unë personalisht do ta kisha bërë ndryshe. Për shembull, në rastin e fundit, në “Act Now”, gjysma e parë e aktivitetit ishte në sallën e Teatrit Kombëtar dhe mesazhi i ambasadorit ishte shumë i qartë dhe gjysma e dytë e aktivitetit ishte përpara Galerisë së Arteve në një formë panairi ku kishte disa organizata dhe qytetarë të Tiranës...

...ishte edhe zoti Basha, kryetari i Bashkisë, edhe pse ishte paralajmëruar se nuk do të kishte zyrtarë të lartë, por besoj nuk mund ta shmangte Ambasada Amerikane...
E shmangte apo jo unë nuk e di por për mua mesazhi i asaj dite ishte i mjegullt përsëri sepse mesazhi që u dha gjatë asaj dite ishte një kritikë ndaj institucioneve që nuk funksionojnë, KQZ-ja në këtë rast. Dhe njerëzit e dinë shumë mirë çfarë ka bërë KQZ-ja këto 2-3 vitet e fundit. Dhe pas kësaj ambasadori del me zotin Basha në bazë të rrjedhshmërisë së vendimeve të KQZ-së për zgjedhjet lokale. Për një qytetar të thjeshtë që i shikon gjërat me më pak vëmendje mesazhi padyshim që është i mjegullt.
Unë mendoj që në momentin që një ambasador i huaj del publikisht duhet të mendojë që mesazhin duhet ta marrë shumica e popullatës, jo një rreth më i ngushtë i popullatës. Që këtë mesazh ta marrë shumica e pupullatës, mesazhi duhet të jetë një çikë më i qartë. Dhe mesazhet nuk janë vetëm fjalimet. Janë me kë rri, ku shkon. Unë nuk dyshoj te parimet që ka [ambasadori Arvizu] për të mbrojtur demokracinë, por taktika për mua duhet të ishte ndryshe.
Kur i jep mundësi medias që ta interpretojë [mesazhin] në dy mënyra të ndryshme, mesazhi është automatikisht i mjegullt. Sepse një pjesë e madhe e popullatës dëgjon një grupim televizionesh dhe një pjesë një tjetër. Ata që i dëgjojnë të dyja janë më të pakët.

Ju frymëzoi Everesti? Për çfarë ju frymëzoi? Do ma thuash edhe partinë nëse largohen nga PD se po lulëzojnë goxha forca politike të djathta?
Që lulëzojnë forca politikë është mirë, sjell kryesisht avantazhe për një shoqëri.
Gjërat ngelet për t’u parë. Dua t’ju them vetëm një gjë. Përderisa unë nuk kam bërë akrobaci politike brenda grupimit tim politik, nuk kam përse i bëj mes grupimeve të ndryshme politike.

Beson ende te Partia Demokratike, përderisa nuk e ke braktisur totalisht?
E para, një herë, unë nuk e bëj të njëjtë qeverisjen me Partinë Demokratike, pavarësisht se shumë njerëz mund ta bëjnë. Dhe mendojnë që çdo parti ka individë që mendojnë më shumë për interesat e vendit, me ideologjinë që kanë, se sa për interesat e tyre personale. Unë bëj pjesë në këtë segment të Partisë Demokratike. Unë qëndrimet e mia po i bëj të qarta e publike. Ç’rëndësi ka në cilën parti aderoj.

Qëndrimet tuaja janë që qeverisja nuk është e mirë.
Padyshim, unë këtë e kam thënë shpesh herë. Kur kam qenë pjesë e administratës publike e kam thënë edhe me veprimet e mia.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Emanuela Rusta do të vendosë drejtësi në gjysmëfinalen e Kampionatit Europian

Emanuela Rusta do të vendosë drejtësi në gjysmëfinalen e Kampionatit Europian