Duke nisur nga e hëna avokatët do të rikthehen në sallat e gjyqit, duke ndërprerë kështu bojkotin e nisur më 7 shtator për shkak të rregullores censuruese të Gjykatës së Posaçme. Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatëve Maks Haxhia tha se paralelisht është ngritur grupi i punës që do të vijojë me padinë në Apelin e Administratives.

“Sot na u vu në dispozicion vendimi i Administratives së Apelit dhe masa provizore është që bojkoti të pezullohej. Në këto kushte, ky organ vendimmarrës, i bëmë prezent gjithë situatën, përpjekjet tona për zgjidhjen e këtij konflikti dhe Dhoma e Avokatisë ka qenë që në ditët e para, kemi qenë dhe jemi që çdo gjë të zgjidhet me mirëkuptim e bisedime. U përdor autoriteti i karriges dhe s’është mirë që në këtë vend kaq të vogël të ndiqet me imponimin e autoritetit të karriges. Duke qenë përpara këtij realiteti, Këshilli i Përgjithshëm vendosi që në zbatim të këtij vendimi, të ndërpresë për shkak të ecurisë së këtij vendimi, të ndërpresë bojkotin duke filluar nga dita e hënë. Ndërkohë Këshilli përcaktoi edhe grupet e punës që do të paraqesin ankimin. Në emër të Dhomës do të paraqesë padi për pezullimin dhe shfuqizimin e rregullores”, tha Maksim Haxhia.

Përveç pasojave në shtyrjen e proceseve gjyqësore, ky bojkot ka pasur edhe kosto të konsiderueshme financiare.

“Vlera e gjobave ka ikur maksimalisht dhe ishte një mënyrë sjelljeje jo korrekte sepse avancoi nga gjobat në kërcënime penale. Gjobat kanë arritur një masë rreth 250 mln lekë, që ne e kemi kundërshtuar në rrugë ligjore në seance”, shtoi ai.

Propozimet e kreut të GJKKO, Erion Banit për ndryshime në ligjin për avokatinë, Haxhia i quajti skema presioni dhe paralajmëroi kundër propozime.

“Skema presioni. Në të gjithë botën, profesioni i avokatit është i lirë. Institucioni i avokatisë është i garantuar dhe i rregulluar me Kushtetutë. Vetëm 10 ditë më parë, Kuvendi miratoi Konventën për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit që në funksion të saj do të paraqesim një sërë propozimesh për rregullimin e ligjit të funksionit të avokatit. Ne nuk po e kërkojmë celularin apo tabletin për të krijuar vështirësi, por për të realizuar me efektivitet të drejtën e mbrojtjes”, tha ai.

Me vendimin për t’i dhënë fund bojkotit, kapërcehet ngërçi që kishte sjellë shtyrjen e një sërë seancash gjyqësore të rëndësishme në Gjykatën e Posaçme por që nuk e zgjidhi konfliktin mes avokatëve dhe GJKKO-së sa i takon rregullores që pengon mbajtjen e celularëve ne seancë. Kundër saj kanë reaguar një sërë institucione ndërkombëtare si dhe organizatat e mediave vendase e të huaja.