Prokuroria ka kërkuar arrest shtëpie për kontrolloren ajrore Flora Ndreca, ndërsa për dy të tjerët, Armando Fezga dhe Muhin Mezini, është kërkuar arrest në burg. Të tre kontrollorët ajrorë të “AlbControl” u arrestuan pasi akuzohen si nxitës të bojkotit të punës që solli pezullimin për dy ditë të të gjitha fluturimeve në aeroportin e Rinasit, dhe mbi to rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës.

Seanca për dhënien e masës së sigurisë pritet të zhvillohet ditën e nesërme. 3 ditë më parë rreth 60 kontrollorë bojkotuan punën dhe prokuroria ka si prova disa mesazhe që tregojnë se 3 të arrestuarit kanë ndikuar mbi kontrollorët  për plotësimin e formularëve të paaftësisë në punë.

Në bisedat e kryera të tre të arrestuarve, rezulton se Muhin Mezini, me detyrë mbikëqyrës i kontrollorëve të trafikut ajror ka ushtruar ndikim mbi kontrollorët dhe bashkëpunëtorë të tij akuzohen Flora Ndreca dhe Armando Fezga.

Kujtojmë se mëngjesin e së mërkurës u bllokuan fluturimet në aeroportin e Rinasit, ndërkohë që dje pasdite rinisën fluturimet esenciale që përfshijnë fluturimet humanitare, diplomatike, ushtarake dhe shëndetësore. Pjesa më e madhe e kontrollorëve të trafikut ajror në AlbControl ndaluan punën me arsyetimin se për shkak të uljeve të pagës ata kanë pasur stres si pasojë e rënies së financave në familje dhe janë deklaruar paaftë për punë.