Petrit Sulaj, ish-drejtor i Aviacionit Civil është lënë i lirë pas 6 orësh nga Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës. Ai u shoqërua mbrëmë në polici pasi numri i tij i celularit doli tek bisedat e kontrollorëve që u shoqëruan dhe ndaluan.

Gazetari i Report Tv Sokol, Dema bën me dije se para hetuesve Sulaj është shprehur se nuk është dakord për ndërprerje të punës nga kontrollorët, por për dialog dhe zgjidhje të situatës.Sulaj u shoqërua mbrëmë pas arrestimit të tre kontrollorëve. 

“Nuk kam pasur asnjë rol në këtë vendimmarrje. Kam njohje personale me disa prej kontrollorëve dhe ndaj vijon dhe komunikimin me ta”- është shprehur ai.

Report Tv zbardhi dje bisedat në grupin e WhatsApp, që kanë fundosur 3 kontrollorët ajror të cilët janë arrestuar si organizatorë që nxitën pezullimin e punës në Aeroportin e Rinasit. Muhin Mezini, me detyrë mbikëqyrës i kontrollorëve të trafikut ajror ka ndikuar te vartësit e tij për plotësimin e formularëve të paaftësisë së përkohshme në punë, fakt të cilin e kanë konfirmuar në polici edhe Emiljano Majani, Erion Alibali dhe Erjon Kristafi. Nga ana tjetër, nga dëshmitë e punonjësve, ka rezultuar se Mezini ka bashkëpunuar me Flora Ndrecën dhe Armando Fezgën, të tre të arrestuar, për plotësimin e formularëve të paaftësisë.  Nga bisedat, rezulton që formularët e paaftësisë janë plotësuar nga treshja, dhe më pas janë shpërndarë në WhatApp, në grupin e përbashkët që kanë pasur kontrollorët me njëri-tjetrin.