Viti 1999, ishte vit tepër i vështirë. Shqipëria hapi dyert për kosovarët, por moria e civilëve që i frigoheshin vdekjes nga serbët pushtoi Kukësin e vogël. Vullnetarë nga UNCHR mbërritën në ndihmë, me ushqimë, veshmbathje, çadra. Mes tyre dhe Laura Boldrini, vullnetare aso kohe, aktualisht Kryetare e Dhomës së Deputetëve të Italisë. Pas kaq vitesh, Boldrini sot e gjeti Kukësin ndryshe. U rikthye jo si vullnetare, por si ‘Qytetare Nderi e Kukësit”.

Boldrini vlerëson se atë cfarë bëri Kukësi në vitin 1999 me kosovarët shumë vende të Bashkimit Europian ngurrojnë ta bëjnë me refugjatët e luftë. Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Italisë thotë se, Kukësi duhet të shërbejë si model për BE-në.

Boldrini “Qytetare nderi e Kukësit
Presidentja e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Laura Boldrini u shpall sot “Qytetare nderi e Kukësit” me motivacionin “Për kontributin dhe humanizmin e veçantë në menaxhimin e krizës kosovare  të vitit 1999”.

Boldrini mori sot këtë titull, të propozuar dhe nga kryetari i parlamentit shqiptar, Ilir Meta.

Vendimi për vlerësimin e Boldrinit ishte miratuar nga Këshilli Bashkiak para disa ditësh, ndërsa sot u shpall nga kryetari i Bashkisë Kukës Bashkim Shehu, në një ceremoni të veçantë, ku mori pjesë dhe nënkryetarja e Parlamentit Valentina Leskaj.

Boldrini: Disa vende të BE jo si Kukësi! Aspak solidaritet ndaj refugjateve të luftës
Nga ana e saj Boldrini vlerësoi titullin që iu dha sot nga Bashkia e Kukësit, dhe duke kujtuar krizën e refugjatëve kosovarë në vitin 1999 në Kukës, hoqi paralele me refugjatët e luftës që sot trokasin në dyert e BE. Sipas saj, solidariteti është vlerë që nuk po dëshmohet nga shumë vende evropiane.

Ju falenderoj shumë. Jam mirënjohese që më nderoni me këtë çmim. Dua ta ndaj këtë çmim me të gjithë ata që ndihmuan në vitin 1999. Unë jam përfaqësuese e thjesht e një komuniteti të madh UNCHR, të cilët do t’i njoftoj për këtë vlerësim.
Çfarë mund të them unë për sot kur kemi krizë refugjatësh?
Solidariteti është një vlerë e BE, por për fat të keq, sot ka disa vende të BE që nuk e konsiderojnë të tillë 
dhe po krijojnë mure dhe gardhe për refugjatët. Faleminderit shumë dhe shpresoj të zhvillohet Kukësi. Gjithçka mund të arrijmë kur punojmë bashkë. Unë shpresoj që Kukësi do hapet edhe për turizmin, thjesht se bukuritë e këtij qyteti meriton t’i njohë gjithë bota”.

Sipas Boldrinit, Kukësi dëshmoi vlera të vërteta humanizmi në ato ditë të vështira.

Kriza e 1999 u përballua nga gjithë komuniteti shqiptar dhe nga komuniteti ndërkombëtar duke filluar nga UNHCR që unë e përfaqësova në Kukës. Cfarë ndodhi në vitin 1999 ka qenë një punë shumë e vështirë për të garantuar vendstrehimi për mijëra e mijëra njerëz. Ishte krejt e papritur dhe brenda një ore, familje të Kukësit u mobilizuan për ta strehuar në shtëpinë e saj.
“Sepse ata nuk janë refugjatë. Janë vëllezërit tanë
”, më shpjegoi dikur një familje kuksiane.

Çmimi është i rëndësishëm për marrëdhëniet Itali-Shqipëri.  Ajo që u bë me Kosovën duhet të jetë shembull për krizën e refugjatëve sot. Nuk mendoj që BE duhet të ndjekë modelin mureve dhe të rrjetave, por modeli i bashkëpunimit, sepse kemi të bëjmë me qenie njerëzore dhe të të drejtave të njeriut. E ardhmja të jetë ndryshe. Nga Kukësi, duhet t’i japim apel qytetarëve europianë, të ndjekin këtë model, të asaj kohe”, u shpreh Boldrini

Reforma ne drejtesi
Një mesazh iu adresua dhe klasës politike shqiptare lidhur me Reformën në Drejtësi.
“Reforma në Drejtësi është shumë e rëndësishme të zbatohet. Është rrugë e detyruar për në Bashkimin Europian. Nuk është rrugë e lehtë ndaj Italia do të japë kontributin e saj për klasën politike dhe institucionet”.

Boldrini u kujdes për refugjatët kosovarë në Kukës
Laura Boldrini ndoqi gjatë gjithë kohës çështjen e refugjatëve kosovarë në luftën e vitit 1999 dhe për disa muaj qëndroi në Kukës në mbështetjeve të kosovarëve të dëbuar nga serbët.

Personalisht është kujdesur për sistemimin e shqiptarëve të dëbuar nga Kosova dhe vendosjen e tyre në Shqipëri. Boldrini ka mbajtur qëndrime të hapura dhe publike në favor të çështjes shqiptare. Pas përfundimit të luftës në Kosovë qëndroi në krye të zyrës së UNHCR-së në Prishtinë ku u kujdes për kthimin dhe rindërtimin e jetës së shqiptarëve të Kosovës.

[gallery]19081[/gallery]

(d.b/Shqiptarja.com)