TIRANË- Bordi i Transparencës ka hequr çmimin tavan për vajin. Sipas Ministrisë së Financave ky vendim është marrë sepse disa kompani e blinin vajin më lirë dhe e shisnin atë më shtrenjtë, për shkak të çmimit tavan të caktuar nga bordi. Sakaq, kompani të tjera e blinin vajin më shtrenjtë, por e shisnin sipas çmimit tavan, pasi ishin të detyruar të respektonin vendimin e bordit dhe kështu prishej barazia në treg. 

Bordi ka caktuar se për vajin marzhi i fitimit do të jetë 41 lekë/litër, që do të thotë nëse një kompani e zhdoganon vajin me 250 lekë, ka të drejte ta shesë me 291 lekë/litri.

Sa i përket çmimeve për produktet e tjera të shportës, çmimi i miellit ka pësuar rritje, ndërsa çmimi për orizin dhe sheqerin është ulur. Nga sot mielli do të shitet me 90 lekë/kg, çmimi ka pësuar 11 lekë rritje. Orizi kokërrgjatë do të shitet 101 lekë/kg, 8 lekë më lirë dhe sheqeri do shitet 104 lekë/kg, 17 lekë më lirë. Ky është vendimi i tretë i marrë nga Bordi i Transparencës për çmimet e produkteve të shportës. 

                              Ishte                           Bëhet
Orizi                    109 lekë/kg                  101 lekë/kg
Sheqeri               121 lekë/kg                  104 lekë/kg
Mielli                    79 lekë/kg                    90  lekë/kg

Report Tv ka denoncuar më parë çmimet e unifikuara për vajin nga tregtarët, të cilët kanë abuzuar me çmimin tavan të vënë nga bordi. Sipas vëzhgimit të kryer nga Report Tv tregtarët unifikuan çmimin e vajit të lulediellit ndonëse ishin marka të ndryshme.

Para caktimit të çmimeve nga bordi vajin mund ta gjeje me çmime të ndryshme në bazë të markave, ndërkohë që sipas çmimit tavan të caktuar nga vendimi i dytë i bordit, tregtarët kishin unifikuar çmimin me 380 lekë dhe 381 lekë litri.

(Kliko ketu per te lexuar vendimin e plotë të bordit)