Borxhet e qeverisë, aplikojnë
online vetëm 110 biznese

Borxhet e qeverisë, aplikojnë<br />online vetëm 110 biznese
TIRANE- Janë shumë pak subjektet, që kanë aplikuar gjatë një jave për të kërkuar pagesën e faturave të prapambetura nga ministria e Financave. Për një javë numërohen vetëm 110 biznese, ndërkohë që nuk dihet shifra e kërkuar prej tyre
 
Nga data 2 tetor, kur nisi procesi i deklarimit të borxheve të prapambetura të shtetit ndaj biznesit privat e deri ditëne  djeshme 110 biznese kanë deklaruar në faqen online të ministrisë së Financave, vlerën e faturave të papaguara nga qeveria Berisha, që i bie ta shlyejë Ekzekutivi aktual. Ky ka qenë deh një ndër premtimet e bujshme të fushatës elektorale nga mazhoranca aktuale e majtë dhe është përsëritur disa herë edhe pas ardhjes në pushtet, si nga kryeministri Edi Rama, ashtu edhe nga kreu i dikasterit të Financave Shkëlqim Cani.

Për t'iu ardhur në ndihmë subjekteve private, ministria e Financave në faqen e saj në internet ka çelur një llogari, ku biznesi mund të shkarkojë një formular në formatin Excel, ta plotësojë atë me gjithë detyrimet që pretendon se ka, më pas e ngarkon dhe e dërgon tek specialistët e ministrisë.

Burime nga zyra e shtypit e Financave bëjnë me dije se deri tani janë 110 subjekte që kanë dërguar formulain e plotësuar mbi borxhin që pretendojnë. Por duke qënë se vetëm një biznes mund të ketë disa lloje detyrimesh, si rimbursim TVSH-je, detyrime të papagura për punët e kryeara apo edhe lloje të tjera tatimesh, llogariten afro 180 deklarime deri në datën 8 tetor. Sidoqoftë, është një shifër e papërfillshme, përballë një numri të madh biznesesh që vitet e fundit kanë kërkuar shlyerjen e detyrimeve nga shteti, shumica e të cilave operojnë në sektorin e ndërtimit, tashmë në një krizë të thellë.  

Burimet e Financave bëjnë të ditur se të dhënat e këtyre bizneseve administrohen vetëm nga një person i caktuar me këtë detyrë dhe askush nuk ka akses mbi to. Financat garantojnë konfidencialitetin e bizneseve për emrin e kompanisë, të dhënat dhe vlerën e borxhit.
Numri jo i madh i këtyre deklarimeve në krahasim me pretendimin e subjekteve mbi borxhin, duket se tregon stepjen e vetë sipërmarrjes për t'u bërë pjesë e deklarimit të borxhit. 

Data 20 tetor është afati i fundit që Ministria ka përcaktuar për të deklaruar online të gjithë biznesit vlerën e borxhit që shteti u ka. Më pas një grup i posaçëm me ekspertë të Financave, Tatimeve dhe Doganave, do të shqyrtojne dhe verifikojnë këtë deklarime.

E gjithë kjo procedurë u ndërmor për të nxjerrë një vlerë të saktë të borxhit të akumuluar. Kryeministri Edi Rama në takimin e fundit që pati me biznesin u shpreh se borxhi ndaj tij është afro 600 milionë dollarë apo 400 millionë euro, duke premtuar edhe një herë kthimin e detyrimeve. Rama shkoi deri aty, sa të deklaronte se shteti nuk mund të kërkontë taksa nga subjektet, ndërkohë që kishte borxh ndaj tyre.

Problemi duket se ka gjetur edhe një mirëkuptim nga ndërkombëtarët, duke nisur nga misioni i fundit i Fondit Monetar.

Shkrimi u publikua sot (09.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit