Me shumë vështirësi, por me përmbysje, Anglia ia ka dalë të kualifikohet në 1/8-t e Botërorit, duke fituar 2-1 kundër Republikës Demokratike të Kongos. Në Atalnta befasia e madhe erdhi shpejt. Cipenga në minutën e 7 dërgoi topin në rrjetën e mbrojtur nga Pickford.

Rrjeta e Kongos shtangu jo vetëm të pranishmit në stadium, por edhe këdo që ndiqte këtë duel, pasi Anglia ishte super favorite. Pavarësisht kësaj vetëm shtylla e ndali Kongon në pjesën e parë për të dyfishuar rezultatin.

Vuajtjet e Anglisë zgjatën edhe në pjesën e dytë, teksa goli i barazimit erdhi vetëm në minutën e 75. Harry Kane barazoi me kokë pas krosimit të Gordon, duke rikthyer qetësinë te ‘Tre Luanët’. Në vijim të besuarit e Tuchel luajtën me të relaksuar, ndërsa heroin do ta bënte sërish ‘snajperi’ Harry Kane. Pak çaste nga fundi i kohës së rregullt, sulmuesi pjesë e Bayern Munich, lëvizi bukur në zonë dhe ndëshkoi Kongon me një ‘silur’.

Me rezultatin 2-1 përfundoi edhe ky duel, ndërsa në 1/8-t Anglia do të përballet me Meksikën.

Angli 2-1 RD Kongo

Zhvillimet më të rëndësishme

86'- I papërmbajtshëm Harry Kane. Leviz bukur në zonë dhe përmbys rezultatin.

75'- Harry Kane barazon me kokë rezultatin ndaj Kongos.

45+6'- Ka përfunduar pjesa e parë në favorin e Kongos. Anglia rrezikon të eliminohet me turp nga Botërori

7’-Befasi e madhe në ndeshjen e Anglisë. Kongo kalon në avantazh me Cipengan

1’-Ka nisur në Atlanta dueli Angli-Kongo për 1/16-t e Botërorit

Si vijnë skuadrat

Anglia, një prej pretendentëve kryesorë për fitimin e Botërorit bashkë me Francën dhe Spanjën, do të luajë sot në orën 18:00 ndeshjen e 1/16-ve kundër surprizës së fazës së grupeve, Republikës Demokratike të Kongos. ‘Tre luanët’ janë super favorit për këtë duel, por megjithatë trajneri Tuchel ka bërë thirrje për durim.

Gjermani pret që Kongo të luajë me bllok të ulët, duke iu dedikuar plotësisht mbrojtjes. Më konkretisht ai është shprehur se ‘mund të jetë lodhëse dhe stresuese derisa të arrihet te goli’. Sipas Tuchel e rëndësishme është që futbollistët e tij të mos dyshojnë te fitorja.

Te Kongo ndërkohë po e përjetojnë këtë përballje si moment historik. Trajneri Sebastian Desabre është shprehur se ‘Kongo nuk ka asgjë për të humbur nga kjo përballje’, duke kaluar presionin te Anglia. Për Kongon ky është një rikthim në Botëror që pas vitit 1974, ndërsa për herë të parë do të luajë në një ndeshje me eliminim direkt.

Fituesi i këtij dueli mes Anglisë dhe Republikës Demokratike të Kongos do të përballet në 1/8-t e Botërorit kundër Meksikës.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:07
'Dopieta' heroike kundër Kongos, Harry Kane frikëson Lionel Messi-n dhe Kylian Mbappe-n

Për t’u theksuar, që në fitoren 2-1 kundër Kongos, 2 golat e 'Tre Luanëve' erdhën nga Harry Kane. 'Bomberi' realizoi në momentin më delikat të Anglisë, duke barazuar fillimisht me kokë dhe më pas duke përmbysur me një silur. Këto dy rrjeta e rikthejnë Harry Kane në garën për golashënues.

 Aktualisht sulmuesi i Anglisë ka 5 gola, 1 më pak se Mbappe dhe Lionel Messi që ndajnë vendin e parë dhe të dytë. Mbappe udhëheq, sepse ndryshe nga Messi, ka edhe dy asist.