Deputeti i PS, Erion Braçe mbajti një fjalim me tone të forta kritike ndaj Reformës territoriale të propozuar nga Partia socialiste, duke deklaruar se sipas tij ajo nuk është reformë, por thjesht një ndarje gjeografike territoriale. Ai u shpreh se kjo ndërhyrje nuk po shoqërohet me shtim të kompetencave, duke shpjeguar se 12 vite më parë komptemecat që iu dhanë bashkive me reformën e 2014-ës “u transferuan pa buxhet, ose me buxhet të pamjaftueshëm. Po 46 kompetenca kanë sot bashkitë. Një pjesë e madhe e tyre janë formale, për të mos thënë banale”.
Sipas Braçes, parimet mbi të cilat duhej të ishte realizuar reforma janë shkelur dhe nuk janë respektuar kudo njësoj në hartë. Ai foli dhe për mungesën e një transparencë efektive në të gjithë procesin.
"Im atë lindi 82 vite më parë në Lozhan, në bashkinë Maliqaj. Bashkë me tim atë lindën atje edhe dy xhaxhallarët e mi. Ime më lindi në Libohovë, në një qytet me kala, jo për t'i bërë karshillëk Gjirkastrës. Unë linda në Kombinat. Tirana e shtynte Kombinatin në këtë mënyrë, një qytet industrial i lënë mënjanë. Po e thekson këtë fakt për të treguar se e kuptoj fare qartë çdo qytet që u ngrit në funksion të industrisë. Këto elementë e sollën që unë të zgjidhem deputet për herë të parë në Poliçan. Njerëz që janë në këtë sallë më donin të gjymtuar edhe humbës. Poliçanin nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë. Në vijim për 17 vite me radhë, njerëz të tjerë, përfshi edhe ata nga Poliçani, Berati në tërësi, më dhanë punën, nderin e pafund për të përfaqësuar në Kuvend njerës si ata. Më pas në Divjakë, Lushnjë, etj, njerëz të tjerë më dhanë punën dhe nderin, për t'i përfaqësuar, për të jetuar me ta dhe për ta.
Kush mirënjohjen se njeh, vazhdimisht lidhjen me këta njerëz nuk e ka kuptuar. Nuk është as emocionale e as folklorike kjo, është marrëdhënie njerëzore. Janë bërë eksperimente pas ekperimenti. Kam qenë këtu në këtë Parlament, kur kryetarët e bashkive u bënë edhe deputetë. Kur zonat elektorale kaluan kufijtë e bashkive. Qeverisja qendrore për shkak të definicioneve kushtetuese u vendos larg nga qytetari. Pushteti vendor është pushteti i qytetarit, sepse ai është më pranë tij. Reforma, ndërkohë ky që kemi përpara është një ligj, që vizaton një hartë të re territoriale. Harta e provuar shumë herë është e përkohshme, e paqëndrushme dhe si reformë tërësisht e pamjaftueshme. E kam dëgjuar se harta është produkt i përfitimeve politike, më troç votës. Më e keqja është se këtu jemi edhe sot.
Edhe kjo hartë që me gjasë do të ndryshojë sot, do të marrë fuqi nga 2031. Unë mendoj se qëndrueshmëria e reformave vjen nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë respektuar njësoj kudo në këtë hartë. Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e njerëzve në 15 bashki. Madje ndryshojmë jetën e njerëzve edhe në bashkitë e tjera që ato po i përthithin. Por kaq me thjeshtësi e marrim ne ndryshimin e jetës së njerëzve, të cilët kanë bërë plane për jetën e tyre? Bie dakord që populli ushtron sovranitetin përmes përfaqësuesve të zgjedhur me votë. Kjo kërkon përgjegjësi e përgjegjshmëri. Që të ndodhë kjo duhet transparencë efektive. Transparencë efektive nuk ka patur, jo për shkak të ndarjes partiake këtu. Kur kriteret që justifikojnë këtë ligj janë të gjitha me karakter ekonomik e financiar. Mes lumit të informacionit që nuk u nda me ne, do ishte e udhës që informacioni të ishte korrekt.
Këto kompetenca u transferuan pa buxhet, ose me buxhet të pamjaftueshëm. Po 46 kompetenca kanë sot bashkitë. Një pjesë e madhe e tyre janë formale, për të mos thënë banale. Prodhimi, transportimi dhe furnizimi me ujë të pijshëm janë funksion i bashkive. Po seriozisht e thoni këtë? Po nuk kemi krijuar ne disa Sha që nuk janë nën kompetencë të bashkive? Ne po na mbysin lumenjtë në Lushnjë e Divjakë. Dua te ndalem edhe te thelbi. Aty flitet për decentralizim të kompetencave. Bujqësia, zhvillimi rural dhe pyjet, bashkitë kanë vetëm 6 kompetenca, pjesën më të madhe të të cilave i disponon edhe si buxhete qevera qëndrore.
A është gati qeveria të lëshojë pushtetin e saj, për pushtetin që është më afër qytetarve dhe që i shërben qytetarëve, të lëshojë kompetenca, funksione, buxhet, tatime e taksa, të ardhura, prona që janë të bashkive por që i mban qeveria qendrore duke u mohuar zhvillimin ekonomik këtyre zonave? Këto e bëjnë reformën, jo harta! Sikundër reformën, nuk e mbajnë votat, por parimet, të cilat janë shkelur nga fillimi deri në fund! Mbylleni mikrofonin, do e flas me zë, kam ngrënë vezë nga fshati", tha mes të tjerash Braçe.
Gati gjysmën e fjalimit e mbajti pa mikrofon, duke qenë se i kishte kaluar koha. “Do flas me zërin tim. Kam ngrënë vezë fshati”, i tha Braçe drejtueses së seancës kur i fiku mikrofonin.
Report Tv ka zbardhur debatin me mikrofon fikur të deputetit socialist Erion Braçe me drejtuesen e seancës plenare në Kuvend, Evis Kushi. Lidhur me pretendimet e PS se harta e re territoriale do të shërbejë për marrjen nga Shqipëria të fondeve të kohezionit social dhe zhvillimit rajonal nga BE, Braçe tha se një hartë nuk mund ta garantojë e vetme këtë gjë.
Braçe tha gjithashtu se Shqipëria ka marrë shumë fonde nga Bashkimi Europian, por sipas tij, i ka keqpërdorur ato, duke humbur besueshmërinë e partnerëve (referuar fondeve IPARD).
Sipas Braçes, mazhoranca duhet të kishte sjellë në draftin për 'Territorialen' gjithë kompetencat që çojnë pushtetin te qytetari. Gjatë fjalës së tij pa mikrofon në Kuvend, Braçe u përplas edhe me drejtuesen e seancës, Evis Kushin, e cila e paralajmëroi me 'vërejtje' nëse nuk do të lironte foltoren. Por Braçe tha se 'mezi priste' që ta nxirrnin jashtë.
Braçe: E dëgjova me shumë vëmendje argumentin se e gjitha po bëhet për fondet e kohezionit social të BE-së. Por a e mendon kush atë që thotë? Dhe a e beson kush atë që thotë? Si mendoni ju që një hartë na bën pjesë automatike të fondeve të kohezionit social të BE-së? Unë mendoj se ka kritere, infrastruktura duhet të ndërtohet dhe vetëm kjo hartë nuk e garanton këtë gjë.
Kushi: Zoti Braçe po bllokoni vijimin e seancës, ju lutem lironi foltoren.
Braçe: Më nxirrni përjashta. Më nxirrni përjashta se vdes unë të më nxirrni përjashta. Vetëm kaq nuk na bën pjesë të fondeve të BE-së. Kanë qenë shumë më tepër ato që ne kemi marrë përmes projekteve, por i kemi marrë dhe i kemi keqpërdorur. Duhet të bëhemi të besueshëm edhe për ata atje.
Kushi: Edhe njëherë ju tërheq vëmendjen zoti Braçe, për të mos kaluar te masa disiplinore me vërejtje. Ju lutem lironi foltoren.
Braçe: Mezi e pres. Një shtet i tërë, një qeveri e tërë, kishte mundësi të kishte sjellë këtu të gjitha kompetencat që çojnë pushtetin real te qytetari. Dhe që i bëjnë ata të ndihen pjesë e një pushteti.
Lajmi kryesor:
LIVE TV - Kuvend/ 14 orë debat për ‘Territorialen’! PD: Po asgjësoni 15 bashki, duhet referendum! PS: Asnjë shërbim s’largohet! Sinaj pendohet, Braçe kritika të ashpra! Mbërrin Rama




