Në fshatin Buezëmadhe ‘fle’ një histori dashurie, sakrifice dhe jo pendimi! Është historia e Zylfi Tolas 85 vjeçari, ish-mësuesi i letërsisë, gazetar dhe publicist, pas më shumë se një gjysmë shekulli kujton se si u realizua portreti i tij me kostum popullor i titulluar “Delegati”, nga piktori Nexhmedin Zajmi. Zylfi Tola tregon edhe lidhjet me shkrimtarin Petro Marko por edhe një moment të rëndësishëm të jetës ku iu desh të mos vazhdonte shkollën e aktrimit në “’Bolshoj Teatër” në ish-Bashkimin Sovjetik. Arsyeja, dashuria me vajzën Bicjane, bashkëshortja e tij tashmë e ndjerë.
“Kam lindur më 11 mars 1937, në katudin Buzmadhe të Kukësit.Dikur Kalaja e Dodës. Më vonë krahina e Bushtricës e tani Grykë-çaja. Kam lindur në fisin Tole. Një fis me emër në Lumë.Tole e Buzë-Madhe. Kemi qenë 3 vëllezër e 4 motra. Tani jetojmë 2 motra dhe unë. Kam lindur me 11 mars 1937. Dita është pakë me pak pyetje pasi në atë kohë nuk kishte gjendje civile.Nuk shënonte kush. Kur ka radhur puna për tu rregjistruar në gjendje civile e kanë pyetur nënen time. Moj Zemrite,kur ka lindur djali. I ka thënë dy ditë pas ditës së verës dhe dy vjet pa radhë Italia. Dita e verës me 14 mars. Hiq dy ditëshin me 11 mars.Italia në 39-tën ka hyrë.Hiq dy vjet 37-të. Pra 11 mars 1937 është ditëlindja ime.” – e fillon tregimin e jetës së tij Zylfi Tola.
Ishte ndër të parët nxënës të shkollës fillore në Buzëmadhe. Pasi përfundoi 7-vjeçaren, u diplomua për mësuesi në shkollën pedagogjike Tiranë, “Ndrec Ndue Gjoka”. Këtu do të njihej me Petro Markon, në atë kohë mësues i gjuhës dhe letërsisë në atë shkollë. Petro Marko shënjoi ngjarjet më të veçanta në jetën e Zylfiut.
“Në shkollën pedagogjike mësues të lëndës dhe kujdestar klase kam patur profesor Petro Markon. Gjithashtu edhe unë kam qenë kujdestar klase.Duke qenë të dy kujdestar klase,kishim një lidhje më të shumtë me profesor Petron. Në hartimin e parë që kam bërë, profesor Petro më tha “Dëgjo djalë.Më pëlqen hartimi.Ke diçka të bukur.Shkruaj dhe mos iu nda të shkruarit. Ke nerv.Ke damar. Më pëlqen”. Titulli i hartimit ishte “Një natë dimri në fshat”. Unë shkrova për katundin tim,kushtet,borën,qentë. Me profesor Petron kisha një lidhje të vazhdueshme”. –tregon 85 vjeçari.
Kjo lidhje i dhuroi edhe një pikturë nga “Piktorin e Popullit” Nexhmedin Zajmi. Zajmi ishte një nga studentët shqiptarë që studjuan në Akademitë Italiane në vitet ‘40 të shekullit XX. Ai ishte një nga piktorët e Realizmit Socialist, që realizuan kompozimet e para me temë nga lufta e dytë botërore që porsa kishte mbaruar duke çelur kështu serinë e tablove historike.
Piktori Zajmi do të merrte një sugjerim prej mikut të tij Petro Marko për të realizuar idenë që kishte në atë kohë.
Por si u gjend Zylfi Tola midis këtyre dy emrave të mëdhenj të artit shqiptar?
“Jemi në Kongresin e Miqësisë me Bashkimin Sovjetik. Së bashku me disa shokë delegatë të Kukësit u zgjodha edhe unë. Jemi veshur me kostumet popullore që janë tipike Lumjane. I plotë me çorape, me xhamadan, me kapuç.
-Në cilin Vit ?
“Në vitin 1956. Në kongres, në emër të delegacionit të Kukësit u ngarkova unë të diskutoj. Aty ishin edhe dy vajza nga Dropulli, të bukura e simpatike. Unë u ngrita, diskutova pa letër. Kur mbarova, shokët, kuksianët më dhanë dorën, ndërsa dy vajzat dropullite, më puthën në ballë. Në sallë ishte edhe Nexhmedin Zajmi. Në pushim më afrohet një burrë i imët,i çiltër,me sy të mprehtë dhe më kapi prej dore dhe më tha nga je.Unë i veshur me kostum i thashë, nga Kukësi jam. Në cilin vend, më pyeti. Nga Kalaja e Dodës. Kam dëgjuar më tha. Po ju nga jeni e pyeta. Ai më tha nga Golloborda. Unë jam piktor. A do të ketë mundësi të të bëj një portret. Po, i thashë. Takohemi pasdite. Shkuam në shtëpinë e tij,diku pas Pallatit të Kulturës në Tiranë në mos gaboj,Më dërgoi në studion e tij. Filluam punën. Kishte momente që e ndalonte punën. Unë e pyeta se përse e ndalonte punën. Është vranët në Tiranë. Ka vranësira dhe më ulë forcën e portretit më tha. E përfunduam portretin. Ky është portreti i cili është botuar më këtë kostum. Ai më tha se portretin tënd do ta titulloj “Delegati”. Mbas disa kohësh profesor Marko më njofton se portreti yt është ekspozuar në Galerinë e Arteve një institucion i rëndësishëm në atë kohë”.- tregon Zylfi Tola.
Sot Zylfiu e ruan në një kornizë foton e pikturës “Delegati” që u publikua në atë kohë në revistën “Ylli”. Me veshjen tipike Lumjane që sot ka pësuar ca ndryshime sipas tij.
Por të papriturat në jetën e djalit nga Buzëmadhe nuk kanë përfunduar.
“Kur isha në shkollë me profesor Markon kam marrë pjesë në grupet teatrale. Profesor Petro më thoshte gjithmonë, Zylfi bëj prova për shkollën e aktorëve. Ishte hapur shkolla e aktorëve në Tiranë. Në atë kohë Bashkimi Sovjetik zgjidhte aktorë të rinj. Unë bashkë me bashkëfshataren time Fatmira Domin, shkojmë dhe përgatitemi për të konkuruar për aktor. Ajo çfarë është me e bukura, profesor Petro mori Pjetër Gjokën, një aktor me emër. Pjetër, i thotë profesori, merre provoje dhe shikoje a kanë bërë përgatitje. Shkuam tek pallati i kulturës “Ali Kelmendi” dhe bëmë pergatitjet. Pjetër Gjoka tha se kjo vajza (Fatmira) është përgatitur mirë. Ti nuk je përgatitur. Unë kisha përgatitur një vjershë “Një natë dimri që pa gdhirë dhelpra hynë në kotec” . U takuam me profesor Petron dhe Pjetër Gjoka i thotë se ky djalë nuk është përgatitur mirë. Vajza mirë. Hymë në sallën ku ishin 300 konkurues. Kishin ardhur edhe nga teatri “Balshoj” për të zgjedhur më të mirët. Përfundimisht profesor Marko më thotë: Zylfi, futu. U futa dhe Xhemal Broja drejtor i teatrit thotë, cfarë ke përgatitur. Unë e pyeta se çfarë kërkoni ju. Një vjershë më tha. Sovjetikët po komunikonin me njëri-tjetrin. Më panë me trup të gjatë, i shkathët. Drejtori më tha ke një shok të largët dhe mendo diçka me atë shok për një skenë filmi. Mendova dhe i thashë po. I thirri një katundari “O Hasan! Hajde se pela të ka bo mushkë. Pela ka bo mushkë.Uuuu salla. Sovjetikët thanë se çfarë po thotë. Atje në fshat, fshatarit i ka bo pela mushkë që është një kafshë që ngjitet monopateve, e shpejtë dhe ha pak. Ata u habitën. Bëra edhe disa interpretime të tjera. Dhe mbarova. Kam dalur te dera dhe shokët qeshnin dhe më thanë se ke fituar. Ku kam fitue, i thashë. Ngadalë kur të dalin rezultatet. Në orën 4 pasdite dolën rezultatet dhe fitova për të shkuar në Bashkimin Sovjetik në teatrin “Balshoj’’. Pas dy ditësh gazeta ‘’Zëri i Popullit”’ shkroi: “Artisti Kukësian nga Buzëmadhe”. Në këtë kohë unë doja një vajzë nga fshati Bicaj i Kukësit. Isha 19 vjeç në vitin 1959. Përfundimisht më doli e drejta për aktor. Shruajtën gazetat.U hap lajmi. Shoqja ime Fatmirja që Pjetër Gjoka tha se është më e mira, nuk fitoi. Ishte vetëm 19 vjeç dhe i duhej të merrte vendimin e jetës.
Aktor në teatrin e famshëm të Moskës apo dashuria për vajzën nga fshati Bicaj në rrethin e Kukësit?
“U ktheva në shtëpi. Ishte përhapur lajmi. Ishim të dashuruar, ende të pa fejuar. Asaj më herët i kishin thënë mos shko në Buzë-Madhe se do të mbash dru mbi shpinë. Por ne donim njëri-tjetrin. E takoj në Bicaj Hasijen, bashkëshorten time të ardhshme. Më thotë se e kam marrë vesh se do të shkosh në Bashkimin Sovjetik për aktor. Më tha, Zylfi po shkove në Bashkimin Sovjetik nuk më merr mua. Jo i thashë të marr. Jo tha, mbaroi. Por forca e njohjes dhe e dashurisë… Përfundimisht vendosa mos me shku. Çdo ditë njoftonte Tirana se teatri po më pret. Përfundimisht nuk shkova dhe gjithë jetën deri në pension e kalova si mësues. Pra për dashurinë sakrifikova dhe mund të isha bërë ndoshta një aktor i mirë.
-Je i penduar ?
“Jo nuk jam penduar. Por me Hasijen tashmë të ndjerë kur grindeshim pas martesës i thojsha se më kë lënë pa shku për aktor. Ajo më thoshte se për ty i kam hypur kalit dhe kam ardhur në Buzë-Madhe.”
Kështu i dha fund Zylfi Tola ëndrrës për aktor në “Bolshoj Teatër” në Moskë.
Zgjodhi dashurinë për Hasijen dhe jetën e një mësuesi fshati.
“Ndonjëherë pendohem dhe them se do të isha bërë një aktor i mirë sepse edhe profesor Petro Marko. Zylfi ke talent. Kjo ishte historia për aktor. Vitet kanë rrjedhur.Kam qenë mësues. Një jetë të tërë me shumë aktivitete.Me shumë punë,me shumë lodhje. Me shumë sakrifica por i kënaqur me jetën. Jam munduar të punoj me ndershmëri”.
Sot me miqtë ndan ditët pa Hasijen, bashkëshorten që ka ndrruar jetë pak vite më parë. Të gjithë ia njohin historinë por edhe kontributet si mësues i letërsisë, gazetar dhe publicist.
Kur qëndron me veten, i rikthehet kujtimeve. Shpirti artist nuk e ka braktisur as në moshën 85 vjeçare.