Varianti ‘Delta’, që ka infektuar edhe qytetarë të shteteve fqinje, po shkakton pasiguri në planifikimin e pushimeve për sezonin e vjeshtës dhe të dimrit. Anëtari i bordit të turoperatorëve në vend, Besnik Vathi, në një intervistë për Report TV, tha se situata aktualisht është pozitive, por frika për një përhapje të madhe dhe një mbyllje tjetër po step qytetarët dhe operatorët për të bërë rezervime.
“Për momentin sezoni veror po ecën mirë, si ardhja e të huajve nga ato vende që kanë pranuar ta njohin Shqipërinë si vend të mirë për shkak të uljes së infeksioneve, si dhe lëvizjet e shqiptarëve drejt atyre destinacioneve që janë hapur për momentin. Problemi me variantin Delta nuk është problem i tanishëm por është problem për planifikimin për sezonin e vjeshtës pasi të gjithë turoperatorët e kanë të vështirë të planifikojmë, ture, udhëtime, ekskursione apo atë pjesë të turizmit që Shqipëria ofron përveç turizmit në plazhe, e kanë të pamundur të planifikojnë për vjeshtën porsa kohë situata është e paparashikueshme porsa kohë ekziston frika për një rimbyllje tjetër. Situata është mirë në raport me 2020 por nuk është mirë në raport me shifrat e 2019”, pohon operatori turistik Besnik Vathi.
Edhe pse situata aktualisht duket se i është rikthyer normalitetit pasi ka lëvizje të shumta dhe rezervime të larta krahasuar me vitin e kaluar, Vathi thotë se pritshmëritë janë që këtë vit të realizohet deri 50% shifrat e vitit 2019.
“Turistët që vijnë nga jashtë mund të jenë rreth 40-50% në raport me 2019 ashtu edhe shqiptarët që shkojnë jashtë vendit janë përsëri në këto shifra. Bëhet fjalë për këto shifra pasi ka vende që qëndrojnë të mbyllura si për qytetarët e tyre ashtu edhe për të pranuar turistë drejt këtij vendi, të tilla si Italia që ka shumë rëndësi për turizmin shqiptar pasi janë me qindra mijë emigrantë që jetojnë atje, apo vendet skandinave që është një vend me shumë rëndësi për vendin. Përveç kësaj vazhdimi i kërkesave për testin PCR e shton më shumë koston e pushime”, thotë Vathi.
Sa i takon çmimeve Vathi thotë se ato janë shtrenjtuar për shkak të kostove që ka diktuar pandemia.
“Çmimet për vitin 2021 në raport me 2020 janë pothuajse të njëjta ndërsa krahasuar me 2019 kanë kosto shtesë që lidhen edhe me shpenzimet shtesë që janë testet PCR apo për kapacitetet e ulura, shumë hotele nuk shiten 100% por kanë detyrim të kenë 30% të kapacitetit të pa-shitur, të gjitha këto dhe masat shtrënguese ka bërë që çmimet të jenë më të larta. Do thosha 10-15% më të shtrenjta. Gjithmonë kjo është kërkesë-ofertë ka oferta që vijnë në momentin më të fundit për hotelet të cilat kanë mbetur pa u shitur dhe ofrojnë në minutën e fundit”, pohoi operatori.
Mbyllja që shkaktoi pandemia në vitin e kaluar ka rritur me shpejtësi kërkesën që kanë shqiptarët për të pushuar jashtë vendit, por që sipas Vathit as këtë vit lëvizjet nuk po realizohen normalisht. Sipas tij shtetet anëtare të BE-së nuk po favorizojnë shtetet jo anëtare që të rimëkëmbin industrinë e turizmit, pasi po zbatojnë masa shtrënguese.
“Konkurrenca është normale dhe e pranishme jo vetëm në situata anormale, lidhjet e fuqishme apo pjesëmarrja e Italisë dhe Greqisë në BE, lobingjet e fuqishme brenda BE janë të mëdha. Ne jemi të rrethuar nga vende që nuk kanë vetëm turizëm të zhvilluar por janë pjesë e BE ku Shqipëria nuk është. Ndërsa me Malin e Zi jemi pothuajse në të njëjtin nivel turistësh, ndërsa Greqia ka avantazhin e lobin në BE. Kërkesat nga turistët shqiptar për të lëvizur janë të mëdha, por brenda një kohe të shkurtër duhen marrë një sërë vendimesh të njëpasnjëshme. Në vitet normale mendohej shumë kohë përpara se të pushoje dhe më pas rezervoje ndërsa tani duhet të marrim vendimet në minutën e fundit, ku do pushohet, kur duhet, sa duhet shpenzuar dhe çfarë duhet zgjedhur. Kjo shpjegohet edhe me fluksin e madh që kanë në këto kohë agjencitë turistike”, tha ndër të tjera për Report TV operatori turistik Besnik Vath.