Gjer më tani, si shumë ushtarëve të tjerë të UÇK, më janë bërë disa “Falenderime”, “Mirënjohje” e “Dekorata”. Secila prej tyre në analizë të fundit simbolizon as më pak as më shumë se një lloj të mashtrimit dhe padrejtësisë. Gjithçka çfarë thonë këto dekorata janë sipas motos:“Jeto si të duash, merru me ç’të duash, se në TMK nuk je më e nevojshme”. Të tilla konstatime dëshpëruese gjenden mes rreshtat në atë çfarë ka lëshuar Brigada 332 e TMK-së, “137 Gjakova”: “Ta gëzosh këtë mirënjohje, këtë falenderim, por Ne nuk ekzistojmë më!”
Ceremoninë në fjalë e ndoqa në lajmet e mbrëmjes. Aty thërriteshin emrat, dhe ish-luftëtarët apo familjarët e dëshmorëve shkonin merrnin mirënjohjet me një shtrëngim duarsh, e falenderimet e radhës. Në fund, i erdhi radha fjalimit të Pal Lekës i cili tha fjalët formalisht korrekte dhe përmbajtësisht bosh, se sa “sakrifica, mundi, djersa, gjaku i dëshmorëve dhe invalidëve të luftës nuk harrohet” dhe se si “është detyrim i yni që të punojmë për një të ardhme më të mirë”. Fraza bosh, të pavërteta, hipokrite si çdo herë tjetër, prej një kryetari të një komune që ka histori, dëshmorësh e martirësh, e që ka pasur një Brigadë të UÇK-së që bëri luftë vërtetë heroike me armikun, brenda qytetit.
Me gjasë pas publikimit të këtij shkrimi, do të fillojnë sërish mesazhet në e-mail e në telefon si herëve të tjera, por nuk e kam më problem presionin e tyre, as tentimin për të më frikësuar, sa ç’ kam problem faktin që këto “mirënjohje” shërbejnë për të lidhur vlerat e luftës me persona që po abuzojnë me pushtetin simbolik që kanë trashëguar nga lufta. Abuzimet e tyre janë të rënda, që nga vjedhjet masive që po bëjnë tash që kanë kapur pushtet lokal e qendror, e gjer te mashtrimet e vrasjet, apo brutalitete nga më të papranueshmet, qofshin mafioze, qofshin policore ndaj këtij populli që luftoi për liri.
Në njërin prej mesazheve që më kanë dërguar një prej herëve thuaj kështu: “Vetëm që je femër se…” . Edhe pse e kam pasur të vështirë ta lexoj, sepse këta njerëz nuk dinë as të shkruajnë rrjedhshëm shqip, arrita ta kuptoj përmbajtjen. Ajo porosi që më dërguan nuk tregonte asgjë, pos që dërguesi ish një person servil dhe frikacak, e që përpiqej të tregonte se është “burrë”, madje burrë pushteti.
Më duhet t’ua përkujtoj këtyre bashkëluftëtarëve të dikurshëm që sot kanë braktisur gjithçka për pushtetin si edhe servilëve të tyre , si grua, si ushtare e UÇK-së se për angazhimin në luftën çlirimtare nga unë e nga të tjerët para meje nuk ka nevojë për mirënjohje nga individë që kërkojnë reklamë për vetveten përmes këtyre ceremonive. Mirënjohjet për ne e për të gjithë ata që kanë sakrifikuar në luftë duhet të jenë institucionale dhe publike, në emër të shqiptarëve dhe republikës së tyre. Por që kjo të ndodhë duhet që republika të jetë përnjëmend e popullit dhe e themeluar në luftën e në sakrificën e tij për liri.
“Vetëm je femër se…” më shtyu të rilexoj shënimet e luftës, tash së fundi.. Po parafrazoj disa prej shënimeve, ndoshta në interes të lexuesit:
“Më 17 dhjetor të vitit 1998 kemi mbetur në mal për dy ditë rresht, 11 ushtarë. Në momentin që vërejta se po ngrinte nga i ftohti ushtari (15 vjeçar) Arbër Zeka, ia dhashë setrën time, e vetë qëndrova në atë të ftohtë vetëm me këmishë. Kur është dhënë një urdhër për të dërguar një lajm nga një fshat në tjetrin, edhe pse në brigadë ishin qindra burra, e mora unë “femra” përsipër këtë punë, bashkë me bashkëluftëtarin tonë, Arbenin. Kemi vrapuar bashkë mes plumbave e granatave, e nuk më ka penguar të qenit “femër”. Kur kemi bartur armatim, në afërsi të “kufirit”, ku rreziku ishte më i madh, ka pasur ushtarë (burra) që janë kthyer mbrapsht por unë si “femër” vazhdova rrugën. Jam plagosur më 7 maj 1999 në betejën e Çabratit, e edhe pse plagën e kisha në këmbë kam ecur për 3 ditë. Kam refuzuar bartjen me vig duke kursyer hapësirën për të tjerët sepse kishim disa të plagosur, shumë ngarkesa dhe nuk doja të bëhesha barrë. Pas plagosjes nuk kam shkuar në spitalin ushtarak në Tiranë, edhe pse insistonin shokët që po i bartnin të plagosurit andej “kufirit”, unë kam qëndruar në mal “Te pishat e Dobroshit” dhe e kam shëruar plagën aty, pastaj kam vazhduar tutje. Edhe flokët e gjata i kam prerë në luftë me makinë të rrojës. Këto kanë ndodhur pikërisht duke e konsideruar veten të barabartë me çdo ushtar tjetër”
Të qenit vajzë e grua nuk më pengon të them të vërtetën politike sot, siç nuk më ka penguar në luftë. E ju që i shikoni ndryshe, e i dalloni njerëzit me gjini, jeni ju që e keni një problem serioz. Jeni ju që paaftësinë tuaj, dobësinë morale, paturpësinë politike e shndërroni në dhunë, dhunë ndaj qytetarit të thjeshtë, dhunë ndaj gruas, diskriminim, e përbaltje të ish luftëtarëve.
Paslufta ka qenë pothuajse më e vështirë se vetë lufta. Nuk po ndalem tek rrënimi me themel që Serbia i bëri Gjakovës, duke e djegur të tërën, por po shkoj drejt e në shkatërrimin e sotëm, përmes qeverisjes së atyre që thirren në vlerat e luftës dhe vjedhin në emër të këtyre vlerave.
Gjakova qeveriset tash dy mandate nga AAK-ja me kryetar Pal Lekajn i cili edhe vetë e ka gojën plot me fjalë bosh në emër të vlerave të luftës. Çfarë ka bërë ky njeri për qytetin dhe luftëtarët? Asgjë, vetëm se ka futur interesat e tij dhe të partisë të tij në procese me interes qytetar, duke shkatërruar edhe pjesët më të ndjeshme e më me vlerë që ka qyteti, si për shembull së fundi “Çarshinë e vjetër”. Varrezat e dëshmorëve ende nuk janë rregulluar, invalidët dhe veteranët me zor mbijetojnë pa asnjë mbështetje sociale dhe ekonomike (përjashto këtu disa prej ushtarëve të UÇK-së të cilët nuk mund t’i konsiderosh si tjetër gjë, përveçse si militantë partie).Pavarësisht se kryetari gënjen duke thënë që ka punësuar veteranët, ata pak që kanë përfituar ndoshta dhe vetë turpërohen që pas sakrificës që kanë bërë për çlirim, u duhet të jenë servilë.
Mirënjohja për një luftëtarë a luftëtare është atëherë kur familjet e dëshmorëve të kenë vërtet arsye të ndjehen krenarë për djemtë dhe vajzat e tyre që dhanë jetën. Kur invalidët e luftës të kenë përkujdesje institucionale dhe shërbime mjekësore, kur veteranëve t’u njihet statusi i veteranit, pa manipulime partiake. Kur betimi i dëshmorëve të mos shkelet nga ish bashkëluftëtarët sot pushtetarë, që edhe vetë u betuan dikur, e kur e ardhmja e fëmijëve të jetë e sigurt e të ketë mirëqenie, drejtësi, punë e përkujdesje për secilin qytetar. Kur të ndodhë emancipimi i gruas dhe i gjithë shoqërisë. Kur të mos negociohet për vendin tonë, me dëshmorët tanë, me lirinë tonë dhe kur të realizohet qëllimi primar i luftës, bashkimi i shqiptarëve në një shtet.
Zotërinj “burra” që shpërndani mirënjohje, realizimi i aspiratave të luftëtarëve dhe të gjithë popullit, që përmenda më lart janë Mirënjohja.
Familjarët e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët e UÇK-së sot për sot janë figura e ku shpërfaqet dështimi juaj i gjithanshëm. Në emrin e tyre nënshkruhet qëndresa dhe e vërteta jonë politike. Pushteti juaj është i rremë, ashtu janë dhe Mirënjohjet tuaja.
(ad.ti/shqiptarja.com)