Mbretëria e Bashkuar ka thirrur ambasadorin serb në Londër, pasi dënoi nderimet dhe glorifikimin që iu bë në Beograd Ratko Mlladiçit, i dënuar për genocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Takimi u zhvillua me iniciativën e të dërguarës së posaçme për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce dhe të ministri britanik për Evropën, Lord Wood.

" Si komandant ushtarak, Mlladiçi ishte përgjegjës për krime që janë ndër më të rëndat e kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai u shpall fajtor nga një tribunal i pavarur i Kombeve të Bashkuara për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Mohimi dhe glorifikimi i krimeve të tij përbëjnë një fyerje ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe minojnë drejtpërdrejt stabilitetin dhe besimin në rajon. Mendimet e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar janë me viktimat e Mlladiqit dhe familjet e tyre. Ata meritojnë respekt, dhembshuri dhe llogaridhënie, e jo përpjekje për të rishkruar një histori të provuar. Udhëheqësit politikë dhe institucionet publike kanë përgjegjësi të shikojnë drejt së ardhmes, jo së kaluarës, dhe të veprojnë në mënyra që mbështesin pajtimin rajonal, e jo të rihapin plagët e vjetra. Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë u themelua nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe Serbia është e detyruar t’i respektojë vendimet e tij. Pikërisht për këtë arsye, sot thirrëm në takim të Ngarkuarin me Punë të Serbisë. Glorifikimi i një krimineli lufte të dënuar minon drejtpërdrejt besimin, nxit përçarjet dhe është i papajtueshëm me procesin e pajtimit në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në rajon. Mbretëria e Bashkuar mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj drejtësisë ndërkombëtare, llogaridhënies dhe pajtimit të qëndrueshëm në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe do të vazhdojë të punojë me partnerët në rajon dhe në nivel ndërkombëtar në mbështetje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje të sigurt dhe të begatë për të gjitha komunitetet.” tha ai. 


Lajmi kryesor:

BE paralajmëron rishikimin e negociatave me Serbinë pas nderimeve për Ratko Mlladiçin! Von der Leyen: Pamje tronditëse, Bosnja dëbon 2 diplomatë